Radio Bar - Into Albania

Radio Bar

Rrugëtimi i barit që transformoi jetën e natës në Tiranë

Me makinën e shkrimit Olympia të vendosur në hyrje të barit, një nga shumë klientët e Radio Bar shkruan komentin e tij: “Veni, vedi, vici”. Është pikërisht ky lokali i natës që ka qënë kaq i rëndësishëm dhe popullor përgjatë historisë së tij, sa nuk di të thuash më nëse i parapriu Radio jetës së natës së Tiranës, apo ndodhi e kundërta.

Foto nga: Radio.

Fillesa dhe identiteti

Radio hapi dyert 10 vite më parë në zemër të ish-Bllokut. Tre shtyllat ku bazohej lokali ishin ato që bënin dhe diferencën: muzikë cilësore, atmosferë autentike, koktejle të mira. “E shihja se njerëzit donin diçka më shumë, pasi në lokalet e natës të Tiranës asokohe pihej vetëm shqeto apo vodka red bull. Kishte shumë pak kreativitet,” – na thotë Redi Panariti, pronari i lokalit, njëherësh një nga barman-ët më të njohur të kryeqytetit.

Radio u konceptua që në fillim si një vend që do të duhej të kishte stil, me një arredim plot ngjyra, që të kujtonin kopështin, larg zymtësisë apo gri-së që asokohe përcillej në Tiranë. Të kishte koktejle për këdo, edhe më të pavendosurin, që këtu do të duhej të gjente pijen e tij.

Foto nga: Radio.

Mbi të gjitha të reflektonte disa vlera të caktuara që duhet të ketë çdo bar që transformon identitetin urban të një qyteti: liri e pakufi e të komunikuarit të vetes, të ideve, të mendimeve. Me këtë qasje, nuk vonoi dhe të rinjtë e Tiranës, e mandej të të gjithë botës, nisën të vinin këtu gjithnjë e më të shumtë.

Foto nga: Radio.

Objektet

Ndër gjërat e para që të bën përshtypje sapo hyn, janë qindra objekte të së shkuarës shqiptare, veçanërisht të shekullit të XX, ku spikasin mobiljet apo posterat e filmave të vjetër të Kinostudios. Radio-ja që njohim sot nuk do të ishte e njëjta pa objektet e shumta të komunikimit që gjenden aty, si radiot nostalgjike, telefonat, apo makinat e shkrimit.

Foto nga: Radio.

Cocktails

Duke folur me Redin, ai ndalet dhe tek “libri i jetës” së tij, siç e quan ndryshe menunë e Radios. “Është gjithë puna e një jete,” – na thotë me krenari, tek sa ndalet tek historia e disa prej pijeve të krijuara apo propozuara më së pari në Tiranë prej tij.

Tek menuja gjenden dhe koktejle shqiptare, që bëjnë namin mes turistëve. Kështu, mund të shijohet një konjakito, një pije me përbërës si mojito, me diferencën që në vend të rum-it ka konjak të maturuar “Skënderbeu”, apo rakberry, një version shqiptar i capirosca-s, ku në vend të vodkës, hidhet raki manaferre e maturuar në dru lisi.

Foto nga: Radio.

Evoluimi

Por dhjetë vite janë vërtet shumë për një lokal. Si ja ka dalë Radio të mbetet përherë pikë referimi e Tiranës? “Evolojmë përherë që të mbetemi të njëjtët,” – thotë Redi. Janë shtuar shumë netët live, e janë futur dhe koncepte interesante për jetën e natës, si “Barman/Barwoman për një natë”, ku çdokush që është i interesuar për të provuar jetën si duket mbas banakut, mund ta provojë.

Foto nga: Radio.

Menuja vazhdon shtohet përherë me shije dhe eksperimente të reja. Posterat, revistat, telefonat e vjetër e shumë objekte të tjera arreduese interesante vazhdojnë shtohen përditë, duke pasuruar fondin e lokalit. Qelqurinat e Radios, falë një klienti besnik, u bënë pjesë dhe e një serie pullash postare, të cilat tashmë varen dhe në një nga muret e lokalit.

Netët live

Së fundmi, Radio ofron për klientët e saj dhe plot evente me muzikë live, apo netë nën muzikën e disa prej dj-ve më origjinalë të Tiranës. Nëse doni të kaloni një kohë cilësore, e të socializoheni lehtësisht, vizitoni Radion, e bëhuni pjesë e historisë të së djeshmes, së sotmes dhe me gjasë dhe të nesërmes së jetës së natës në Tiranë.

Foto nga: Radio.

    Rruga Ismail Qemali, P.29, Ap.1 Get Directions

Explore More