Syri i Kaltër - Into Albania

Syri i Kaltër

Tropiku i Pabesueshëm i Shqipërisë

Me gjithë bukurinë qe e karakterizon jugun e Shqipërisë, dhe ai vërtet është një prej bukurive më të pabesueshme të vendit, tashmë aty presim të shohim vende që na kujtojnë më shumë mesdheun se sa pamjet tropikale. Por, Shqipëria është vendi i të papriturave! Ngjyrat, aromat, bukurinë e tropikut e gjen jo vetëm në Venezuelë apo ishujt Maldive por edhe në Syrin e Kaltër. Apo, ndoshta ai duhet të quhet parajsa tropikale e Shqipërisë, hapësira ku dhe ata më të fortët përhumben në mrekullinë që i shfaqet përpara.

Burimi nga Mali i Gjerë krijon një pishinë natyrore në formën e një syri, ku thellësia prej rreth 50 metrave (të paktën kështu thonë, pasi thellësia e vërtetë mbetet ende e pavërtetuar, edhe pas zhytjeve të më të guximshëve), ofron një spektakël ngjyrash të cilat janë zakonisht të rezervuara vetëm për gurë të çmuar. Bebja e syrit formohet nga një blu safiri ndërsa ngjyra e syrit është e përbërë prej hijeve të esmeraldit dhe bruzit.

Syri i Kaltër është i thellë, në të gjitha kuptimet e kësaj fjale. Ngjyrat e jashtëzakonshme që shkëlqejnë akoma më tepër nën diellin mesdhetar, gurgullima e bukur e ujit të ëmbël, dhe gjelbërimi që shoqëron të gjithë burimin, të krijojnë ndjesinë se je në kopshtin e Edenit, apo në çdo vend ekzotik që mund të keni imagjinuar. Burimi nga Mali i Gjerë vazhdon rrjedhën në formën e lumit të Bistricës, që ushqen një bimësi të dendur, ku spikasin ngado rrepët qindravjeçar të cilët janë përgjegjës për hijen e izolimin perfekt nga bota. Shumë prej portaleve më të famshme në botë e quajnë Syrin e Kaltër magjepsës dhe hipnotizues, befasues dhe të papërshkrueshëm. Tropik, parajsë, e bukuri pafund!

Plot 18 burime janë të shpërndara përgjatë gjithë zonës, duke e bërë këtë hapësirë një nga më joshëset për cilindo vizitor. Uji mban një temperature prej 10o Celsius por kjo nuk i dekurajon aspak njerëzit për të cilët kurioziteti dhe mposhtja e frikës mbizotërojnë. Ata hidhen në qender të syrit të kaltër sepse ky vend të fton ta shijosh atë në maksimum! Për të parafrazuar thëniën e famshme të Nietszche-s, ju do të shihni brenda këtij syri të thellë dhe ai do tua kthejë shikimin por, në këtë rast, kjo mund të jetë eksperienca më e bukur e jetës tuaj!

Si të shkosh

30 minuta, rrugë me makinë nga Saranda. Syri i Kaltër gjendet pranë fshatit Muzinë, pranë Rrugës nacionale Delvinë-Gjirokastër. Mund të merrni edhe autobusin për Gjirokastër por, në këtë rast, duhet ti kërkoni shoferit t’ju lerë të zbrisni tek Syri i Kaltër (pasi nuk ka linje direkte autobusash).

    Finiq 9716, Sarandë (pranë fshatit Muzinë dhe Rrugës nacionale Delvinë-Gjirokastër) Get Directions

Explore More