Top 5 plazhet më të instagramuara - Into Albania

Top 5 plazhet më të instagramuara

Si një nga rrjetet sociale më të përdorura të kohëve të fundit, instagrami është një mënyrë e mirë për të kuptuar popullaritetin e një destinacioni. Sapo vjen vera, mjafton të shkosh në instagram dhe një ‘luftë’ e vërtetë postesh fillon mes miqve, se kush publikon foton më ndjellëse të brigjeve shqiptare. Po cilat janë plazhet më të përmendura në instagram? Më poshtë po ju paraqesim një klasifikim të 5 emrave më të spikatur:

5. #Himara

Nuk kishte si të mungonte në këtë listë hashtagu i Himarës, i përmendur mbi 20 mijë herë në instagram, dhe i shoqëruar përherë nga foto e video plazhesh përrallore. Kishat, kalaja, shtëpitë karakteristike apo shërbimet turistike të cilësisë së lartë, bëjnë që Himara të jetë një nga destinacionet më të preferuara të bregdetit shqiptar.

Source: booking.com

4. #Drimadha

Është një nga plazhet e Dhërmiut, po falë popullaritet të madh dhe mijëra check-ineve apo hashtagjeve përgjatë gjithë verës, menduam se e meritonte një vend të posaçëm në këtë renditje. I shtrirë përgjatë një vije bregdetare prej 5 – 6 km, Plazhi i Drimadhës është gjithashtu i njohur për jetën e natës si dhe disa prej hoteleve më moderne të jugut. Jo më kot, hashtagu i hotelit #DrymadesInn është thuajse po aq popullor sa vetë hashtagu i plazhit.

Source: travelalbania.com

3. #Jali

Ndoshta emri përmendet gabim në shumicën e rasteve (Jala, Jalë), por pak rëndësi ka, pasi ajo që nuk ngatërrohet nga askush është bluja e mrekullueshme e këtij gjiri. Në verë këtu vendosen disa nga lokalet më në zë të jetës së natës në Shqipëri, si #FolieMarine, dhe shkuma party-t apo muzika e dixhejve vendas dhe të huaj bëjnë që emri i Jalit të jetë prezent përgjatë gjithë verës në instagram.

Photo Credits: adventurous-turists.com

2. #Ksamil

I përmendur mbi 44 mijë herë në instagram, përmes këtij hashtagu do të katapultoheni në ishujt përrallorë të Ksamilit si dhe disa nga plazhet më të bukur të Shqipërisë. Të vendosur pranë Butrintit (pasurisë botërore të UNESCO-s), e falë strukturave turistike të cilësisë së lartë, plazhet e Ksamilit po tërheqin përvit vizitorë nga e gjithë bota, dhe suksesi në instagram është një tjetër tregues i këtij popullariteti në rritje.

Photo Credits: instagram.com/krisssich/

1. #Dhërmi

Plazhet e kristaltë dhe bluja spektakolare e detit, jeta e natës dhe restorantet cilësorë, kanë bërë që hashtagu i Dhërmiut të jetë më popullori gjatë verës. Mbi 50 mijë herë është përmendur në instagram, duke u shoqëruar gjithmonë me disa foto spektakolare të detit apo çadrave me kashtë e pijeve buzë Jonit.

Photo Credits: adventurous-travels.com