Muzeu Historik Kombëtar - Into Albania

Muzeu Historik Kombëtar

Një shëtitje e rrallë nga Periudha e Bronzit në diktaturën Komuniste

I ndodhur në qendër të Tiranës, në sheshin “Skënderbej”, Muzeu Historik Kombëtar është më i madhi në Shqipëri për nga pasuria e trashëgimia historike. Ka një fasadë dominante, falë mozaikut të quajtur “Shqipëria”, një vepër arti ku paraqiten heronjtë shqiptarë të etapave të ndryshme historike, me theksin që i vihet klasës punëtore. Inaguruar në vitin 1981, u deshën tre vite punë deri për hapjen e muzeut ku sot ruhen rreth 5 mijë objekte të ndarë në disa pavione.

Pavijoni i Lashtësisë konsiderohet një nga pavionet më të rëndësishme, me afro 400 objekte që vijnë nga epoka e bronzit. Kryevepër e padiskutueshme e sallave të këtij pavioni është mozaiku “Bukuroshja e Durrësit”, që daton në shek. IV para Krishtit, dhe është punuar me gurë zalli të formave të ndryshme. “Dea e Butrintit” është gjithashtu një nga objektet më të njohura të zbuluara në Shqipëri, ku arti klasik vjen përmes gjithë shkëlqimit të vet.

Pavijoni i Mesjetës ka dy salla, ku vizitorët njihen me organizimin dhe zhvillimin e jetës shoqërore nga shek. VI deri në XV-të. Nga ekspozita e kësaj periudhe spikat Epitafi i Gllavenicës i shek. XIV,  qëndisur me fije ari në mëndafsh nga murgu Savia me porosi të Gjergj Arianitit. Disa objekte të tjera që do të hasni këtu përfshijnë prodhimet artizanale, monedha të principatave shqiptare, stemat arbërore etj. Pavioni i Rilindjes Kombëtare është fare pranë pavionit të Pavarësisë, dhe dëshmojnë periudhën e zgjimit të ndërgjegjes kombëtare dhe atë të shpalljes së Shqipërisë shtet në vitin 1912.

Pavioni i Ikonografisë me një koleksion prej 65 ikonash të shek. XIV-XIX, është i përfaqësuar nga mjeshtrit e artit fetar të pikturimit si Onufri, i biri Nikolla, Onufër Qiprioti, Kostandin Shpataraku, David Selenicasi, Kostandin e Athanas Zografin etj. Një tjetër pavion i rëndësishëm është ai i Etnografisë me mbi 250 objekte, apo ai i Luftës së Dytë Botërore. Janë 200 relike të dëshmorëve apo të rënëve të luftës, që plotësojnë më së miri Pavionin e Luftës Antifashiste. Së fundmi, në muze do të mund të shihni dhe një nga pavionet më të rinj, atë të Genocidit Komunist, me ngjarje nga ’44-’91, që mban mbi 130 objekte, dhe që shërben si një dokumentim i një periudhe të errët që nuk duhet të rikthehet kurrë më.

    Qershor - Tetor, Çdo ditë 09:00 - 19:00 Nëntor - Maj, E Martë - E Diel 10:00 - 17:00, E Diel 09:00 - 14:00
    Sheshi Skënderbej, Tiranë Get Directions
    3 orë

Explore More