Vaj Ulliri Musai: Zbuloni një nga produktet më cilësore shqiptare - Into Albania

Vaj Ulliri Musai: Zbuloni një nga produktet më cilësore shqiptare

Nëse jeni duke shkuar në Vlorë, duke ndjekur daljen e Novoselës, do të mund të vizitoni fabrikën e vajit të ullirit “Musai”, një prej prodhuesve më të njohur të vajit të ullirit në Shqipëri. Tashmë fabrika është e hapur dhe për turistët që duan të njihen me fazat e prodhimit të kësaj marke të njohur.

Ullishtet që menaxhohen nga fabrika e vajit të ullirit “Musai” krijojnë një tunel hijeje, ku vizitori ftohet të shëtisë e të admirojë pemën e jetës. Këto pemë kanë këtu sa nuk mbahet mend, e janë një nga shumë arsyet se përse vaji organik i cilësisë së lartë “Musai” është një markë garancie e industrisë ushqimore shqiptare. Fabrika ofron tashmë ture për turistët që duan të njihen me produktet e “Musait”, e rrugëtimi ynë sapo ka nisur.

Ullishtet në menaxhim nga “Musai”, foto nga IntoAlbania.

Fabrika, foto nga IntoAlbania.

Si realizohet vaji i ullirit?

Si krijohet vaji i ullirit? Cila është rruga që përshkon ulliri nga pemët shekullore, deri tek tryezat tona? Tek “Musai” kemi mundësinë të njihemi me të gjithë procesin e realizimit të vajit të ullirit ekstra të virgjër si dhe vajit bio/organik. Në shëtitjen tonë, shoqërohemi nga Vesaf Musai, pronari i kompanisë, dhe djali i tij Bruno, që pasi kreu studimet për teknologji ushqimore, iu bashkua biznesit të familjes.

Brenda fabrikës, foto nga IntoAlbania.

Turin e nisim me Brunon tek koshi i ullinjve, aty ku vendosen ullinjtë e mbledhur me kujdes, për t’u përpunuar. Pasi lahen me ujë të kontrolluar që është njëherësh dhe i pijshëm, ullinjtë përpunohen megjithë bërthamë, pasi ajo shtypet dhe nuk ndikon në cilësinë e vajit. Me të mbaruar procesi i homogjenizimit të pastës, produkti kalon në procesin e centrifugës, duke u ndarë në dekanter vaji i përftuar nga uji i përdorur. Mandej, vaji konservohet në kushtet më optimale, përmes një dhome me izolim perfekt.

Dhoma e izolimit dhe ruajtjes së vajit, foto nga IntoAlbania.

Produktet e fabrikës, foto nga IntoAlbania.

Historia e Musait

Fabrika “Musai” nuk mund të njihet si duhet pa një bisedë të gjatë me Vesafin, themeluesin e saj. Në Shqipërinë e viteve ’90, kur tranzicioni luante keq gurët e shahut në shoqërinë shqiptare, Vesafi shfaqi vullnetin e duhur, për t’iu dedikuar një biznesi që mbarte njëmijë e një vështirësi. Me tipare tipike mesdhetare, me sqimë e krenar për emrin e “Musait”, ai flet plot energji e pasion për historinë e kompanisë së tij, që ka hyrë në treg prej 25 vitesh.

Vesaf Musai, foto nga IntoAlbania.

“Sedra ka lindur me mua,”- thotë ai, i bindur se me përkushtimin maksimal që vendoste përherë në gjërat që bënte, rezultatet do të vinin. E në fakt nuk vonuan. Në vitin 2004 mori çertifikatën për të prodhuar vajin organik, që është dhe produkti simbol tashmë i “Musait”, përmes të cilit ka fituar plot çmime ndërkombëtare për cilësinë e lartë. Vaji bio/organik dallon nga ai ekstra i virgjër pasi nuk ka asnjë kontaminim të jashtëm. “Musai” numëron plot 3500 rrënjë ulliri të çertifikuara për prodhimin e vajit bio/organik.

Numrat e suksesit flasin vetë. Janë 6 mijë litra vaj organik e 12 mijë litra vaj ekstra i virgjër që shkojnë në tryezat e familjave kudo në botë, që nga Zvicra në New York apo Hong Kong. Kjo markë është kthyer në një nga ambasadorët më të rëndësishëm të produkteve cilësore shqiptare që eksportohen jashtë Shqipërisë, e jo më kot turistët duan të njihen më nga afër me fabrikën.

Disa nga produktet e Musait, foto nga IntoAlbania.

Bruno Musai, foto nga IntoAlbania.

Ullinjtë e “Musait”

Gjithë këto vite eksperiencë kanë bërë që Vesafi të njohë mirë tokën shqiptare, e të ketë një sy të mprehtë për të dalluar terrenin ku mund të kultivohet më së miri variteti autokton i kalinjotit. Ky varietet është i pasur në polifenol, antioksidantin që i jep vajit të ullirit jetëgjatësi e vlera ushqyese. “Musai” e vjel atë në kodrat e Skrofotinës, Trevllazërit dhe Cerkovinës në Vlorë. Jodi i detit përhapet në kodrat e ullishteve që ngrohen gjithë vitin nga dielli, duke ndihmuar në cilësinë e ullirit që rritet në këtë zonë.

Ullishtet pranë fabrikës, foto nga IntoAlbania.

Vaji i ullirit “Musai”, foto nga IntoAlbania.

Tek sa Vesafi na flet për ullinjtë, vërejmë me kujdes foljet e përdorura, që janë sikur të ishte duke folur për një frymor. “Ka shumë rëndësi ku fle ulliri, e si përmbushen kushtet e vjeljes. Njëherë e një kohë pemën e godisnin që t’i binin kokrrat, ndërkohë që ashtu rrëzoheshin sythat. A mund të goditet pema? Është si të godasësh në këmbë dikë e të presësh që të punojë më mirë pas goditjes.”

Ullishtet në menaxhim nga “Musai”, foto nga IntoAlbania.

Periudha më e mirë për të mbledhur ullirin është fillim tetori, kur është jeshil e fiton pak larosje. Fermerët gjithashtu vijnë tek “Musai” për të përpunuar ullirin e tyre, duke bërë që kompania të përpunojë 300 ton vaj ulliri në vit në total. Normat e vajit të ullirit që prodhohet këtu shkojnë deri në 4 herë më mirë nga ato të lejuarat nga Bashkimi Evropian.

Shëtitje me Musajtë

Pasi mbarojmë të gjithë njohjen me fabrikën, Vesafi dhe Bruno na njohin dhe me tokat e tjera që ndodhen pranë fabrikës, ku shohim se si po kultivohet rrushi pa farë.

Vesaf Musai, foto nga IntoAlbania.

Vreshtat e familjes, foto nga IntoAlbania.

Që nga degustimi i vajit të ullirit, deri tek vjelja e rrushit pa farë e konsumimi aty për aty në tryezat e vendosura anës vreshtave, Vesafi dhe Bruno janë plot me ide për ta kthyer “Musain” në një pikë mjaft popullore  mes vizitorëve të Vlorës. Kushdo që familjarizohet pak me energjinë dhe vrullin që rrjedh në adn-në e Musajve, nuk e vë në dyshim se edhe kjo ambicie do të përmbushet me sukses.

Explore More