“Luga e Argjendtë” - Dashuri me Shijim të Parë - Into Albania

“Luga e Argjendtë” – Dashuri me Shijim të Parë

Nëse ke qënë të paktën një herë për të ngrënë mëngjesin te “Luga e Argjendtë”, atëherë ka shumë gjasa që edhe ti të jesh magjepsur nga shumëllojshmëria e zgjedhjeve dhe shija e përsosur e të gjitha alternativave që ky vend ofron për mëngjes, qoftë ai i bollshëm e plot kalori, qoftë i lehtë dhe delikat.

Bukëvale. Foto nga IntoAlbania.

Nëse vetëm një herë ke shijuar një pjatë Bukëvale siç ta bënte gjyshja në fëmijëri, atëherë të gjitha gjasat janë që edhe ti, mezi pret fundjavën, që një diell i dashur të mbështjellë kryeqytetin dhe ti të ngrihesh, e gati nëpër gjumë, këmbët të të çojnë vetë drejt vendit të mrekullisë.

Gjatë rrugës për te Kalaja e Tiranës, mendja të punon vetëm te menuja e mëngjesit, për të kuptuar brenda vetes nëse do të doje një mëngjes të kripur apo të ëmbël, një shije tradicionale apo diçka që e ke shijuar diku nëpër botë. Gati-gati, do të doje që, me një të cakërritur të lugës në pjatë, të mblidhje në një nga tavolinat e gjata të drurit, të gjithë miqtë e tu, sepse ke dëshirë që edhe ata të provojnë të njëjtën kënaqësi.

Kos ose kefir me ftuta të thata, fruta të stinës dhe fara të ndryshme.
Foto nga IntoAlbania.

Paraqitja e secilës pjatë plotëson amanetin e moçëm të gjyshes: “duhet të ta hajë syri në fillim, e pastaj goja”.

Ka mëngjese që do të mjaftoheshe me një tas kos, të qëndisur me fruta të freskëta sipas stinës, e fruta të thata vendi. Por mund edhe ta zëvendësosh kosin me kefir, duke ia ruajtur sipërfaqen.

Por nëse të ka vajtur mendja për petulla sepse asnjëherë nuk i qëllon dot kur i provon në shtëpi, nuk ke pse e mendo dy herë. Këtu gjen petullat më pa vaj që ke provuar ndonjëherë, të rrumbullakosura në mënyrë të përsosur, njëherësh të buta dhe kërce. Dhurata nuk na e thotë recetën magjike, por na zbulon që bëhen me miell fshati.

Petulla me mjaltë. Foto nga IntoAlbania.

Për të mbetur të brumërat, këtu do të gjeni Waffels-at me më shumë fantazi që keni provuar ndonjëherë. Të butë dhe të shkrifët, me shije çokollate, panxhari të kuq apo spinaqi e sigurt është që asnjëherë nuk do të jenë monotone.

Më shumë rreth menusë

Mëngjesi është vakt i rëndësishëm dhe shpesh, popuj të ndryshëm e kanë konsideruar si gjeneratorin e energjisë për të përballuar ditën apo të ftohtin. Në një rast të tillë, hyn në lojë propozimi më i fundit i “Lugës së Argjendtë” që sugjeron një version të rivizituar dhe më të lehtë të “Paçes” tradicionale. Dhurata Thanasi, mendja dhe duararta në kuzhinë, e ka përsosur sipas mënyrës së saj. Ajo ka zgjedhur të përdorë vetëm mishin e faqes, duke e bërë këtë recetë më të lehtë.

Paçe koke shoqëruar me oriz pilaf. Foto nga IntoAlbania.

Ideale edhe për rastet kur miqtë e huaj kanë ardhur për vizitë dhe të kërkojnë një mëngjes “alla shqiptar”. Paçja mund të porositet edhe në vaktin e drekës.

Nga shijet e fëmijërisë, krahas Bukëvales që mund të zëvendësojë fare mirë mueslit (shoqëruar me qumësht ose çaj, sipas dëshirës), këtu do të rigjeni edhe Paparen dhe Trahananë në të dyja shijet: atë të kuqe me domate, speca dhe cingaridhe dhe atë të bardhë të ëmbël.

Vezët janë gjithmonë një opsion i mirë kur nuk ke dëshirë fare të mendohesh dhe këtu janë të freskëta dhe aspak të mërzitshme. Vijnë në formën e një omleti “jastëk”, mbushur me sallam të tymosur dhe djathë nga zona e veriut të Shqipërisë, rrethuar me perime të stinës dhe djathë të freskët.

Nëse ende nuk ke shijuar diçka nga kjo larmi zgjedhjesh të “Lugës”, ke ende mundësinë të befasoshesh për herë të parë me një eksperiencë unike që do të të mbetet në mendje të paktën deri sa të kesh provuar të gjithë menunë e mëngjesit.

“Luga e Argjendtë”, është një vend i dashur dhe i veçantë sidomos falë punës dhe përkushtimit të palodhur të sipërmarrëses së këtij aktiviteti që nisi shumë vite më parë, njëherësh me droje por edhe guxim, në një ambient shumë të vogël në një rrugicë të Tiranës. Sot ai është një pikë referimi për kryeqytetasit, turistët vendas dhe të huaj por edhe shumë prodhues vendas që duke bashkëpunuar me Dhuratën, kanë arritur të gjejnë një treg sado të vogël për produktet e tyre.

Ndaj në IntoAlbania na pëlqen ta thërrasim restorantin “Luga e Argjendtë”, “xhepi sekreti i Kalasë së Tiranës”: i padukshëm në pamje të parë, por nga i cili dalin si me magji, shije të mrekullueshme.

Dhurata Thanasi, sipërmarrësja e “Luga e Argjendtë”.

New & Trending

Choose a