Nga Panairet tek Festa e Gruas - Zbuloni Eventet më Interesante të Javës - Into Albania

Nga Panairet tek Festa e Gruas – Zbuloni Eventet më Interesante të Javës

Java e parë e marsit nis plot energji, mes aktiviteteve të shumta dhe interesante, të cilat ju ftojnë të mos mungoni.

Ja eventet që IntoAlbania sugjeron për javën.

Ekspozitë – Imazhe dhe propaganda. Në datat 2 deri 7 mars tek Europa House

Në datat 2 deri më 7 mars tek Europa House ju pret ekspozita “Euimage,” në të cilën do të shfaqen përzgjedhje skicash satirike të zgjedhura nga arkivat digjitale të gazetave të ndryshme në të gjithë Evropën.

Xhevahir  Spahiu – shenja e një breznie. Më 2 mars tek Akademia e Shkencave

Me rastin e 75 vjetorit të lindjes së poetit Xhevahir Spahiut, Akademia e Shkencave së bashku me Komisionin e Artit dhe Trashëgimisë organizojnë veprimtarinë shkencore Xhevahir Spahiu – shenja e një breznie. Në këtë veprimtari do të ketë një program të gjerë me aktivitete, në të cilën do të paraqiten kontributet origjinale dhe meritat qytetare të Xhevahir Spahiut.

Shfaqja e filmit “Derë e Hapur.” Më 2 mars në Prrenjas

Muaji mars është muaji simbol i gruas dhe evente të shumta do të organizohen në lidhje me këtë ditë.  UN Women në Shqipëri organizon shfaqjen e filmit shqiptar “Derë e hapur” në Qendrën Kulturore Prrenjas, pikërisht me këtë rast. “Derë e hapur,” film i vitit 2019, ka në qendër dy motra në një shoqëri thellësisht patriarkale. Përmes udhëtimit të tyre hasim forma të ndryshme diskriminimi ndaj grave dhe pabarazinë e rrënjosur thellë në shoqëri.

Ankandi i Monedhave të Vjetra. Më 3 mars tek Tirana International

Një ankand i veçantë ju pret më 3 mars tek Hotel Tirana ku do të shfaqen monedhat, nga më të vjetra dhe me më shumë vlerë. Një rast i mirë për të mos munguar.

Edicioni i 4 i Gastro Albanias. Në datat 4-6 mars në ExpoCity

Në ExpoCity do të mbahet edicioni i katërt i Konkursit Ndërkombëtar të Gastronomisë. Konkursi do të zhvillohet në kategori të ndryshme si kuzhinë, piceri apo bar dhe në të do të marrin pjesë vende nga e gjitha bota.

Kangoo në Park. Më 6 mars tek Fusha Multisportive, Parku i Madh i Liqenit Artificial

Më 6 mars, Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit organizon aktivitete sportive me rastin e festës së gruas. Kangoo në park pret grupe me mosha dhe profesione të ndryshme nën drejtimin e instruktores Genta Goxhaj. Një mundësi e mirë, jo vetëm për ta kaluar çaste ndryshe, por edhe për të mbajtur trupin në formë.

Marshojmë së bashku! Më 8 Mars 2020 tek Parku i Liqenit

Marshojmë së bashku është aktiviteti i radhës që do të zhvillohet më 8 mars tek Parku i Liqenit, në Ditën Ndërkombëtare të Grave. Kjo nisëm kërkon të shpalosë gjithnjë e më shumë që të drejtat e grave nuk janë luks, por një domosdoshmëri.