Ujërat Termale, Thesaret e Çmuara të Shqipërisë - Into Albania

Ujërat Termale, Thesaret e Çmuara të Shqipërisë

Pavarësisht se një vend i vogël, Shqipëria është një thesar në aspektin e pasurive turistike. Trevat tona janë të përshtatshme për zhvillimin e veprimtarive të shumëllojshme, ndër të cilat përmendim edhe turizmin kurativ të banjave termale. Në Shqipëri numërojmë rreth katër të tilla të shpërndara sa në veri dhe në jug të vendit të cilat ofrojnë dhe akomodim. Të hapura në natyrë apo jo, burimet të tilla natyrale të pasura me veti të panumërta shëruese për çdo sëmundje, i gjeni në Elbasan, Përmet, Leskovik dhe Dibër.

 1. Banjat termale të Elbasanit

Shprehja latine “mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë” (mens sana in corpore sano), mund të përshatet shumë mirë me ekzistencën e ujërave termale. Dhe njerëzit që frekuentojnë llixhat e Elbasanit e dinë shumë mirë këtë gjë! Të pozicionuara pak kilometra larg qytetit, konkretisht në fshatin Tragan, këto ujëra termale janë ndër më të njohurat në vend. Ato njihen për veprimtarinë e tyre që nga koha e periudhës romake dhe janë të pasura me ujëra sulfurore.

Të ngritura në një qendër, uji termal i këtij burimi krijohet nga bashkimi i hidrogjenit me oksigjenin dhe lëndëve të tjera kimike në 13000 m thellësi të kores së tokës dhe del në sipërfaqe i shtyrë nga presioni i gazeve rreth 100 vjet pasi është krijuar. Këto ujëra termale njihen për trajtimin e sëmundjeve të shumta të rrugëve të frymëmarrjes, sistemit nervor, të lëkurës, stomakut, për reumatizimin etj.

2. Banjat e hapura të Bënjës, Përmet

Të pozicionuara rreth 22 min larg Përmetit, Banjat e Bënjës janë jo vetëm një ndër atraksionet turistike, por edhe kuruese. Të vizitueshme në çdo stinë, ato konsiderohen një fenomen i rrallë natyror, të cilat janë shfrytëzuar që para 400-500 vjetësh.  E pasur me ujëra me bazë sulfurore kanë efekte shumë të larta kuruese. Në vaskat prej guri të hapura në natyrë, mund të laheni një herë në ditë dhe këshillohet të qëndroni rreth 20-25 minuta. Uji i vaskave të Bënjës ka një temperaturë deri në 30 gradë celcius në çdo ditë të vitit. Gjashtë burimet termale të saj kanë ndihmuar qindra njerëz që kërkojnë shpëtim për shqetësimet reumatizmale, apo edhe për sëmundje e lëkurës dhe të veshkave. Kush i ka vizituar këto banjo termale e ka marrë me vete shpërblimin e nevojshëm!

3. Llixhat e Peshkopisë

Zona e Dibrës njihet për burimet e shumta natyrore. Të pozicionuara rreth 1 km larg qytetit të Peshkopisë, këto llixha burojnë nga formacionet e gipseve të malit të Korabit. Të pasura me burime sulfurore ato arrijnë deri në temperaturën 43 gradë celcius dhe ndihmojnë në shërimin e disa sëmundjeve.

4. Ujërat termale të Leskovikut


Këto burime gjenden 10 kilometra në jug të qytetit të vogël të Leskovikut dhe njihen ndryshe si burimet e Vronomeros. Ndoshta jo shumë të njohura këto ujëra termale janë të pasur me kripëra të ndryshme që ndihmojnë në trajtimin e disa sëmundjeve. Temperatura e këtyre ujërave varion nga 29 deri në 40 gradë celcius dhe konsiderohet një pasuri e çmuar jo vetëm e zonës së Leskovikut, por edhe e Shqipërisë.

Ujërat termale të Leskovikut. Foto nga: facebook Leskovik Albania

New & Trending

Choose a