Panairi i Artizanëve - Eventi i Çmuar i Traditës Shqiptare - Into Albania

Panairi i Artizanëve – Eventi i Çmuar i Traditës Shqiptare

Për të tretin vit rradhazi do të organizohet tek Pazari i Ri, Panairi i Artizanëve, një event i cili mbart një vlerë të veçantë të traditës së çmuar Shqiptare.

Ky aktivitet synon ti dhurojë hapësirën e merituar punimit me dorë, e cila është trashëguar dhe ruajtur me përkushtim nga artizanët e palodhur dhe duarartë shqiptarë.

Përshtatur edhe situatës që ndodhemi edhe ky panair, ka si synim rimëkëmbjen ekonomike të artizanëve në këtë periudhë të vështirë pandemie.

Ditën e premte më datë 10 korriku, e gjithë hapësira e Pazarit të Ri, do të pasurohet me stendat e mbi 20 artizanëve të cilët do të prezantojnë produktet e tyre tek qytetarët kurioz.

Të ardhur nga zona të ndryshme të Shqipërisë si Tirana, Kruja, Shkodra, Vau i Dejës dhe Gjirokastra, ata do të prezantojnë në panair produkte të cilat varijojnë nga bizhuteritë e punuara me dorë me teknika të ndryshme, produkte kozmetike dhe deri tek qilimat tradicionalë të tezgjahut, veshje popullore dhe punime me dru.

Organizatorët e Panairit të Artizanëve për IntoAlbania-n kanë theksuar se evente të tilla synohen të organizohen 1-2 herë në muaj dhe të kthehen në një traditë të zonës dhe pikë takimi për artizanët e rinj e të vjetër dhe admiruesit e blerësit besnik të produkteve artizanale.

Pjesa më e madhe e artizanëve nuk kanë dyqane ekzistuese për të reklamuar produktet e tyre, prandaj panaire të tilla janë shumë të domosdoshme për jetëgjatësinë e këtij lloj biznesi.

Aktiviteti do të filloj në orën 10.00 dhe do të zgjas deri në orën 18.00, ku sigurisht do të zbatojë të gjitha masat e sigurisë për mbrojtjen ndaj COVID-19.