Vizitë në Fshatin Bual - Një Natë në Shtëpinë Monument Kulture në Përmet - Into Albania

Vizitë në Fshatin Bual – Një Natë në Shtëpinë Monument Kulture në Përmet



Asgjë që këni parë deri më tani, nuk i përngjan bukurisë rreth e qark Përmetit.

Bëhuni gati për një dozë të fuqishme bukurie natyrore

Ndodh shpesh, kur ke marrë shumë sugjerime për të vizituar një vend të bukur, që pritshmëria vetvetiu ngrihet aq shumë, sa pasi mbërrin në atë vend, nuk të bën më përshtypje. Kjo ishte ndjesia që donim të evitonim në IntoAlbania kur vendosëm, pas rekomandimesh të shumta, të vizitonim fshatin Bual të Përmetit dhe më saktësisht, shtëpinë Monument Kulture të kategorisë së parë, Traditional Guesthouse Përmet.
Por nuk do të kursehemi me epitetet, metaforat dhe elozhet, sepse gjithçka do të shihni vetë, do të jetë më shumë nga sa mund t’ju tregojmë me fjalë.

Traditional Guesthouse, në Bual. Foto nga IntoAlbania

E gjithë rruga për të mbërritur atje, paraqet një pamje mbresëlënëse. Natyra e shtruar deri në kthesën e Urës së Leklit, në Tepelenë, ngjan si një frymëmarrje e qetë përgjatë një trampoline, për t’u hedhur më pas “me kokë” në peizazhin e thyer mes vargamaleve, Trebeshinë-Dhëmbel-Nemerçke, në ujërat e Vjosës që përkëdhelin butësisht e me rradhë këto male.

Ura e Leklit. Foto nga IntoAlbania

Bukuria shtohet nëse, në vend të një moti me Diell përvëlues, të rastis ta përshkosh këtë luginë mes malesh, në një gjysmë vranësirë, kur retë u qëndrojnë si kapelë mbi sy ketyre maleve, që ngjajnë si zotërinj sëre.
Sa më thellë mes vargmaleve futesh, sa më i përqëndruar oksigjeni në ajër, aq më e bukur bëhet natyra, e aq më shumë fryma të mbahet nga bukuria.

“Përveç detit, kemi gjithçka tjetër”, Përmeti

Me t’iu afruar Përmetit, ndalojmë për të pyetur e për t’u siguruar që jemi në drejtimin e duhur. Ndalesat kthehen menjëherë në bashkëbisedime kënaqësie me qytetarët e Përmetit.
Në hyrje të këtij qyteti, na bën përshtypje fraza e mirëseardhjes, shpalosur në gërma të mëdha, ku modestisht shkruhet: “Përveç detit, kemi gjithçka tjetër”. Në kthim, na u duk fraza publicitare me vërtetësinë më të lartë në historinë e reklamimit.

Përmet, foto nga intoAlbania.

Ja ku jemi, 5 kilometra larg nga Buali, që duket nga makina si i vendosur me dorë në mes të malit. Ky segment i fundit është i pa asfaltuar, me gurë të vegjël, por që nuk përbëjnë problem për makinën. Ose të paktën kështu na u duk, e ndoshta sepse i kishim sytë të mbushur me bukuri dhe shpirtin kurjoz për të zbuluar, e për mos të na bërë përshtypje. Duhet vetëm të ecësh drejt, derisa rruga të mbarojë e të mos kesh më mundësi të bësh përpara me makinë.

Objektet e Kultit

Lidhja shpirtërore e banorëve të fshatit Bual me Zotin dhe objektet e kultit, është e dallueshme nga prania e shumtë e objekteve të kultit fetar, në një sipërfaqe të vogël. Rrëzë fshatit, pa nisur ngjitjen, fle e qetë Kisha e Shën Iliasit. Më vonë, nga të zotët e bujtinës do të mësonim që ajo ishte vërtet e lashtë. Edhe pse nuk dihet saktësisht data, për nga struktura mund të thuhet se i përket periudhës midis shekujve 13-14. Një tjetër kishë, pak më e vogël, i ka rezistuar kohës falë kujdesit të banorëve. Matanë Vjosës, përballë Bualit, në fshatin Alipostivan, shfaqet Teqeja bektashiane e Baba Aliut. Njēsoj përballë, në fshatin Kosinë, ndodhet një tjetër kishë e periudhês së shek. 12-13, ajo e Shën Mërisë.

Jemi në Traditional Guesthouse Përmet

Tani po, mund t’i përkushtohemi shtëpisë 120 vjeçare, monument kulture i kategorisë së parë të cilën Kristaqi dhe Flora, burrë e grua, arritën ta shpëtonin nga shkatërrimi dhe prej dy vjetësh, presin e përcjellin vizitorë nga e gjithë bota.

Traditional Guesthouse, Monument Kulture. Foto nga IntoAlbania.

Kur hyn në oborr dhe takohesh me ta, ke përshtypjen që ke qënë aty më parë dhe po rikthehesh te miqtë. Flora na prezanton me ambientet e shtëpisë: tri dhomat për miqtë, natyrën rreth e qark, e më pas shkon të përgatisë kafenë dhe pjatën me gliko arre.
Kristaqi, Kiço siç do ta thërrisnim pas pak, na njeh me historikun e fshatit.
Burrë e grua janë mësuar me kuriozitetin e gazetarëve që kur vendosën të lënë qytetin për t’u zhvendosur në fshat. Ky migrim në kah të kundërt kishte lëshuar ekon deri te gazetarët italianë të Rai-t të cilët kishin vrapuar për një dokumentar te Kiço.

Pas shkëmbimeve të para, na sugjerojnë të bëjmë një ecje të shkurtër te “burimi i italianit”, një ndërtim primitiv i periudhës së luftës, për vullnet të një ushtari italian. Vendi është strategjik për të përfshirë në një vështrim, gjithë luginën e Vjosës, fshatrat përballë, deri në grykën e Këlcyrës.

Shëtitja zgjat mjaftueshëm sa në kthim, të gjejmë të shtruar, nën degën e manit, tavolinën me darkën e gatuar nga duart e Florës, verën e kuqe dhe rakinë e zonës.

Pamja që të shtrihet përpara, me hënën në qiell, është një moment shpërblimi, ku merr kuptim e gjithë dita.
Një kënaqësi të tillë mund ta konkurrojë vetëm një gjë: një mëngjes i shijshëm, po nga duart e Florës, me Diellin në agim dhe premtimin ndaj vetes, që shumë shpejt do të rikthehesh.

New & Trending

Choose a