Kala Festival - Into Albania

Kala Festival

Një etapë e re për turizmin bregdetar

Disa të rinj janë shtrirë në guralecat e njërit prej gjireve të vegjël të Dhërmiut, duke dëgjuar muzikën funk që vjen nga Arno Lemons. Si kudo në festivalet verore, bien në sy rroba banjot shumëngjyrëshe apo këmishat plot me lule, si dhe çorapet që zgjaten disa gishtë mbi kavilje. Jemi në Kala Festival, festivalin e parë ndërkombëtar të muzikës të organizuar në Shqipëri, ku rreth 2000 të rinj nga plot vende të Evropës e më gjerë, kanë ardhur për 7 ditë muzikë, plazh e festë.

Mbi 100 dj, emra të njohur të muzikës botërore apo yje në ngjitje, prej disa ditësh po ndezin plazhet e Dhërmiut. Përmes disa skenave të krijuara përgjatë bregut, nga mesdita deri në agim po luhet që nga muzika disko e tekno te ajo soul e psikedelike.  

Lemons është tejet i fokusuar te muzika e tij për të parë se si numri i pjesëmarrësve në gjirin e vogël po rritet bashkë me retë e zeza që gjithashtu po afrohen. Skena në fjalë quhet The Cove, dhe është një nga 4 vendet e festivalit ku luhet muzikë gati parreshtur. Një ditë më parë këtu u festua deri në 7 të mëngjesit. 

Jo shumë larg prej gjirit ku po performon Lemons është një tjetër skenë e mbuluar, e njohur si Yacht Club, ku Ross From Friends po luan muzikë dance/electronic. Shumë nga të pranishimit po pijnë birrë shqiptare, e Rossi nis e mikson këngë të dëgjuara nëpër radio vite më parë, që duket se e vesh club-in me një ndjesi nostalgjie, pasi shumë prej të pranishmëve nisin e këndojnë njëzëri tekstin.

Organizatori i festivalit, britaniku Rob Searle i Mainstage Festivals, ka një eksperiencë të gjatë në organizimin e disa prej festivaleve verore më popullore në Evropë. Searle ja kish vënë syrin Dhërmiut prej kohësh, përpara se të zgjidhte këtë fshat turistik si  destinacionin e duhur për të organizuar Kala Festival. “Vij në Dhërmi prej katër vitesh dhe kam rënë në dashuri me këtë vend,” shprehet ai. Intuita e Rob për të organizuar festivalin e parë nderkombëtar të muzikës në Shqipëri duket se rezultoi një sukses i vërtetë. Ende pa u mbyllur edicioni i parë, po punohet për Kala 2.

Pjesëmarrësit më të shumtë vijnë nga Britania, por ka dhe norvegjezë, italianë, spanjollë e plot kombësi të tjera. Kristina, një 37 vjeçare nga Oslo, ka ardhur me një mikeshën e saj apostafat për festivalin. Ajo ka pikturuar me xixa fytyrën, dhe ka vendosur gjithashtu në ballë ‘syrin’ e tretë, simbolin mistik të pranishëm sa në fe të ndryshme, aq edhe në rrymën new age. “Do e ripërsërisja eksperiencën shumë herë të tjera,” -thotë Kristina. Ajo çka e bën më të mirë Kala Festival sipas saj në krahasim me festivalet përreth është atmosfera relaksuese dhe e ngrohtë që po përjeton këtu. 

I paftuari më i njohur i festivalit, shiu, ikën dhe vjen me të njëjtin ritëm me të cilin të pranishmit shkojnë e ikin nga njëra skenë në tjetrën. Kjo është dita e parafundit e Kala-së, dhe tashmë pjesëmarrësit janë mësuar me idenë se shiu është protagonist i eventit po aq sa dhe dj-të. Gjasat janë që për shumë prej tyre imazhi që do të marrin për Shqipërinë është ai i një vendi tropikal. 

Një nga emrat që pritet me më shumë padurim te skena e “Empire” është ai i Roy Ayers. Siç përmendet në detaje dhe në një artikull të dedikuar të Guardian, ishte mesi i viteve ’70, kur Ayers pasi kishte kaluar një ditë të bukur tipike njujorkeze, i kish mbetur në mendje fraza se të gjithë e duan diellin, dhe kësisoj u inspirua për të realizuar një këngë mbi atë motiv. “Everybody loves the sunshine” që prej 1976, vitit kur u publikua,  është kthyer në një himn të padiskutueshëm të verës. Siç pritej, kthehet menjëherë dhe në një himn të Kala Festival. 

Nata është e gjatë në një festival si ky, ndaj përpara se të vazhdojmë festën që nuk do të ndalet deri në mëngjes, pushojmë pak te restoranti Royal Blue. Mes peshkut të freskët, pastave me karkalec e kunguj apo Spanjës që po vuan të fitojë kundra Marokut (e kishim harruar që luhej Kupa e Botës), koha ikën shpejt. 

Eventi edhe pse në edicionin e parë, ofron të gjithë eksperiencën e organizatorëve të akumuluar në vite. Përzgjedhja e skenave është bërë në një mënyrë të tillë që të gërshetojë më së miri përvojën e plazhit paradite, dhe festës anës detit në mbrëmje. Një nga skenat ishte vendosur ditët e para dhe në Gjirin e Gjipesë, ku aksesi bëhej më varkë, dhe të pranishmit mund të vizitonin një nga perlat më mbresëlënëse të bregdetit shqiptar.

Ndër emrat e tjerë të njohur të ardhur enkas për Kala spikasin ata të Tom Misch, The Black Madonna, Moodymann, Alfredo, Secretsundaze, e plot dj të tjerë që kanë ndjekës besnikë në të gjithë botën. Pjesë e eventit kanë qenë gjithashtu aktivitetet e tjera si masazhet, seancat e Yoga-s, këndet artistike apo turet për eksplorimin e plotë të turizmit shqiptar për më të interesuarit. Një paketë e plotë me biletë plus akomodim hoteli për eventin niste nga 360 Euro.

Jemi gati për një tjetër natë pagjumë. Rikthehemi te skena e The cove, që në mbrëmjë falë ngjyrave intime të prozhektorëve, si dhe reflektimit të hënës së plotë në det, të duket krejt një tjetër vend nga ai i pasdites. 

Nisim një bisedë të këndshme me dy të rinj simpatikë nga Londra, të cilët frekuentojnë prej kohësh festivale të ngjashme. Sipas tyre Shqipëria ka të gjitha ato çfarë ata kërkonin, muzikë të mirë, njerëz mikëpritës, vende të bukura. Madje të ishte për ta Kala Festival do duhej të organizohej dhe në Butrint, një nga vendet që i ka lënë më shumë mbresë nga Shqipëria. 

Ndërkohë, muzika bëhet gjithnjë e më trashendentale. Një vajzë vallëzon mbi shkëmbinj me një kapele që ngjan si një disco ball. Pesë të tjerë nisin e kërcejnë si të ishin robotë, paçka se muzika nuk përputhet fare me lëvizjet e tyre. Qeshin e vazhdojnë kërcimin. Kemi hyrë në ditën e fundit të festivalit që për nga entuziasmi ngjan si të ishte dita e parë. Shqipëria nuk është më vendi pa festival ndërkombëtar muzike.