Turi i Skënderbeut në Krujë - Into Albania

Turi i Skënderbeut në Krujë

Historia e Shqipërisë nuk mund të kuptohet pa një prej emrave kryesorë të saj: Gjergj Kastriot Skënderbeun. Të shumta janë objektet të cilat na rrëfejnë për periudhën historike kur Heroi Kombëtar shqiptar jetoi e luftoi, e akoma më të shumta monumentet kushtuar kësaj figure gjatë shekujve. Më poshtë, po ju paraqesim si të ishin pjesë e një itinerari të vetëm të gjitha pikat kryesore ku lartohet figura e Skënderbeut në Krujë:

Kalaja e Krujës

Kruja ka shërbyer si kryeqendra e fitoreve të Skënderbeut kundër turqve,  ku më 28 nëntor të vitit 1443 u ngrit për herë të parë flamuri kombëtar. Kalaja qëndron në 557 metra lartësi, dhe përgjatë 25 viteve kur u drejtua nga Skënderbeu ajo u kthye në simbolin e rezistencës kombëtare. (Për artikullin përkatës kliko këtu)

Kalaja e Krujës

Kalaja e Krujës, foto nga IntoAlbania

Muzeu Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu

Sot brenda kalasë gjendet dhe Muzeu Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, kushtuar jetës dhe historisë së luftrave të Skënderbeut kundër Perandorisë Osmane. Këtu do të gjeni dhe kopjet e përkrenares dhe shpatës së heroit kombëtar. (Për artikullin përkatës kliko këtu)

Muzeu Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu

Muzeu Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, Krujë, foto nga IntoAlbania

Kulla e Sahatit

Midis gjurmëve të  rrënojave brenda mureve të kalasë duket Kulla e Sahatit brenda së cilës gjendet këmbana që lajmëroi vdekjen e Skënderbeut. Ky sahat i punuar nga artizanët e Pazarit të Krujës, njëherë e një kohë shërbente për të organizuar jetën e qytetit, duke njoftuar oraret e hapjes dhe mbylljes së dyqaneve, si dhe oraret e lutjeve.

Kulla e Sahatit

Kulla e Sahatit në Kalanë e Krujës, foto nga IntoAlbania

Monumenti i “Skënderbeut”

Përtej Kalasë, prania e Skënderbeut mund të vërehet edhe në zemër të qytetit të Krujës, falë skulpturës së Janaq Pacos, përuruar më 28 nëntor 1959. Nga Kruja në Tiranë, nga Prishtina në Romë e në plot kryeqytete të tjera të botës, statuja e Skënderbeut mbi kal apo bustet e tij janë dëshmi e famës dhe rëndësisë që ky emër ka patur për historinë e Shqipërisë dhe Evropës.

Monumenti i “Skënderbeut”

Monumenti i “Skënderbeut”, Krujë, foto nga IntoAlbania

Pema e Skënderbeut

Një suprizë e bukur gjendet brenda mureve të Kalasë së Krujës, pranë Teqesë së Dollmës. Një pemë e madhe ulliri që thuhet se është mbjellur me rastin e dasmës së Skënderbeut gjendet pikërisht aty, dhe të rikujton një nga urdhërat e njohur të Skënderbeut, që i kërkonte të gjitha çifteve të sapomartuara të mbillnin një pemë ulliri si formë takse.

Pema e Skënderbeut

Pema e Skënderbeut dhe Teqeja e Dollmës, Kalaja e Krujës, foto nga IntoAlbania

Ndërkohë nëse do të doni të vazhdoni turin e Skënderbeut në Shqipëri më poshtë po ju paraqesim disa prej destinacioneve të tjera që nuk duhen humbur:

Memoriali i Vendvarrimit të Skënderbeut në Lezhë

Edhe pse askush nuk mund të thojë me saktësi historike se cili ka qenë ‘fati i eshtrave’ të Skënderbeut, sërish mund të vizitohet Memoriali i Vendvarrimit të tij në Lezhë. Si një nga monumentet më madhështorë në Shqipëri, ky vend është i duhuri për të nderuar e respektuar figurën e heroit kombëtar. (Për artikullin përkatës kliko këtu)

Memoriali i Vendvarrimit te Skënderbeut në Lezhë

Memoriali i Vendvarrimit të Skënderbeut, Lezhë, foto nga IntoAlbania

Obelisku i Besëlidhjes në Lezhë

 Një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë është edhe Kuvendi i Lezhës, i thirrur nga Skënderbeu pranë katedrales së Shën Kollit në 2 mars të 1444, për të bashkuar princat shqiptarë. Kuvendi i Lezhës ja doli të krijonte për herë të parë një ushtri të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu, që ishte thelbësore për fitoret e mëtejshme që heroi kombëtar realizoi kundër Perandorisë Osmane. Sot ky kuvend përkujtohet përmes një vepre monumentale në qendër të Lezhës, në sheshin Besëlidhja. Obelisku ku është shkruar më gërma të bronzta data historike e kuvendit, ka formë trapezoidale e mbi të dallohet një mburojë e bronztë me përkrenaren e Skënderbeut, rrethuar nga tetë shpata.

Obelisku i Besëlidhjes në Lezhë

Obelisku i Besëlidhjes, Lezhë, foto nga IntoAlbania

Statuja e Skënderbeut në Tiranë

E pozicionuar në zemër të kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës, statuja e Skënderbeut në këtë shesh është nga më të njohurat kushtuar heroit. Ajo u vendos aty në vitin 1968, me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar, dhe është vepër e skulptorit të mirënjohur Odhise Paskalit, i cili për realizimin e saj bashkëpunoi gjithashtu dhe me Andrea Manon dhe Janaq Paçon. Rihapja e sheshit vitin e shkuar pas një procesi rindërtimi, ka rindezur interesin dhe për ta vizituar nga afër statujën.

Statuja e Skënderbeut në Tiranë

Statuja e Skënderbeut, Tiranë, foto nga IntoAlbania

Kepi i Rodonit në Durrës

 Të shumta janë arsyet që ja vlen të vizitohet Kepi i Rodonit. Natyra e bukur e këtij kepi ndërthuret me trashëgiminë historike dhe kulturore të lënë në këtë vend, duke bërë që turistët të mos mungojnë përgjatë gjithë vitit.  Mu në anë të detit, gjendet Kalaja e Skënderbeut, që u ndërtua pikërisht nga ky i fundit rreth viteve 1450 – 1452, në mënyrë që të kishte një dalje më të shpejtë në Adriatik në rastin e një pushtimi Osman. Sot ështe lehtësisht e vizitueshme dhe e admirueshme nga turistët, dhe përbën një nga trashëgimitë e lëna nga Skënderbeu që ka mbërritur në gjendjen më të mirë deri më sot. (Për artikullin përkatës kliko këtu)

Kepi i Rodonit

Kepi i Rodonit, Durrës, foto nga IntoAlbania

Manastiri i Ardenicës në Fier

 Në itinerarin e vendeve që ju sjellin më afër Heroit Kombëtar nuk mund të mungonte dhe Manastiri i Ardenicës, aty ku në prill të 1451 u kurorëzua martesa e tij me Donikën. Ceremonia u zhvillua në kapelën e Shën Triadhës, dhe sot ende mund të admirohet vjetërsia e kishës, e të luhet me imagjinatë atmosfera mesjetare si dhe festa që kishte përfshirë Shqipërinë me rastin e dasmës madhështore të heroit kombëtar. (Për artikullin përkatës kliko këtu)

Manastiri i Ardenicës

Manastiri i Ardenicës, Fier, foto nga IntoAlbania

Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë

 Këtu do të gjeni një pavion të tërë ku do mund të njiheni jo vetëm në detaje me luftërat e heroit kombëtar kundër turqve, por edhe me të gjithë periudhën historike në të cilën ai jetoi e udhëhoqi shqiptarët e bashkuar. (Për artikullin përkatës kliko këtu)

Muzeu Historik Kombëtar

Salla e ekspozimit së periudhës së Mesjetës në Muzeun Historik Kombëtar – Tiranë, foto nga IntoAlbania

Për një tur të organizuar të Skënderbeut kliko këtu.

New & Trending

Choose a