Libraritë më popullore në Tiranë - Into Albania

Libraritë më popullore në Tiranë

Keni bërë listën e radhës të librave që doni të lexoni apo t’i bëni dhuratë dikujt? Në Tiranë do të mund të gjeni disa librari mjaft cilësore e të pasura me tituj. Më poshtë po ju paraqesim ato më të njohurat:

1. Adrion

Është emri më popullor për të gjithë ata që duan tituj të mirë në gjuhë të huaj, apo edhe për turistët që duan botime të autorëve shqiptarë në gjuhë të ndryshme. Pozicionimi në Pallatin e Kulturës, në Sheshin Skënderbej, e bën mjaft të lehtë vizitën e librarisë, ndaj nëse kaloni së afërmi aty, bëni mirë të rikujtoni se sa shumë tituj ka ende për t’u lexuar që janë në pritje.

Adrion Bookstore, burimi i fotos: facebook.com/adrionltd.

2. Albania

Është libraria më e famshme për titujt shqip, ku do të gjeni të gjithë autorët shqiptarë e botime të cilat është e vështirë t’i gjesh në libraritë e tjera. Ka dhe një seksion të dedikuar librave të rinj e atyre më të shitur, ndaj keni dhe një mundësi për të kuptuar tendencat e tregut. Ndodhet përballë Juveniljes pranë zonës së ish-Bllokut. Për hartën kliko këtu.

Albania Bookstore, burimi i fotos: facebook.com/Librari-Albania-Tirana

3. Friend’s Book House

Është një nga vendet më të dashura për adhuruesit e librave dhe leximit. Këtu mund të shfletosh titujt tek sa je duke pirë një çaj apo kafe, të ndjekësh takime mbi librat e rinj apo të bëhesh pjesë e leximeve të hapura për publikun që organizohen këtu. Ndodhet mu pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë, para se të shkosh në rrugën Myslym Shyri. Për hartën kliko këtu.

Friend’s Book House, burimi i fotos: facebook.com/friendsbookhouse.

4. Tirana Times

Me një nga libraritë më të kompletuara të qytetit, si dhe bar-kafenenë komode, edhe Tirana Times ka fituar vitet e fundit klientelën e vet besnike. E gjeni mu pranë shkollës Edith Durham (11 – Janari). Për hartën kliko këtu.

Tirana Times Library, burimi i fotos: facebook.com/tiranatimeslibrary.

5. Furra e Books

Books, do të thotë libra në anglisht, dhe Furra e Books i ngjan vërtet një furre ku gatuhet një ushqim cilësor për mendjen. Në fakt të gjitha detajet e kësaj librarie janë ndryshe nga të tjerat, që tek prenotimi online që i bëhet titujve kur publikohen në facebook, e deri tek autorët e rrallë që mund të gjesh këtu. Ndodhet në të njëjtën rrugë me Tirana Times. Mos harro ta ndjekësh faqen në facebook. Për hartën kliko këtu.

Furra e Books, photo source: facebook.com/furrabooks.

6. Libraria Tirana e Re

Është një nga shtëpitë e librave që nuk duhet ta humbisni! Këtu librat shiten si njëherë e një kohë, ku mund të diskutoni me librashitësin për titujt e rinj e të vjetër, të kërkoni libra me porosi, apo edhe të humbisni mes librave që janë të shpërndara ngado nëpër dhomë. Për hartën kliko këtu.

7. Libri Universitar

Për studentët është vendi ku mund të gjesh të gjithë titujt universitarë të mundshëm, e ndërkohë edhe për lexuesit e tjerë, mbetet një nga libraritë më të pasura. Është aq i famshëm si emër sa vazhdon të jetë një nga pikat e referimit për të gjithë zonën e Tiranës së Re. Për hartën kliko këtu.