Restaurimi i Xhamisë Mbret - Një Vlerë e Çmuar e Trashëgimisë Kulturore dhe Fetare - Into Albania

Restaurimi i Xhamisë Mbret – Një Vlerë e Çmuar e Trashëgimisë Kulturore dhe Fetare

Një vlerë e shtuar e qytetit ‘një mbi një dritare’ është edhe Xhamia Mbret, e cila këto ditë ka përfunduar edhe fazën restauruese.

E pozicionuar në qendër të qytetit  si një kompleks arkitekturor, Xhamia Mbret ose Xhamia e Sulltanit është një nga xhamitë kryesore të qytetit të Beratit e shpallur monument kulture që në vitin 1948. Ajo është pjesë e kompleksit të Qendrës Islamike dhe ndërtimi i saj daton në shekullin e XV-të, dhe vazhdon me disa faza deri në shek. XIX. Në periudhën e mesjetës, Xhamia Mbret së bashku me teqenë tjetër të Helvetive dhe konakët e saj, shënjonin edhe qendrën e qytetit të vjetër të Beratit.

Projekti i restaurimit të Xhamisë Mbret më herët u bë me dije se kishte si qëllim kryesor nxjerrjen në pah të vlerave të trashëgimisë kulturore të këtij monumenti. Punimet restauruese të parashikuara konsistonin në konsolidimin strukturor të monumentit, restaurimin e çatisë, dhe realizimi i suvatimit me teknika dhe materiale tradicionale. Konservimin dhe restaurimin e pikturës murale, restaurimin e elementëve të dekoruar drusorë si tavanet, mafili etj.

Xhamia Mbret, foto Ministria e Kulturës

Xhamia Mbret, foto Ministria e Kulturës

Salla e lutjeve paraprihet nga një portik i hapur. Portiku ka tavanin e tij dhe në murin verior të tij ndodhet një tjetër mihrap në mënyrë që besimtarët e shumtë të mund të falen edhe në portik. Pjesa e sipërme e minares është rindërtuar vitet e fundit ndërsa bazamenti i saj është ndërtuar me teknikë klausonazhi, dhe është një prej elementëve arkitektonikë që i përkasin ndërtimit të parë të xhamisë në shekullin e XV.

Restaurimi i këtij objekt kulti është një vlerë e shtuar gjithashtu dhe për turizmin pasi këto vende tashmë janë kthyer në destionacione mjaft të pëlqyera nga turistët e huaj që pëlqejnë turizmin religjioz si dhe gjithashtu tregojnë vlerën e madhe të vendit tonë siç është toleranca fetare.

Xhamia Mbret, foto Ministria e Kulturës

Xhamia Mbret, foto Ministria e Kulturës