Shtegtimi i Rrallë i Mjellmës së Vogël në Shqipëri - Into Albania

Shtegtimi i Rrallë i Mjellmës së Vogël në Shqipëri

Mjellma e vogël është një specie e rrallë që nuk shihet shpesh në vendin tonë, madje konsiderohet edhe si një specie e veçantë. Ndryshe nga llojet e tjera të mjellmave që shihen në vendin tonë, kjo lloj mjellmë është hasur mjaft rrallë

Mjellma e vogël (Cygnus columbianus) ka një habitat të jashtëzakonshëm. Kjo specie jeton në rajonet evropiane dhe aziatike të Federatës Ruse, tundra. Sot, mjellma e vogël është e ndarë në popullsi perëndimore dhe lindore. Për disa, kjo është e mjaftueshme për t’i klasifikuar ato si nënlloje të ndryshme.

Në fund të muajit shkurt, thekson AOS- Albanian Ornithological Society, gjatë një  praktike të kurseve BirdID dhe BirdON në Rezervuarin e Thanës apo Rezervuarin e Murrizit, pjesë e qarkut të Beratit, Fierit dhe Elbasanit, u vrojtuan 4 individë të mjellmës së vogël (Cygnus columbianus).

Mjellma e vogël gjatë shtegtimit. Foto AOS

Mjellma e vogël është shpend që folezon në arktik, nga gadishulli Kola në Palearktik dhe duke u shtrirë në të gjithë tundrën Siberiane, më tej në pjesën Nearktike nga Alaska deri në deltën e lumit Anderson në Kanada, theskon AOS. Dimërimi i këtij lloji, jo vetëm në vendin tonë, por në të gjitha vendet e Adriatikut lindor është i rrallë. Megjithatë shpendi haset rregullisht dhe në numër të lartë në Egje dhe në Detin e Zi.

Ndër të tjera në njoftim AOS- Albanian Ornithological Society, ka theksuar se njëri prej mjellma që është parë në territorin Shqiptar  ka qenë i pajisur me gjurmues satelitor. Sipas informacioneve që na mundëson Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri, mjellma që ka vizituar trevat shqiptare ka lindur në gusht 2019 në zonat ligatinore të Detit Petchora (Siberi, Rusi) ku dhe është pajisur me gjurmues. Prej këtu, mjellma e vogël ka udhëtuar me mijëra kilometra për të dimëruar në deltën e lumit Evros midis Greqisë dhe Turqisë. Nisur nga ky vend, shpendi qëndron fillimisht në Liqenin e Kerkinit dhe shfaqet më 1 Janar 2021 në Shqipëri në liqenin e Thanës ku qëndron deri në mëngjesin e 27 Shkurtit 2021. Tani shpendi duket se ka marrë sërish rrugën e kthimit në vendlindje.

Gjatë monitorimit të Mjellmës së vogël. Foto AOS

AOS thekson se të dhënat e shumta të monitorimeve të kryera, Ballkani Lindor është kthyer në një vatër të rëndësishme dimërimi të mjellmës së vogël ndërsa rastet e dimërimit në Ballkanin Perëndimor, ndonëse të rralla, tregojnë gjithsesi se ligatinat shqiptare mbeten një vend i parapëlqyer për shpendët e ujit shtegtarë.

Liqeni i Thanës, foto AOS