"La Boheme" - Kryevepra Botërore Rivjen në Tiranë - Into Albania

“La Boheme” – Kryevepra Botërore Rivjen në Tiranë

Teatri i Operës dhe Baletit ngre siparin e sezonit artistik për këtë vit, me operën “La Boheme” të Giacomo Puçinit. Pavarësisht se trupa artistike e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, prej disa ditësh i është rikthyer mjediseve të restauruara të Teatrit, deri në përfundimin e plotë të sallës së shfaqjeve, TKOB, do të performojë, ashtu siç ka bërë deri më tani, në salla të tjera, ka theksuar TKOB.

“La Boheme” tregon historinë e dashurisë ndërmjet dy të rinjve plot shpresë, por me vështirësi të shumta financiare. E njohur si një nga veprat më të dashura të Puçinit, ajo lartëson dashurinë që nuk vdes kurrë, as me ikjen e njeriut nga kjo jetë.

Në këtë opera do të shpalosen bukur ngjyrat e dashurisë, por edhe notat dramatike të dhimbjes, jo vetëm të dy të rinjve, por edhe të personazheve të tjerë. Të gjitha këto do të vinë bukur në skenë nga një kast i njohur artistësh si sopranoja Eva Golemi, e cila do të jetë me rolin e Mimisë, Denis Skura, në rolin e Rudolfit si edhe artistë të tjerë të rinj, të cilët në tre vitet e fundit të TKOB, janë bërë pjesë e skenës më të madhe artistike në vend.

Posteri i eventit. Burimi: TKOB

“La Boheme” është një nga katër veprat e kompozuar prej Puçinit, që e konfirmon atë si kompozitor plotësisht i pjekur dhe origjinal, thekson në komunikatën e saj TKOB. Premiera e parë e operës ka qenë Torino më 1 shkurt 1896 në Teatro Regio. Kjo opera mbetet një nga më të suksesshme dhe nga më populloret e cila dhe sot vazhdon të luhet në të gjithë teatrot prestigjiozë të operës në botë.

Këtë shfaqje fantastike, Teatri i Operas dhe Baletit e sjell në Pallatin e Kongreseve më datat 13,15 dhe 16 mars.