Kepi i Rodonit: Shkëputja ideale nga Kryeqyteti - Into Albania

Kepi i Rodonit: Shkëputja ideale nga Kryeqyteti

Turizëm Detar

Kepi i Rodonit: Shkëputja ideale nga Kryeqyteti

Turizëm Detar

Një nga destinacionet që vitet e fundit ka patur një rritje të konsiderueshme të numrit të turistëve është Kepi i Rodonit, që ndodhet vetëm pak kilometra larg Tiranës. Ky rrip i lartë toke në formë gadishulli shtrihet në detin Adriatik dhe ofron peizazhe tërheqëse si dhe disa monumente historike e kulturore të rëndësisë së veçantë. Nëse gjatë pranverës Kepi nis e vishet i gjithi nga një tapet përrallor lulesh (klikoni këtu për videon), gjatë verës jo të paktë janë ata që e zgjedhin këtë vend për shkak të plazhit të virgjër e rërës së pastër e të imët.

Kalaja e Skënderbeut

Kepi që rrethohet nga faleza të gjalla me lartësi rreth 25 metra, është i njohur dhe për Kalanë e Skënderbeut. Kalaja që gjendet mu në anë të detit u ndërtua nga Skënderbeu rreth viteve 1450 – 1452, në mënyrë që të kishte një dalje më të shpejtë në Adriatik në rastin e një pushtimi Osman. Sipas një traktati të nënshkruar në 4 shkurt të vitit 1462, në rast lufte me turqit Raguza do të ndihmonte Skenderbeun me flotën e saj që do të dërgohej pikërisht në Rodon. Duke ju referuar dorëshkrimeve të Barletit kjo Kala ka patur jetë deri në vitin 1467, përpara se të vinin turqit e ta shkatërronin. Venedikasit e rindërtuan kalanë pas vitit 1500, dhe kjo ka mundësuar që të mbërrijë deri më sot në një gjendje mjaft të mirë.

Kisha e Shën Antonit

Shumë pranë Kepit gjendet dhe Kisha e Shën Antonit, një monument që historikisht i atashohet të njëjtës përiudhë ndërtimi me atë të Kalasë. Kjo ndërtesë ka një arkitekturë të llojit romaniko-gotike, dhe sot mund të shihen gjurmë afresku apo dhe elementë të tjerë interesantë. Falë dhe pozicionimit pranë Kepit dhe detit, pamjet që shoqërojnë Kishën janë vërtet mbresëlënëse. Për të gjitha vlerat historike, kulturore e gjeografike që përmban, Kepi i Rodonit është zgjidhja më e mirë për një fundjavë relaksuese larg Tiranës.

Rruga që duhet të ndiqni për tek Kepi i Rodonit

Tiranë – Manzë – Ishëm – Darç – Kepi i Rodonit.

Nga: IntoAlbania

Çfarë ofron Durrës

Të ngjashme

Të rejat

Zhvilluar nga Frakton & Dizenjuar nga project.graphics