Fotoreportazh: Ngjitje në Parkun Shebenik-Jabllanicë - Into Albania

Fotoreportazh: Ngjitje në Parkun Shebenik-Jabllanicë

Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë është parku më i madh në Shqipëri, me një sipërfaqe 33,927 ha, dhe ndodhet më pak se dy orë larg me makinë nga Librazhdi. Rruga për aty edhe pse nuk është e shtruar, nuk është e vështirë apo e lodhshme. Nën shoqërinë e Shebenik-Jabllanicë Outdoor Adventure, bëhemi pjesë e një rrugëtimi për në Malin e Kallkanit, që është vetëm një nga disa turet që zhvillohen brenda parkut. Ndalesën e parë e bëjmë në fshatin Llang, me shtëpitë e vjetra mbi 300 vjeçare.

Fshati Llang, foto nga IntoAlbania

Vazhdojmë rrugën për tek Komuna Steblevë, ku gjendet dhe Qendra e Informacionit për turistët. Aty janë ndërtuar disa shtëpi tipike malore, të cilat shohin së largu masivet e shumtë pyjore të parkut. Qetësia dhe peizazhet tipike të jetës fshatare që na shfaqen, e bëjnë qëndrimin këtu edhe pse të shkurtër mjaft të pëlqyeshëm.

Pas Steblevës, bëjmë disa minuta të tjera me makinë, deri sa arrijmë në një pikë të përshtatshme prej nga mund të nisim ngjitjen. Albert Kaleci, ai që ka organizuar të gjithë udhëtimin dhe që na shoqëron si guidë, na informon për gjithçka që duhet të dimë. Edhe pse një dite e nxehtë me diell, ecja përmes kurorës së pyjeve është tejet e pelqyeshme në lartësinë 1200 metra mbi nivelin e detit.

Ngjitje në 1200 metra lartësi, foto nga IntoAlbania

Nga burimet e Malit të Kallkanit krijohen disa rrjedha vërtet të mahnitshme, krejt të izoluara nga bota. Ngjyrat janë të kombinuara si të ishim brenda një pikture impresioniste, dhe gurgullima e ujit na shoqëron gjithë kohën.

Burim uji në Malin e Kallkanit, foto nga IntoAlbania

Ngjisim një nga kullat e vrojtimit të ndërtuara gjatë periudhës komuniste, për të patur nën kontroll kufirin me Maqedoninë. Tashmë këto kulla janë thjesht si relike e një kohe të shkuar, por kjo nuk e bën ngjitjen e tyre më pak interesante. Është e trishtë të mendosh sa e sa të rinj kanë kaluar ditët e tyre më të mira mbi këtë kullë, siç do shprehej Buzzati, tek sa koha i rrëmbente bukurinë e jetës.

Kullë vrojtimi në kufi me Maqedoninë, foto nga IntoAlbania

Shtegu i ka të gjitha sinjalizimet e nevojshme që të ndiqet lehtësisht nga kushdo. Llojet e ndryshme të luleve, kërpudhat, fluturat e shumta dhe aroma e tërfilit, të kujtojnë se jemi në parkun ku haset 32% e florës së Shqipërisë.

Pas dy deri në tre orë ecjeje, gjendemi në sheshpushimin e Vëshëricës, në 2000 metra lartësi. Është vendi i duhur për të ngrënë gjërat që kishim marrë me vete, apo për t’u freskuar pranë një burimi uji të ftohtë akull. Për pak na pret ngjitja përfundimtare drejt majës së Kallkanit.

Fusha e Vëshëricës, foto nga IntoAlbania

Rreth 3 orë na duhen për t’u ngjitur deri në majën e Malit të Kallkanit, në 2189 metra mbi nivelin e detit. Ngjitja nuk është fare e vështirë nëse je tip sportiv, dhe peizazhet prej andej janë spektakolare! Mund të dallosh pyjet e livadhet, Malin e Shebenikut, Majën e Zezë që i përket Maqedonisë, liqenin që ndodhet aty pranë, e plot kartolina të tjera natyrore.

Mali i Kallkanit, 2189 metra mbi nivelin e detit, foto nga IntoAlbania

Në total udhëtimi zgjat diku rreth gjashtë orë ecje, dhe është i mjaftueshëm për të të familjarizuar me parkun që është një nga pasuritë natyrore më mbresëlënëse të vendit. Për gjysëm shekulli shërbeu si zonë ushtarake e mbrojtur, nisur nga zona kufitare me Maqedoninë. Ishte pikërisht ky izolim që sot i jep parkut joshjen më të madhe: ndjesinë që të duket sikur je i pari që po shkel nëpër shtigjet e tij.

Lule Netull, foto nga IntoAlbania.

Shënim: Çdo fundjavë organizohen ture në shtigjet e shumta të parkut. Mbi 14 liqene akullnajore, 3 liqene artificiale, shpella eremitësh, dhe maja edhe më të larta se ajo e Kallkanit, vijnë përmes tureve të ndryshëm.