Organizohet në Shqipëri Kursi i Parë i Guidës Interpretuese në Trashëgiminë Kulturore dhe Natyrore - Into Albania

Organizohet në Shqipëri Kursi i Parë i Guidës Interpretuese në Trashëgiminë Kulturore dhe Natyrore

Miliona turistë vizitojnë bukuritë natyrore dhe kulturore të planetit çdo vit. Të organizuara nga guidat, përvoja që merret nga këto destinacione mbetet unike

Në fund shtatori për herë të parë në Shqipëri u mbajt kursi i parë i Certified Interpretive Guide. Ky aktivitet ishte një nismë e Institutit të Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit në bashkëpunim me Interpret Europe, i cili është një rrjet europian me qendër në Gjermani dhe përfshin më shumë se 1000 anëtarë nga 55 vende në Evropë dhe më gjerë, të përbërë nga profesionistë interpretative si guida, arkitektë, shkrimtarë, apo edhe menaxherë të siteve të trashëgimisë.

Certified Interpretive Guide. Foto nga Instituti i Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit

Qëllimi i kursit ishte të frymëzonte pjesmarrësit për natyrën, kulturën, peizazhin dhe për të krijuar përvoja të qëndrueshme. Interpretimi i trashëgimisë është një metodë e cila të mundëson të krijosh një lidhje midis vizitorëve dhe objekteve që na rrethojnë në peizazhet kulturore dhe natyrore.

Programi i detajuar dhe i përshtatur me ushtrime të ndërthurura praktike dhe teorike, u mirëprit nga të gjithë pjesëmarrësit. Pjesë e tij, përpos shpjegimit teorik mbi fjalët kyçe të përdorura nga një interpretues turistik, mjetet që duhet të përdoren, apo informacionit mbi rrënjët e një interpretimi të mirë të trashëgimisë kulturore e natyrore, u ofroi pjesëmarrësve gjithashtu një larmi ushtrimesh sfiduese, duke ndërtuar besimin dhe kreativitetin e tyre për të zhvilluar, mbajtur dhe vlerësuar biseda dhe shëtitje të shkëlqyera interpretuese.

Certified Interpretive Guide. Foto nga Instituti i Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit

Grupi i pjesmarrësve përbëhej kryesisht nga përfaqësues të muzeve, organizata jo fitimprurëse dhe lektore nga Universitete të ndryshme. Kursi kishte një ekuilibër të përsosur, midis prezantimit nga trajnerët e huaj, diskutimet, shkëmbimin e mendimeve dhe ushtrimet paralele të kryera brenda dhe jashtë.

Programi i njohur në nivel ndërkombëtar është krijuar për këdo në fushën e turizmit, trashëgimisë kulturore, muzeologjisë, interpretimit, por jo vetëm, duke ju ndihmuar në përmirësimin e teknikave të prezantimit përmes kombinimit të bazave teorike me strategji praktike, për ofrimin e një programi cilësor interpretues tek vizitorët në sitet e trashëgimisë kulturore. Programi ishte intensiv dhe përgjatë 40-orëve siguroi një paketë të gjithanshme e të larmishme mjetesh për të kthyer çdo fenomen në një përvojë dhe audiencat pasive në aktive. Pjesëmarrësit praktikuan se si të implementojnë ide të forta dhe inovative për të angazhuar audiencën vizitore në një mënyrë kuptimplotë dhe të paharrueshme. Ata u njohën me historinë, përkufizimin dhe parimet e interpretimit dhe se si të krijojnë një bisedë interpretative për audienca të ndryshme.

Certified Interpretive Guide. Foto nga Instituti i Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit

Certified Interpretive Guide. Foto nga Instituti i Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit

Certified Interpretive Guide. Foto nga Instituti i Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit