Turi i komunizmit në Tiranë - Into Albania

Turi i komunizmit në Tiranë

Arkitektura e kryeqytetit u shënua në çdo etapë nga historia e qytetit, nga drejtuesit e shtetit apo ndikimet e përtej detit dhe jo pak nga ambicia e vetë arkitektëve të cilët lanë gjurmët e tyre në Tiranën e pas Luftës së Dytë Botërore. Sot Tirana përbën një qytet interesant social dhe historik. Gjurmët e të shkuarës janë ndalesa të mirëfillta që të mbajnë me shqisat ngritur në histori.  Një nga objektet më të njohura të arkitekturës së viteve të fundit të komunizmit ndodhet pikërisht përgjatë bulevardit kryesor.

1. Piramida                          

Ky destinacion i padiskutueshëm për çdo vizitor u projektua nga një grup arkitektësh më në zë të kohës për të qënë mauzoleumi i ish diktatorit Enver Hoxha. E gjithë struktura u ngrit brenda tre vitesh pavarësisht volumit të madh të punimeve. Deri në vitin 1991 shërbeu si muze i trashëgimisë së Hoxhës, ndërsa pas vitit 1991 u kthye në qendër kulturore. Ajo nuk ka formën e një piramide të mirëfilltë dhe nëse e sheh nga lart ka formën e shqiponjës dykrenare. Vitet e fundit godina pret rikonstruksionimin e saj, i cili do të gjallojë funksionet e saj arkitektonike në shërbim publik. Në krahët e Piramidës gjen me siguri adoleshentë që mëtojnë të ngjisin e zbresin këtë vend-simbol. Padiskutim në çdo kujtim të Tiranës gjen Piramidën e fiksuar në celuloid. (Për më tepër lexo artikullin tonë përkatës duke klikuar këtu)

Piramida  

Piramida, Tiranë, foto nga IntoAlbania

2. Vila e Enver Hoxhës

Zona e ish-Bllokut përbën një nga kuadratet më interesante dhe dinamike të Tiranës. Urbanistika e re dhe arkitektura e trashëguar ndërthurën, pas viteve ’90, historinë komuniste dhe çfarë erdhi pas asaj. Në kërthizë të këtij kuadrati është ndërtuar Vila e Enver Hoxhës. E rrethuar nga kangjella të lehtë metalikë dhe e shtrirë në një hapësirë të konsiderueshme toke, ajo dallohet lehtë. Enver Hoxha jetoi në këtë vilë deri në orët e fundit të jetës së tij, duke lënë pas kuriozitetin e përjetshëm për godinën ku organizohej dita e njeriut më të fuqishëm të Shqipërisë për më shumë se 4 dekada. Pjesa e vjetër e godinës, ndërtuar pas viteve ’60, imiton arkitekturën e viteve 30-të, ndërsa pjesa e re është një masiv i rëndë betoni, veshur me pllaka të bardha guri, që i ngjan shumë konstruksioneve gjysëm banesë, gjysëm fortifikatë. Shtëpia ka mbetur e paprekur, ashtu siç e ka lënë familja Hoxha kur u shpërngul. Zona ku ndodhet Vila e Enver Hoxhës ishte e ndaluar për qytetarët e thjeshtë, të cilët thuhet se kishin frikë edhe të kthenin kokën për ta parë nga larg.

Vila e Enver Hoxhës

Vila e Enver Hoxhës, Tiranë, foto nga IntoAlbania

3. Post Blloku

Duke ecur jo më shumë se 120 metra nga Vila e Enver Hoxhës drejt Bulevardit “Zogu I”, në krah të djathtë të rrugicës do të gjesh një instalacion të quajtur Memoriali “Post Blloku,” dëshmi e rezistencës njerëzore gjatë diktaturës në Shqipëri. Nuk mund të ndodhte ndryshe kur mëson se një nga bashkëautorët e memorialit është Fatos Lubonja, një publicist që provoi burgjet komuniste. Memoriali përkujton viktimat e regjimit komunist në Shqipëri. Instalacioni i ndërtuar në tri pjesë, që i lidh organika e mendimit artistik, përmban një fragment betoni prej murit të Berlinit, një bunker origjinal të komunizmit, i cili ruante hyrjen kryesore të ish-Bllokut, dhe disa shtylla të rreshkura nga vitet, që vijnë prej kampit famëkeq të Spaçit, ku mbaheshin të burgosur shumë kundërshtarë të regjimit komunist. (Për më tepër lexo artikullin tonë përkatës duke klikuar këtu)

Post Blloku

Memoriali Post Blloku, Tiranë, foto nga IntoAlbania

4. Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”

‘Shtëpia me gjethe’ përfaqëson përpjekjen e Shqipërisë për të ndërtuar  një raport sa më të vërtetë me të shkuarën e saj. Pasi fillimisht u ngrit për shërbime shëndetësore dhe u përdor nga “Gestapo” gjatë Luftës së Dytë Botërore, kjo godinë e mbuluar me bimë kacavjerrëse u kthye në qendër të ish-Sigurimit të Shtetit, nga ku zuri rrënjë përgjimi i sofistikuar i popullisë së kryeqytetit. Vendndodhja e godinës shumë pranë zyrave të Postës Qëndrore lehtësonte përgjimin e korrespondencës së shqiptarëve me njëri-tjetrin. Ndërtesa është lehtësisht e arritshme nga çdo pikë e Tiranës, pak metra larg Sheshit “Skënderbej”, përballë Katedrales Ortodokse. (Për më tepër lexo artikullin tonë përkatës duke klikuar këtu)

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”

Një prej ambienteve ekspozuese në Muzeun Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”, Tiranë, foto nga IntoAlbania

5. Bunk’art 1

Para viteve ’90, informacioni ishte luks për shumëkënd në Shqipëri. Ai mungonte në shumicën e kohës, por edhe kur ofrohej, ishte i kontrolluar për të mbajtur nën kontroll popullsisë. E këtij kategorizimi është mbajtja sekret e ndërtimit të bunkerit anti-bërthamor, inauguruar në vitin 1978 nga Enver Hoxha me një qëllim: mbrojtjen e zyrtarëve komunistë nga ndonjë sulm i mundshëm i ushtrive të huaja, sulm që nuk ndodhi kurrë.  Ky pallat i ndërtuar 5 kate nëntokë në hyrjen verilindore të Tiranës përfshin 106 dhoma dhe një sallë të madhe mbledhjesh. Disa nga dhomat u tregojnë vizitorëve aspekte të jetës së Hoxhës nëpërmjet fotove ndërsa të tjera kanë ruajtur mobilimin origjinal të kohës së diktaturës. Bunk’art1 është një nga destinacionet më interesante për turistët në ditët tona. (Për më tepër lexo artikullin tonë përkatës duke klikuar këtu)

Bunk'art 1

Bunk’art 1, Tiranë, foto nga IntoAlbania

6. Bunk’art 2

I njëjti lloj ndërtimi por me përmasa më të vogla është edhe bunkeri i vendosur pas Ministrisë së Brendshme. Nëpërmjet fotove e dokumenteve të kohës, aty tregohet marrëdhënia mes diktaturës dhe parimeve të saj ideologjike. Bunk’art 2 rindërton historinë e Ministrisë së Brendshme në Shqipëri gjatë periudhës 1912-1991 dhe zbulon sekretet e ish-Sigurimit, policisë sekrete që persekutoi ashpër kundërshtarët e rregjimit të Enver Hoxhës. Bunkeri ka 24 dhoma dhe një apartament të rezervuar për Ministrin e Brendshëm. Ky labirint i mirëllogaritur, i ndërtuar i gjithi në beton, kishte si synim të përballonte sulmet e mundshme kimike, të cilat nuk ndodhën kurrë. (Për më tepër lexo artikullin tonë përkatës duke klikuar këtu)

Bunk’art 2

Bunk’art 2, Tiranë, foto nga IntoAlbania

7. Pallatet Parafabrikate

Ajo çfarë ndesh rëndom ndërsa përshkon rrugët e kryeqytetit janë Pallatet Parafabrikate, simbole të një arkitekture që reflekton qartësisht tiparet e periudhës komuniste. Pallate të tilla të ndërtuara si kopje të njëra-tjetrës janë kopja e ndërtimeve të ngjashme të Evropës Lindore. Në hapësirën e sotme urbane Pallatet Parafabrikate, të shpërndara kryesisht jashtë unazës së vogël të qytetit, mbeten ansamble domethënese e ndikimit komunist mbi arkitekturë.

Pallatet Parafabrikate

Pallatet Parafabrikate, Tiranë, Source: wikimapia.org

8. Varrezat e Dëshmorëve dhe monumenti “Nëna Shqipëri”

Hyrja lindore e qytetit identifikohet fort nga një prej objekteve më të rëndësishëm të kujtesës kombëtare: Varrezat e Dëshmorëve dhe monumenti “Nëna Shqipëri.” Ndërtuar mbi një kodrinë, në këtë kompleks monumental prehen eshtrat e 900 partizanëve. Kompleksi monumental është i dukshëm për çdo udhëtar që vjen apo del nga Tirana. Monumenti prej betoni, 12 metra i lartë, përfaqëson Shqipërinë si një grua e cila në një dorë mban një kurorë me dafina dhe në tjetrën një yll të ngritur lart. Në piedestalin mbajtës prej 3 metrash të lartë janë gdhendur fjalët: “Lavdi e përjetshme dëshmorëve të Atdheut”. Në këto varreza u vendos edhe trupi i ish diktatorit Enver Hoxha, i cili u zhvendos në një nga varrezat publike të qytetit.pas rënies së rregjimit, në vitin 1992.

Monumenti “Nëna Shqipëri”

Monumenti “Nëna Shqipëri”, Tiranë, foto nga IntoAlbania

New & Trending

Choose a