Zonat familjare të kryeqytetit - Into Albania

Zonat familjare të kryeqytetit

Në qytet, apo në rrethinat e tij, Tirana është alternativë fantastike për të kaluar orët e lira me familjen. Është një qytet i cili është zmadhuar e modernizuar gjatë dy dekadave të fundit, me hapësira interesante për të qetësuar ritmin e ngarkuar të javës. Nga natyra e deri në lokalet apo qendrat brenda qytetit, më poshtë gjeni sygjerimet tona për vendet më të përshtatshme për familjen!

Parku i Liqenit

Parku i Liqenit mbetet një nga destinacionet më të frekuentuara të fundjavës! Shëtitje në natyrë, lojëra në këndin e fëmijëve, hapësirë për të lexuar, një shfaqje artistësh të rinj në Teatrin e Hapur, lojërat për të rritur në fushat shumësportëshe, dhe shumë mundësi të tjera për tu kënaqur gjenden pikërisht këtu. Gjithashtu, parku i madh i liqenit mban brenda lëndinave dhe shpateve të buta kodrinore, një pjesë së historisë së Tiranës. Mund tu tregosh fëmijëve e adoleshentëve të rinj copëza historie nga memorialet ngritur në këtë park, kushtuar njerëzve të mëdhenj të letrave shqipe, por edhe të të rënëve të huaj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në lëndinat rreth liqenit ngrihet skeleti i transformuar  nga diktatura i Kishës së Shën Prokopit dhe jo shumë larg saj shtrihet sipërfaqja ujore e Liqenit. Pak më tutje presin destinacione të tjera argëtimi. Kompleksi i Pishinave, ose Aquadromi, i ndërtuar gjatë viteve ’80, është multifunksional për të rritur, fëmijë, edhe për profesionistë. Gjithashtu, në fund të Digës së Liqenit, gjen të vetmin Park Zoologjik në Shqipëri me 25 lloje kafshësh dhe shpendësh te vendosur mes lëndinash të vogla, te cilat familja mund ti përshkojë me bicikleta me katër rrota.

Parku i Liqenit, Tiranë, foto nga IntoAlbania

Parku i Malit të Dajtit

Parku pyjor i Malit të Dajtit është propozimi ynë i dytë për një pushim që gëzon të gjithë familjen. Ballkoni i Dajtit, në lartësinë 1000 metra mbi nivelin e detit, është një nga pllajat më simpatike. Kjo fushë me livadhe mund të arrihet duke ndjekur rrugën automobilistike Tiranë – Linzë – Dajt, ose duke përdorur Teleferikun. Në zemër të tarracës kryesore të Dajtit gjendet Parku i Aventurave, i pari i këtij lloji në kryeqytet me lojëra që nuk kanë moshë. Parku i aventurave është vetëm 10 minuta larg stacionit fundor të Teleferikut. Parku i Dajtit është ideal për ata të apasionuar pas çiklizmit apo ata që pëlqejnë ecjen në natyrë. Shtigje të shumta janë një sfidë e vërtetë për të rritur adrenalinën. Në parkun e Dajtit gjenden edhe restorante familjare me kuzhinë tradicionale ku e gjithë familja mund të shijojë një mbrëmje të këndshme para kthimit në kryeqytet.

Parku i Malit të Dajtit

Parku i Malit të Dajtit, Tiranë, Burimi: wikimedia.org, Irma Tollmi

Pazari i Ri

Familja mund të shijojë ditën e tyre sipas dëshirës në Pazarin e Ri ku ka plot aktivitete, që nga shëtitjet rreth zonës të sapo rinovuar të pazarit të madh, këndit të lojërave, dyqaneve të ndryshëm me objekte të veçantë, dhe restorantet e lokalet për të gjitha moshat. Kjo hapësirë multifunksionale është një përzierje e bukur e të resë me modernen, e argëtimit dhe traditës. Çdo moshe apo hallke e shoqërisë shqiptare mblidhet në këtë lagje të vjetër Tiranase, tashmë të rigjallëruar!

Pazari i Ri

Pazari i Ri, Tiranë, foto nga IntoAlbania

Pedonalja

Pedonalja e Tiranës është një tjetër vend ku, përveç kafeneve dhe restoranteve, gjen një konfiguracion interesant pikash bashkëkohore, kulturore e historike, për tu vizituar. Këtu, familja mund të parashikojë të kalojë një ditë të tërë larg makinave e rreth njerëzve! Si fillim, kemi Kalanë e Tiranës në zemër të Pedonales, me rrënoja 350 vjeçare, e cila përfaqëson një objekt interesant historik gjatë shëtitjes në Pedonale. Pak metra më poshtë, gjendesh në oborrin e një prej kinemave kryesore të qytetit, “Millenium”, ku mes freskisë së barit e pemëve që e rrethojnë,, mund të shijohet një paradite e qetë. Kalldrëmi i Pedonales shtrihet deri buzë bulevardit kryesor, duke të çuar në një tjetër destinacion si Galeria Kombëtare e Arteve. Në katet e Galerisë janë ekspozuar vepra të autorëve të shekullit të 19-të, të fillim shekullit të kaluar dhe të periudhës së Realizmit Socialist. Përbri Galerisë qëndrojnë godinat e Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” ku mund te shijohet një shfaqje në mbrëmje.

Ndonëse gjendet jashtë pedonales, por jo shumë larg, duhet përmendur këtu edhe Teatri Kombëtar për  Fëmijët, ku vogëlushët mund të ndjekin shfaqje teatrale të rregullta para se të vrapojnë në parqet rekreative.

Pedonalja, Tiranë, foto nga IntoAlbania

Restorante dhe qendra familjare

Qendra multifunksionale Taivan në qendër të qytetit është një hapësirë e madhe e cila ofron argëtim të plotë për familjen gjatë gjithë ditës. E rrethuar nga një prej parqeve më të mëdhenj të kryeqytetit, kjo qëndër ka plot aktivitete, restorante e lojra në hapësira të brendshme dhe të jashtme. Fushat pranë stadiumit Selman Stermasi janë një tjetër vend ku fëmijët e të rinjtë mund të argëtohen duke luajtur sporte të ndryshme në fushat e futbollit apo të basketbollit. Aty pranë gjëndet dhe një prej restoranteve familjare më të frekuentuara në Tiranë, Pizza Saporita, ku e gjithë familja mund të bashkohet në mbrëmje. Nëse gjendeni brenda zonës së mbipopulluar të Bllokut, një strehë e qetë familjare gjendet pikërisht në oborrin mbrapa Qendrës Lincoln, ku këndi i lojërave për femijë lejon njohjen e shoqërimin e fëmijëve më njeri tjetrin ndërsa prindërit shijojnë një pije apo kafë nën hijen e pemëve të larta të kopshtit. Në periferi të Tiranës, gjendet restorant-parku i njohur Sofra e Ariut, ku plot familje mblidhen çdo fundjavë për kafen e pjatat e shijshme të restorantit por edhe për hapësirën e madhe të gjelbërt ku fëmijët mund të luajnë.

Kalaja e Petrelës

Pak kilometra në juglindje të Tiranës ndodhet Kalaja e Petrelës, e cila është e ngritur në majë të një kodre të lartë por lehtësisht të arritshme nga të gjitha moshat. Vizita në kala ofron një aktivitet po aq interesant sa edhe të shëndetshëm për trupin e mendjen, ku nëpërmjet ecjes në natyrë e ajrit të freskët mund të njihet edhe një pjesë e historisë së vendit e të shijohen panoramat që ofron pozicioni strategjik i këtij vendi. Fortifikimi i kalasë, kullat e vrojtimit si edhe vetë kalaja në brendësi të saj janë objekte me vlerë historike e kulturore  si për të rriturit ashtu edhe për të rinjtë e fëmijët. Brenda qendrës së kalasë ka disa lokale ku, në fund të vizitës, vizitorët mund të pushojnë e të shijojnë ushqimin tradicional e natyrën e qetë.

 

Kalaja e Petrelës, Tiranë, foto nga IntoAlbania
Kalaja e Petrelës, Tiranë, foto nga IntoAlbania

New & Trending

Choose a