Lokalet më të mira të artit dhe kulturës në Tiranë - Into Albania

Lokalet më të mira të artit dhe kulturës në Tiranë

Tulla Nouvelle

Bashkëpunimi mes dy prej emrave më të njohur të jetës së natës në Tiranë si Tulla Culture Center dhe Nouvelle Vague, ishte e pritshme që do të ishte një sukses I menjëherëshëm. Pozicionuar në tarracën ikonike të Pallatit të Kulturës në Sheshin Skënderbej, ky vend të mundëson të jetosh Tiranën plotësisht. Janë shumë arsye përse e themi këtë. Më së pari, prej tarracës do të keni disa  panorama mjaft të bukura të qytetit. Së dyti, dekori i vendit është mjaft nostalgjik, duke kombinuar stile të periudhave të ndryshme. Do të gjeni pak nga kultura e grafitit të viteve ’90, pak nga kultura disko, si dhe një stil tipik urban e një atmosferë që është njëherësh sa origjinale aq edhe shqiptare. Performancat live në fundjavë janë mjaft të ndjekura nga të rinjtë, dhe kërcimi dhe pijet marrin një tjetër shije në tarracën më të njohur të Tiranës për momentin. Për të apasionuarit e filmave, e marta dhe e mërkura janë ditët kur mund të shihni një film nën yje. Së fundmi, koktejlet e servirura nga Tulla Nouvelle nuk kishte si të mos ishin disa nga më të mirat në qytet.

Për hartën kliko këtu.

Destil

Hosteli më në zë i Tiranës, Destili, e merr emrin e tij nga lëvizja e njohur arkitekturore dhe artistike hollandeze De Stijl, që vendos theksin tek abstraksioni ekstrem si dhe universalja. Duke i qëndruar besnik emrit që mban, hapësira e këtij vendi është e konceptuar që të evokojë pikërisht këto dy koncepte. Por përtej kësaj, mos mendoni se Destili është thjesht një vend për njohësit më të mirë të rrymave artistike. Falë barit, lokalit, si dhe hapësirës së artit, ky vend është kthyer mjaft popullor si mes të huajve që vizitojnë qytetin, ashtu edhe vendasve që e shohin si një pikëtakimi mes kulturave të ndryshme. Jo më kot këtu bëhet dhe promovimi i artistëve të rinj premtues, me shfaqje të shumta muzikore apo artistike gjatë gjithë vitit. Për t’u përmendur është edhe rakia e lokalit, që I jep një tjetër shije bisedave që vazhdojnë në ambjentet e ndryshme të hostelit. Përgjatë fundjavës festat e kopështit i japin mundësi dj më në zë të performojnë për një audiencë më intime.

Për hartën kliko këtu.

Ironbrush Tirana

Vendosur brenda një vile tradicionale, Ironbrush Tirana është një përzierje mjaft e bukur mes të resë dhe të vjetrës. Pjesërisht hapësirë arti, pjesërisht pikë tatuazhesh (me një nga tatuatorët më të mirë të Tiranës), me hapësirë për filma, bar, si dhe vende të tjera ku klientela e besuar ndihet si në shtëpinë e vet. Ironbrush Tirana u konceptua si të ishte një lëvizje, ku të reflektohej një stil i caktuar jete, dhe ambjenti sot është fryt i këtij koncepti.

Për hartën kliko këtu.

Hemingway Fan Club Albania

Mos humbisni vendin ku muzika jazz është kolona zanore e përditshme! Vendosur në një nga zonat më tradicionale të qytetit, do ju tërheqin vëmendjen vilat e shumta me stil Italian, ku disa të ngjajnë vërtet nostalgjike për nga ngjyrat apo dyert e dritaret e vjetëruara. Edhe pse duket fillimisht si një klub ekskluziv vetëm për një grup të caktuar njerëzish, këtu të gjithë janë të mirëpritur! Një bar me emrin Hemingway nuk mund të mos dallohet dhe për përzgjedhjet e markave më të mira të rumit. Koncertet intime të xhazit apo shfaqjet me filma klasikë, janë disa arsye të tjera përse ky vend ja vlen të vizitohet.

Te Baçja (Tirana Ekspres)

Hapësira e vjetër alternative Tirana Ekspres është zhvendosur tek një vilë e këndshme me kopësht, ku ambjenti është më intim e më pak industrial se versioni i vjetër. Shfaqje të të gjitha llojeve vijnë përmes një kalendari mjaft të pasur. Tek sa të hënën shfaqen filma autori, të mërkurën është radha e muzikës live, ndërsa të premten dj-të besnikë të Tirana Ekspres vijnë e luajnë përherë këtu. Fundjava mbyllet me karaoken e të shtunës. Si të mos mjaftonte, vila ndodhet mu pranë Pazarit të Ri, një prej zonave më në modë të Tiranës.

Për hartën kliko këtu.

Tëduktu

Tëduktu është një nga ato vendet që e kupton sapo hyn se i kishte munguar gjithmonë Tiranës. Falë një interior design-i të kuruar deri në detaj, e një menuje të studiuar për të qenë sa e shëndetshme po aq edhe e shijshme, Tëduktu po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje. Konceptuar me premisën se syri do pjesën e vet, sapo hyn një murale moderne të pret, e shoqëruar nga mobilje dhe elemente të tjerë dekori nga të cilat një pjesë janë në shitje. Kjo krijon një hapësirë sa konsumi me shije, aq edhe ekspozimi arti që vjen përherë ndryshe. Pozicionuar në rrugicën mbrapa Piramidës, Tëduktu është një oaz artistik që tek sa të ofron të gjithë shkëputjen e nevojshme nga zhurma e qytetit, ironikisht është pozicionuar në një nga zonat më të zhurmshme e moderne të tij.