Misteret e Xhubletës - Veshja që Kërkon të Flasë - Into Albania

Misteret e Xhubletës – Veshja që Kërkon të Flasë

Për shekuj me radhë komunitetet i kanë përdorur veshjet si një mjet për të treguar statusin, por edhe si shenjë e identitetit dhe kulturës që përfaqësojnë.

I gjithë evoluimi i veshjeve, është i lidhur ngushtë me historinë e zhvillimit të një vendi. E tillë është edhe xhubleta, simbol i vetë Nënës Shqipëri në përfytyrimin artistik. Kjo veshje është specifike për kulturën e vendit tonë dhe sot e kësaj dite konsiderohet si një nga kostumet monumentale dhe vijimësi e veshjeve më të lashta të botës mesdhetare.

Pjesë nga koleksioni i xhubletave të Luljeta Danos

Koleksioni i Qendrës Antropologjike XHUBLETA

Prej pesëmbëdhjetë vitesh, shkrimtarja Luljeta Dano koleksionon, konservon dhe promovon këtë thesar të popullit shqiptar, këtë veshje të grave në veriun e Shqipërisë në Qendrën Antropologjike XHUBLETA. Ky koleksioni ka në inventarin e vet mbi shtatëqind elementë, si: trupin e xhubletës me këmbanën e fundit dhe shpinoren, çorapet, përparëset e qëndisura, brezat, grykashkat, sete të stolive të saj, mjete të prodhimit të xhubletës, etj. Xhubleta më e vjetër e këtij koleksioni të njohur është një xhubletë e ngushtë e brigjeve të Drinit, e quajtur Xhubleta Pultake. Luljeta tregon se është një xhubletë aq e ronitur nga koha, shajaku i trashë është holluar e zverdhur shumë dhe është e qëndisur me simbole arkaike.

Në Institucionin e Xhubletës, një vlerë të përveçme ka sistemi simbolik i ornamentikës së përdorur në dekorimin e tyre, Luljeta Dano i quan tekste native që kanë nevojë të deshifrohen. Por edhe seti i stolive të xhubletës është mbresëlënës dhe mbart atribute kultike që vijnë nga kulturat e lashta. Prej shumë vitesh Luljeta Dano nëpërmjet ekspozitave të xhubletave, publikimeve të hulumtimeve etnografike, skenarë filmi dokumentar mbi temat etnologjike, ekspozita brenda dhe jashtë vendit, etj. po lobon që këtë thesar të kombit tonë të futet së bashku me Eposin e Kreshnikëve, si veshje e mjedisit të Eposit të Veriut, (së bashku me atë të burrave), të përfshihet, si një ndër pasuritë kulturore botërore që mbron UNESCO.

Xhubletat e Malsisë. Foto nga IntoAlbania

Historiku i Xhubletës

Xhubleta vjen si tipologji e veshjes mijëravjeçare të Pellgut të Mesdheut, me origjinë nga kultura kreto – mikenase. Dëshmitë më të vjetra për  xhubletën shqiptare datojnë në shek. XVII. Harta gjeografike e xhubletave është në veriun e Shqipërisë, Kelmend, brigjet e Drinit, në Lekbibaj të Tropojës, në pjesën e Malësisë Shqiptare në Malin e Zi, si edhe në Rrafshin e Dukagjinit në Kosovë.

Pjesë nga koleksioni i xhubletave të Luljeta Danos
Pjesë nga koleksioni i xhubletave të Luljeta Danos

Tradita e kërkonte që xhubletat të prodhoheshin në shtëpi nga vajzat e fejuara në prag martese, madje në përfundim bënin garë mes tyre, kush e kishte realizuar më mirë atë. Ajo vajzë, xhubleta e së cilës qëndronte në këmbë si skulpturë, ishte absolutisht më e përkryera. Xhubletat që nuset merrnin me vete në pajë ishin: Xhubleta e martesës dhe e vitit të parë të nusërisë, e cila ruhej mëpastaj për ditën e vdekjes, xhubleta të tjera të kategorizuara për të përditshmen dhe për ditët e meshës në kishë, apo daljet e tjera publike. Luljeta rrëfen se në udhëtimet e saj në shtëpitë malësore ka parë që në arkat e veshjeve të grave edhe sot mund të numërosh nga tre gjer në nëntë të tilla.

Për IntoAlbania, Luljeta shprehet se, në vitet ’70 – të, xhubleta përfundoi dhe ciklin e saj, kur gratë malësore nuk e veshën më, sepse prodhimi kishte stopuar kohë më parë, që nga viti 1950. Me rikthimin e traditës së Logut të Bjeshkëve, vajzat i veshin ato në konkursin e bukurisë dhe përdorin kryesisht xhubletat e trashëguara nga gjyshet e tyre.

Logu i Bjeshkëve, Kelmend. Burimi i fotos: zanimalsise

Kuriozitete

Dy nga Xhubletat më të vjetra Shqiptare sot ndodhen në dy muze të rëndësishme të Evropë. E para ndodhet në Muzeun e Njeriut në Paris, i përket shek të XVIII dhe quhet: Xhubleta Shumëngjyrëshe. Xhubleta e dytë ndodhet në Vjenë dhe quhet Xhubleta e Kuqe. Muzeu Metropolitan në New York ka një koleksion të zgjedhur të kostumeve popullore shqiptare, mes tyre ndodhet edhe xhubleta kelmendase me stolitë dhe elementët e saj.

New & Trending

Choose a