24 orë në Lezhë - Into Albania

24 orë në Lezhë

Jo vetëm histori, por edhe natyrë e kuzhinë! Të shumta janë arsyet për të kaluar një ditë të plotë në Lëzhë, ndaj zbulojini të gjitha sipas orarit më të volitshëm të ditës.

Mëngjes

Pasi të pini kafenë në një nga baret e shumta të qytetit, nisuni për tek Kalaja e Lezhës. Qytetin e dallon për së largëti prej kalasë së vet. Fortesa u ngrit mbi themelet e Akropolit antik rreth shekullit të VIII-të. Kalaja ka njohur shumë faza ndërtimi për shkak të pushtimeve të vazhdueshme të kësaj pjese të vendit. Fortesa me një pozicion dominant dallohet për konstruksionin me shumë porta hyrëse, të cilat mbroheshin nga ndërtime paraprake. Kalaja është pjesë e ansamblit antik të qytetit, ndryshe njihet si zona e gurëve ilirë. Lissusi është emri I hershëm I kësaj treve që pasurohet me muret fortifikuese që zbresin në kodrinë dhe dikur lidhnin fortesën me portin e qytetit.

Kalaja e Lezhës, foto nga IntoAlbania.

Drekë

 Ushqimi është një nga arsyet e forta përse Lezha është vendosur në qendër të vëmendjes së turistëve vitet e fundit! Kuzhinë tradicionale e ardhur me prekje moderne, përmes disa prej emrave më të suksesshëm të gastronomisë shqiptare. Një drekë në natyrë me pamje të gjerë mbi luginat plot ngjyra, e gjeni tek “Mrizi i Zanave”. Është agroturizmi më i njohur në Shqipëri, me plot turistë që vijnë nga jashtë vendit vetëm për të provuar gatimet autentike. Për “Mrizin” mund të jetë thënë e shkruar shumë, e megjithatë çdo herë këtu të duket sikur është hera e parë!

Mrizi i Zanave. Burimi i fotos: IntoAlbania.

Pasdreke

Lezha shquhet si një ndalesë historike e detyrueshme për të kuptuar më mirë historinë e shqiptarëve dhe rrënjët e Shqipërisë. Memoriali i Vendvarrimit të Skënderbeut është ndërtuar mbi kishën e Shën Kollit, aty ku në vitin 1468 u varros Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Paçka se eshtrat e Heroit Kombëtar nuk gjenden më aty (mendohet se u morën nga turqit për hajmali), sërish Memoriali larton si duhet figurën më të madhe të historisë së vendit. Lexoni këtu për më tepër.

Memorial of Skanderbeg

Memorial of Skanderbeg, Lezha, photo by IntoAlbania.

Jo larg prejt Memorialit të Skënderbeut ndodhet Obelisku i Besëlidhjes në Lezhë, një tjetër monument i lidhur pazgjidhshmërisht me heroin kombëtar. Obelisku është ngritur në kujtim të 2-Marsit 1444, ditën kur në Lezhë u mblodhën prijësit e familjeve më të madhe shqiptare për t’u bashkuar kundër perandorisë osmane.

Pasdite

Pasdite mos e kurseni ekspozimin në diell. Përpara se të trokasë ora e darkës ju ftojmë të zgjidhni mes plazheve të “Ranës së Hedhun”, plazhit historik të Shëngjinit ose atij të “Tales”. Me një gotë verë të bardhë në dorë ose një gotë shampanjë për të qenë më romantik, shijoni perëndimet e diellit nga këto tre plazhe të qytetit të Lezhës.

Rana e Hedhun, foto nga IntoAlbania.

Darkë

Nxitoni tek “Rapsodia”, një tjetër restorant me famë në Lezhë që i ka kaluar prej vitesh tashmë kuftijtë e këtij qyteti apo edhe të Shqipërisë. Gatimi këtu është art më vete dhe destinacioni është shumë lehtë i arritshëm, mjafton të ndiqni rrugën që të çon në Shëngjin. Finesa dhe shija e pjatave të shef Alfred Markut, së bashku me atmosferën mikëpritëse tipike të zonës që do të gjeni këtu, e bëjnë “Rapsodinë” një nga emrat më të njohur të kuzhinës moderne shqiptare. Lexoni artikullin tonë të dedikuar për më tepër.

Në foto disa nga pjatat e para të servirua si: petull e mbushur me krem perimesh, karpaço oktapodi me vinagre shege; karpaço levreku i marinuar me vinagre agrumesh etj. Foto nga IntoAlbania.

Në foto: barbun me krostë kadaifi dhe krem çokollate. Foto nga IntoAlbania.

Sugjerime të tjera:

Gjurmët e krishtërimit të hershëm shekullor i gjëni në Kishën e Zojës Nunenciate (Kisha e Dom Lleshit). Objekti i kultit është ngritur në kodrat përballë qytetit dhe kujton ndalesën në Shqipëri të Shën Françeskut të Asizit, si themelues i të parit kuvend Françeskan në Shqipëri. Në Kallmet të Lezhës ngrihet Kisha e Shën Eufemisë. Kisha e vjetër njihet nga banorët si vend pelegrinazhi. Kisha përmendet për copëzat e afreskut me pamjen e Shën Eufemisë, që daton nga shekulli i XII.

New & Trending

Choose a