Zbulohet Fjetorja e parë e Skifterit Këmbëkuq në Shqipëri - Into Albania

Zbulohet Fjetorja e parë e Skifterit Këmbëkuq në Shqipëri

Nga ekspeditat e shumta që kryen Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri gjithmonë na informon për lajme pozitive që na vijnë nga mjedisi.

Gjatë një nisme të përbashkët për monitorimin e kalimit të shpendëve grabiqarë në vend, PPNEA së bashku me “Shpendët e Shqipërisë” kanë arritur të zbulojnë fjetoren e parë në Shqipëri të Skifterit Këmbëkuq (Falco vespertinus).

Sipas të dhënave që PPNEA na mundëson theksohet se ky lloj skifteri që dimëron në pjesën jugore të kontinentit Afrikan është një shpend i Afrotropikut dhe Palearktikut dhe folezon në Evropën lindore dhe Azinë qendrore. Ndër të tjera PPNEA thekson se sipas të dhënave të deri tanishme, në vendin tonë ky është raportimi i parë për folezimin e skifterit këmbëkuq. ”Kjo fjetore është gjenduar në zonën e Lushnjës dhe është monitoruar për 3 ditë rresht nga grupi i punës. Një numër nga 15-17 individë të këtij lloji u vrojtuan rregullisht në këtë fjetore. Shpendët fillojnë të grumbullohen në zonën rreth fjetores gjatë orëve të para të muzgut dhe zënë vend të gjithë në fjetore në mbarim të muzgut.”

Skifteri Këmbëkuq, foto nga PPNEA

”Është me interes të madh që fjetorja të monitorohet në vazhdim, së paku deri në mesin e këtij muaji për të parë ndryshimin e numrave, si dhe në të njëjtën kohë të monitorohen edhe zona të tjera të vendit për gjetjen e fjetoreve të ngjashme, sikundër është zona e Luginës së Drinos etj.”

Ky lloj shpendi sipas PPNEA mbart statusin “Afër Kërcënimit”  në nivel global, për arsye se popullata globale e llojit dhe veçanërisht ajo Evropiane ka pësuar një rënie të ndjeshme që nga 1970.

Skifteri Këmbëkuq, foto nga PPNEA