Bunk’Art 1 - Into Albania

Bunk’Art 1

into culture

Bunk’Art 1

Turizëm Urban

Streha e paranojës së madhe

Shqipëria shquhet për numrin e pabesueshëm të bunkerëve – thuhet se ka nga 150 mijë në 700 mijë prej tyre – të shpërndarë në gjithë vendin. Për shumë vite, për shqiptarët, prezenca e bunkerëve ishte diçka mëse e zakonshme deri sa ata kuptuan se kjo mënyrë mbrojtjeje kundër një armiku që nuk erdhi kurrë ishte jo vetëm e veçantë por alarmante. Turistë apo gazetarë të huaj ende çuditen kur shohin buknerë përgjatë gjithë peizazhit të bukur shqiptar. Shpesh ata i krahasojnë këto objekte të panevojshme por të kudogjendura me kërpudhat që dalin pas shiut. Megjithatë, në Shqipëri edhe të vërtetat dalin si kërpudha pas shiut, njëra pas tjetrës. Në vitin 2014, me hapjen e Bunk’Art, shqiptarët zbuluan një pjesë tjetër të panjohur por të rëndësishme të historisë së paranoiës së madhe të udhëheqësit komunist Enver Hoxha. Bunk’Art është qendra, bunkeri më madhështor, vepra e fundit e Hoxhës të cilën nuk arriti ta përfundonte kurrë.

I përgatitur për të strehuar Hoxhën e qeverinë e tij në rast sulmi bërthamor, ky bunker antibërthamor nuk u përdor kurrë për funksionin e tij origjinal. Ndërtimi i tij filloi në vitin 1978, por me vdekjen e Hoxhës në 1985-ën, bunkeri mbeti pa hyrje e dalje. Pasi këto u ndërtuan në 2014-ën, ky bunker u kthye në muze historik e galeri arti. Në periferi të Tiranës, ai ndodhet pesë kate nën tokë dhe përfshin plot 106 dhoma brenda një hapësire prej 3000 m2. Në hyrje të pallatit të nëndheshëm, nis një tunel i gjatë e i lartë me ndriçim të zbehtë. Përmes ekspozitave historike, muzeale dhe instalacionit artistik njihet gjithë historia e komunizmit. Në këto hapësira shfaqet Shqipëria në periudhat e saj historike duke u nisur nga zbarkimi i italianëve në Shqipëri më ’39-ën, diplomacia e luftës në vitet ’41-’45, pushtimi gjerman dhe rezistenca shqiptare, dhe ajo që konsiderohet lufta për pushtet dhe çlirimi i Shqipërisë më ’43-’44, paslufta, e deri me vendosjen e përmbysjen e regjimit komunist në ’90-ën.

Ndër dhomat më interesante janë pa dyshim ato të Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, kryeministrit të kohës, dhoma e ndërlidhjes ushtarake, dhoma e oficerit, e shefit të shtabit, dhe ekspozita e telekomunikacionit. Këto dhoma ofrojnë një ndër rastet e para në vend për të parë se si Hoxha imagjinonte jetën paralele të tij e të qeverisë së tij. Salla e Kuvendit tashmë është e transformuar në sallë ku organizohen festivale të teatrit e muzikës. Ideator dhe kurator i këtij muzeu është botuesi italian Carlo Bolino, i cili punon në Shqipëri prej 20 vitesh, duke patur një kombinim të afrimitetit dhe distances së duhur për të krijuar një muze adapt për historinë që ai përmban. Bunkeri të jep idenë e një udhëtimi brenda mendjes së Hoxhës, e cila më në fund po merr një formë konkrete e po shfaq të vërtetat e një historie enigmatike 45-vjeçare.

Shënim: Nëse jeni të interesuar për të vazhduar turin e muzeve dedikuar komunizmit, mund të vizitoni artikullin për muzetë e Bunk’Art 2 dhe Muzeut ‘Shtëpia me Gjethe‘, dedikuar kujtesës së krimeve të së shkuarës.

Nga: IntoAlbania

  • Orari i vizitave Prill-Shtator, Çdo ditë 9:00-18:00 Tetor-Mars, E Mërkurë - E Diel 9:00-16:00
  • Adresa: Rruga "Fadil Deliu", Tirana Orientohu në hartë
  • Bileta e hyrjes: 500LEK
  • Kohëzgjatja e vizites: 1.5 orë
  • Website/Kontakt: http://www.bunkart.al/

Çfarë ofron Tirana

Të ngjashme

Të rejat

Zhvilluar nga Frakton & Dizenjuar nga project.graphics