Muzeu 'Marubi' Klasifikohet një ndër 50 Muzetë Evropianë më Novatorë - Into Albania

Muzeu ‘Marubi’ Klasifikohet një ndër 50 Muzetë Evropianë më Novatorë

Në këtë fillim viti, mesa duket lajme të mira vinë për Muzeun e fotografisë në Shkodër.

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” është përzgjedhur mes 50 muzeve evropianë që kanë sjellë risi të jashtëzakonshme në cilësinë publike në 40 vitet e fundit. Prej kohësh ky muze ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve të shumtë, jo vetëm mbi vlerat që mbart, por edhe sepse në të, artdashësit mund të gjejnë një muze modern, në përputhje me standardet evropiane.

Kjo renditje është bërë nga Routledge, në numrin e radhës së revistës “Revisiting Museums of Influence. Four decades of Innovation and Public Quality in European Museums”.

Pjesë e këtij klasifikimi janë muze si Rijksmuseum në Holandë; MuCEM- Museum of European and Mediterranean Civilizations në Francë; The British Galleries at the Victoria and Albert Museum në Britaninë e Madhe; Museum of Broken Relationships në Kroaci; War Childhood Museum në Bosnjë-Hercegovinë etj.

Përzgjedhja është bërë nga profesionistë në fushën e muzeologjisë, të cilët kanë shërbyer dhe si juri për çmimin e Muzeut Evropian të Vitit.

Revista “Revisiting Museums of Influence. Four decades of Innovation and Public Quality in European Museums”.

Në lidhje me këtë klasifikim, reagoi edhe stafi i  Muzeut “Marubi”, në rrjetin social Facebook duke u shprehur se ky është një motivim për të qenë më afër me publikun e apasionuar  ndaj trashëgimisë kulturore.

 Vlerësime të tilla na shtyjnë së pari të falenderojmë stafin, bashkëpunëtorët, miqtë e muzeut, vizitorët vendas e të huaj të cilët shpesh kanë ndarë me ne edhe përshtypjet e tyre, gjë që na ka ndihmuar edhe në cilësinë e shërbimeve të ofruara. Kjo na motivon çdo ditë e më shumë të jemi më pranë komunitetit artdashës e po ashtu një publiku të ri, të apasionuar e të vëmendshëm ndaj trashëgimisë kulturore të lënë nga brezat e që transmetohet sot përmes formave inovative e bashkëkohore.

Muzeu kombëtar i fotografisë ”Marubi” është muzeu i parë i fotografisë në Shqipëri, si dhe një nga më të pasurit në rajonin e Ballkanit, që daton në një periudhë kohore nga fundi i shekullit XIX deri në fund të shekullit XX. Ky muze mban në  arkivin e tij rreth  400,000 negativë në pllaka xhami, të organizuar në mënyrë të përkryer dhe të klasifikuar sipas vitit të shkrepjes dhe përmbajtjes së fotografisë.

Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi, Shkodër, foto nga IntoAlbania

Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi

Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi, Shkodër, foto nga IntoAlbania