Kisha e Shelbuemit - Një Ndër Ikonat e Krishtërimit Shqiptar - Into Albania

Kisha e Shelbuemit – Një Ndër Ikonat e Krishtërimit Shqiptar

Me një natyrë të egër dhe njëheras të magjishme, Mirdita fsheh thesare të paçmuara të mbushura me mite dhe legjenda.

Pasi kalon Urën me harqe të Milotit, magjishëm, do ju shfaqet lugina e bukur të Fanit, e cila krenohet për Kishën e të Shëlbuemit, vendosur mbi kepin e bardhë të Rubikut, njëra ndër më të vjetrat dhe më të rëndësishmet monumente të kulturës kombëtare, e cila ka përfunduar së ndërtuari në vitin 1272.

Kisha e Shelbuemit, foto InfoKulla

Kisha e Shelbuemit, foto Shkëlzen Rexha

Historiku i Kishës së Shelbuemit

Kisha e të Shelbuemit ose siç njihet ndryshe me emrin Kisha e Rubikut, është një ndër ikonat e krishtërimit shqiptar dhe një vlerë identitare e historisë sonë mijëra vjeçare. Sipas historianëve, Kisha e të Shelbuemit është ndër më të vjetrat në Ballkan. Ajo është aty qysh prej vitit 1166 dhe qendron mbi shkëmbin e bardhë, e pacënuar nga ngjarjet historike ndër shekuj.

Në këtë vend të lashtë ashtu si edhe shkëmbi që qendron mbi lumin Fan, çdo objekt, muret e kuvendit të françeskanëve si edhe kisha janë të shenjta, duke e kthyer këtë zonë të një rëndësie të veçantë jo vetëm turistike. Kjo kishë si monument i hershëm i kulturës romanike dëshmon vlerat më të mira autentike të hershmërisë së Krishtërimit në Mirditë e më gjerë.

Kisha e Shelbuemit, foto Shkëlzen Rexha

Kisha e Shelbuemit, foto Shkëlzen Rexha

Kisha përfaqëson një objekt të rëndësishëm kulti të shek XII- XIII. Ka përfunduar së ndërtuari në vitin 1272 dhe mbart vlera unikale jo vetëm për afresket, pikturat, por edhe muralet e stilit bizantin. Pjesa e brendëshme e Kishës është e stolisur me afreske të ritit bizantin gjë që bën atë edhe më të veçantë. Godina është monument kulture dhe paraqet interes në aspektin ndërtimor dhe arkitektural.

Kisha e Shelbuemit, foto Shkëlzen Rexha

Në oborrin e kishës gjendet “Guri i Krijimit” dhe “Kupa e jetës” një monument i krijuar nga Humanistja austriake Marianne Graf dhe inaguruar me bekimin e të gjitë komuniteteve fetare në Shqipëri. “Guri i krijimit” i dekoruar me elementët e jetës dhe “Kupa e jetës” që përmban simbolet e feve abrahamike të vendosura në një kupë, simbolizojnë bashkëjetësën tonë.

Kisha e Shelbuemit, foto InfoKulla

Kuvendi Françeskan

Kisha e Rubikut ka shërbyer si abaci benedikte dhe kuvend françeskan. Madje duhet theksuar se në këtë kuvend kanë qenë dhe fillesat e shërbimit të At Gjergj Fishtës si frat. Përveç Gjergj Fishtës, në kuvendin françeskan ka qendruar edhe At Shtefan Gjeçovi i cili ka mbledhur dhe ka shkruar disa nga kapitujt të Kanunit të Lek Dukagjinit. Duhet theksuar se përveç shërbesave të priftërinjëve shqiptar në këtë kishë ka shërbyer edhe një prift austriak me emrin Fabian Barcata gjatë shek. XX. Ai ka lene si trashëgimi romanin “Lule” që flet për një histori dashurie në atë kohë dhe ditarin e tij, ku pasqyron mënyrën se si organizohej jeta në atë periudhë.

Kisha e Shelbuemit, foto Shkëlzen Rexha

Legjenda

Mijëra vjet më parë, në trevën e Rubikut thonë se ndryshku i kuq shfaroste njerëzit, mbyste bagëtitë dhe dëmtonte të mbjellat. Ishte hyjnesha Robikon, ajo që i shpëtoi banorët nga kjo murtajë e kuqe. Që nga ajo kohë për nder të saj zona mban emrin Rubik.

Rubiku, foto Shkëlzen Rexha

Explore More