Zbulimi Arkeologjik - Dalin në Dritë Varrezat Tumulare në Himarë - Into Albania

Zbulimi Arkeologjik – Dalin në Dritë Varrezat Tumulare në Himarë

Vijojnë zbulimet arkeologjike në Shqipëri dhe kësaj rradhe vëmendja shkon në Himarë. Bëhet fjalë për varreza tumulare të periudhës së bronzit të vonë, shekulli XV-XII p.Kr.

Zbulimi është bërë nga një germim arkeologjik shpëtimi i realizuar, nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore të Vlorës dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti ndërsa ka publikuar dhe foto nga punimet për këtë zbulim arkeologjik, shprehet se ‘është i rëndësishëm për datimin e vendbanimit, në qytetin e Himarës. Varreza u zbulua fillimisht në vitin 2018, në shtratin e përroit të Korramit, në verilindje të qytetit të Himarës. Varret e dala në sipërfaqe kërcënoheshin të dëmtoheshin nga rrjedha e përroit dhe nga ndërhyrjet klandestine, për këtë arsye, në pranverën e vitit 2018, me qëllim dokumentimin e varrezës dhe shpëtimin e materialit arkeologjik, u krye faza e parë e gërmimit arkeologjik të shpëtimit, gjatë së cilës u zbulua një tumë e periudhës së Bronzit të Vonë (shek. XV-XII p.Kr) dhe disa varre ciste,” shprehet ministrja Elva Margariti.

Sigurisht që punimet nuk mbaruan këtu, ato kaluan në një fazë të dytë dhe në fund të muajit qershor të vitit 2020 u realizua dhe shpëtimi i gërmimit arkeologjik.

Ky zbulim është i një rëndësie të veçantë, pasi është i pari sit arkeologjik i këtij lloji që zbulohet në bregdetin e Himarës, duke i’a shtuar Hartës Arkeologjike të Shqipërisë edhe një zonë tjetër me varreza tumulare.

Ministrja Margariti bën me dije se do të jetë Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ai që do të vendosë mbi punën, që do të vijojë më tej për këtë zbulim me rëndësi në fushën e arkeologjisë. 

New & Trending

Choose a