Mozaiku i Tiranës - Gërmimet Nxjerrin në pah Zbulime të Reja - Into Albania

Mozaiku i Tiranës – Gërmimet Nxjerrin në pah Zbulime të Reja

Prej ditësh mozaiku i Tiranës i është nënshtruar disa ndërhyrjeve të cilat kanë nxjerr në pah gjetje të reja. Këtë gjë e ka bërë të ditur vetë ministrja e Kulturës, Elva Margariti, nëpërmjet një postimi në rrjetin sociale, Facebook.

Gjatë një inspektimi në zonën kryesore arkeologjike të kryeqytetit, dolën në pah disa ambiente që i përkasin periudhës romake.

“Si rezultat i gërmimeve kanë dalë në dritë vazhdimi i mureve të ambienteve ndihmëse të vilës romake (fundi i shek. III – fillimi i shek. IV), që përdoreshin për fermentimin e verës, e bashkë me të edhe një kanal i largimit të ujërave. Të tjera gërmime pritet të kryhen në anën jugore”, shkruante ajo.

Ky zbulim ka ndodhur gjatë një inspektimi në zonën kryesore arkeologjike të kryeqytetit.

Rasti pritet të shqyrtohet në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, pas hartimit të raportit të rezultateve të dala nga sondazhet. Aty do të vendoset nëse do të ketë gërmime arkeologjike më tej.

Gjatë inspektimeve tek Mozaiku i Tiranës. Foto Elva Margariti

Mbi Mozaikun e Tiranës

Mozaiku i Tiranës është një monument kulture i kategorisë së I-rë, si edhe është vendi arkeologjik më i vizituar i kryeqytetit. Për nga ana e ndërtimit, materialit dhe teknikës së përdorur, ai i përket artit paleokristian.

Në vitin 1972, gjatë punës për ndërtimin e pallateve në lagjen nr. 9 të qytetit të Tiranës, u zbuluan rrënojat e një ndërtese antike, njëri nga ambientet e të cilit ishte i shtruar me mozaik. Sipas specialistëve, kemi të bëjmë me një qendër fshatare të shekujve të parë pas Krishtit që në fillim të shek. III u zëvendësua me një vilë fshatare (rustica). Salla me mozaik e pajisur dhe me një absidë ishte ambienti kryesor i saj. Mozaiku përmban motive gjeometrike e floreale, por edhe motive tipike të Krishtërimit të hershëm, si gërsheti i stilizuar, rozetat e peshqit.

Mozaiku i Tiranës, foto IntoAlbania

Mozaiku mendohet se i përket dyshemesë së një shtëpie tipike të kohërave të hershme. Ngjyrat dhe figurinat në mozaik reflektojnë gjithë fizionomi në e banesave të pellgut të Tiranës që pasuroheshin me shumë dekorime.

Pjesa e gërmuar e monumentit u rrethua dhe u vu në mbrojtje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK) dhe gjatë viteve 2003-2004 punimet e sistemimit të rrugëve dhe instalimeve të ndryshme të bllokut të kësaj lagje zbuluan pranë rrethimit të monumentit pjesë të tjera të kompleksit.

Mozaiku i Tiranës është një pikë me rëndësi për kulturën e kryeqytetit dhe Shqipërisë. Projekti konsiston në arritjen e qëllimit për t’ua rikthyer banorëve të Tiranës.

Ai madje identifikohet si një pjesë e rëndësishme e kulturës së kryeqytetit dhe të gjithë Shqipërisë. Ky projekt ka për qëllim ta bëjë këtë pikë të vizitueshme dhe t’i kthehet sërish banorëve të Tiranës dhe vizitorëve.

Mozaiku i Tiranës, foto IntoAlbania