Agroturizëm Devin - Shijoni mbi 30 Ushqime Autentike - Into Albania

Agroturizëm Devin – Shijoni mbi 30 Ushqime Autentike

Nëse jeni në kërkim të gjelbërimit, eksplorimit apo edhe të eksperiencave unike, ato do t’i gjeni gjithmonë larg qendrave të banimit. Në mesin e natyrës, ajrit të pastër, qetësisë dhe mikpritjes tipike vendase, Agroturizëm Devin të fton në një udhëtim unik, me peizazhe mahnitëse e mundësi eksplorimi.

E pozicionuar në Qerret të Pukës, Marije Shkjau, e zonja e bujtinës do ju bëjë pjesë të një sërë eksperiencash, dhe do t’ju prezantojë zonën në një tjetër dimension.

Në një bujtinë tipike familjare, ju mund të bëhëni pjesë e vjeljes së frutave e perimeve të stinës, ecjes në natyrë, kalërimit apo edhe çiklizmit. Është vendi perfekt ku mund të gjeni veten, për të kaluar një fundjavë ndryshe. Dhe nëse doni të mësoni hapat e para të qëndisjes, gratë e Qerretit do t’ju tregojnë sekretet e një tradite të vjetër shqiptare të punimit me grep dhe me fije leshi.

Kjo bujtinë do ju njohë me natyrën e mrekullueshme të zonës, pasi është  vendi që shërben si pikënisje për në destinacione të tjera fantastike si Shpella e Kaurrit, rrugëtim që të nxjerr deri tek lumi i Shalës dhe Valbonë

Ndër vizitat e tjera përmendim Kalanë e Dalmatës, Ujvarën e Kryezit, Pyllin e Gështenjës në Pukë, si edhe Majat e fshatit Qerret dhe Dush,

Dhe mbasi të keni mbaruar vizitën në natyrë mund të shijoni mbi 30 produktet artizanale të kultivuara dhe përpunuara në vend nga Marija dhe “Grupi i Grave Qerret.”

Marija Shkjau, një mësuese dhe agronome në profesion prej mëse një viti menaxhon bujtinën Devin, duke qenë shembulli i një gruaje që hap horizonte të reja për gratë e tjera në Shqipëri. Sëbashku me 5 vajzat dhe Rizain, bashkëshortin e saj, do ju bëjnë që të njiheni me shijën e vërtetë të jetës në fshat.

E pozicionuar vetëm 7.5 km larg qytetit të Pukës vizita në këtë bujtinë është një eksperiencë ndryshe.

Përveç mikpritjes tradicionale pukjane, shijimit të lëngjeve të frutave direkt nga ferma, ju do të bëheni pjesë edhe të mësimit të recetave tradicionale të zonës.

Ndër recetat e gatuara me mjeshtëri, do të gjeni çervish me pulë, fli, qull me mazë, leqenik si edhe petulla me rreçel të prodhuara në shtëpi, për t’ua bërë ditët tuaja të pushimit, edhe më të shijshme.

Dhe për t’i shtuar më lezet qëndrimit tuaj në këtë bujtinë, netët do të jenë të qeta e shplodhëse në ambjentet komode të bujtinës Devin.

Me miq apo me familje koha do të kalojë si pa e kuptuar, duke iu lënë gjithmonë atë dëshirën për t’u kthyer përsëri.

New & Trending

Choose a