Agroturizëm “Rruga e Mullirit" - Into Albania

Agroturizëm “Rruga e Mullirit”

Dy orë e gjysëm larg nga Tirana, në Reç, ndodhet një shtëpi pritëse që do t’ju japë më të mirën që Malësia e Madhe mund t’ju ofrojë: natyrë fantastike, mikëpritje tipike shqiptare, dhe një ushqim plot shije gatuar me produktet e baçes.

Zina dhe Mirashi e dinë se presin vizita. Sapo dëgjojnë zhurmën e makinës që afrohet, dalin në shkallët e vilës e na urojnë mirëseardhjen. Agroturizmi “Rruga e Mullirit” është i rrethuar nga gjelbërimi, malet, si dhe nga Pylli i Gështenjave, ndaj dhe katapultohemi menjëherë në një natyrë fantastike.

Bujtina “Rruga e Mullirit”, Reç. Foto nga IntoAlbania.

Ambjentet e bujtinës, foto nga IntoAlbania.

Çifti është i mësuar tashmë me vizitorë nga e gjithë bota, e në tryezën e madhe në oborr, janë gati të përplasin gotat me pijen e trëndafilit, e të bëjnë gëzuar me të ftuarit, si ogur i mirë për kohën që do kalohet pranë tyre. Pasi familjarizohemi pak me Mirashin dhe Zinën, njihemi dhe me aktivitetet që mund të organizohen në shtëpi. Që nga mbledhja e fruta-perimeve të stinës në oborr, tek eksplorimi i shtigjeve interesante përreth, mundësitë janë vërtet të shumta.

Pija e trëndafilit përgatitur nga Zina, foto nga IntoAlbania.

Vendosim fillimisht të vizitojmë Kanionin e Rrjollit, që ndodhet veç 10 minuta me makinë larg shtëpisë. Njëherë e një kohë kjo zonë njihej për dhjetëra mullinjtë që ishin ndërtuar aty. Sot mund të vëresh rrënojat e mullinjve, si dhe së largu kodrën ku ndodhet Kalaja e Ballezës (ku gjenden rrënojat e një kishe të vjetër). Kanioni është thjesht mbresëlënës, dhe si shumë vende të ngjashme të Shqipërisë, për fat ka mbetur i pacënuar nga turizmi masiv.

Kanionet e Rrjollit, foto nga IntoAlbania.

Kanionet e Rrjollit dhe Kalaja e Ballezës nga distanca, foto nga IntoAlbania.

Kthehemi në shtëpi, dhe Zina ka nisur të gatuajë drekën. Disa nga vizitorët e shtëpisë kanë vendosur të përfshihen në gatimin e pjatave tradicionale të zonës, si gjethe mëllage të përgatitura me vezë, kungull me mazë të ëmbël, apo kaçamak.  Ushqimi shtrohet në tryezën e madhe të oborrit, pasi maji pranveror me ngjyrat, freskinë dhe cicërimat e këndshme, i japin akoma më shumë hijeshi tavolinës.

Zina duke ndihmuar të ftuarit të përgatisin gjethe mëllage me vezë. Foto nga IntoAlbania.

Gjethe mëllage me vezë, foto nga IntoAlbania.

Kaçamak, foto nga IntoAlbania.

Pjatat e Zinës janë plot me shije, dhe vështirësia qëndron vetëm të gjesh pak hapësirë në stomak për shumësinë e tyre.

Tryeza e jashtme, foto nga IntoAlbania.

Pas dreke, Mirashi përfshin grupin në lojën me qeleshe, një lojë tradicionale e zonës kjo, ku familjarët të ndarë me dy grupe, duhet të gjejnë në cilën qeleshe është fshehur lajthia. Kjo lojë e thjeshtë përfshin të gjithë të pranishmit, ku ekipi fitues duhet doemos të gjejë ‘sharje’ kreative kundrejt ekipit humbës.

Loja me qeleshe, foto nga IntoAlbania.

Loja me qeleshe, foto nga IntoAlbania.

Qëndrimi në një agroturizëm nuk është vetëm natyrë, ushqim apo lojëra, por edhe miqësi me familjen që e drejton. Tek sa diskutonim për martesën e Zinës me Mirashin, e zonja e shtëpisë nuk nguron të na nxjerrë xhubletën mbi 100 vjeçare, të veshur prej saj ditën e martesës. Xhubleta është karakteristike e Malësisë së Madhe, dhe humbemi lehtësisht në simbolet apo punimin e bërë në realizimin e saj.

Xhubleta e Zinës, foto nga IntoAlbania.

Mirashi duke na folur për historikun e familjes. Foto nga IntoAlbania.

Reçi është i njohur në Shqipëri mbi të gjitha për Pyllin e Gështenjave. Nëse tryeza e pranverës mbushet nga qershitë, ajo e vjeshtës mbushet nga gështënjat e pjekura me mjeshtëri nga Mirashi.  Jo më kot ai na thotë se çdo stinë është stina e duhur për të vizituar agroturizmin!

Duke eksploruar Pyllin e Gështenjave, foto nga IntoAlbania.

Mirashi dhe Zina duke përgatitur gështenjat. Foto e bërë në tetor nga IntoAlbania.

Gështenja të pjekura, foto nga IntoAlbania.

Shtëpia dy katëshe është e pajisur me të gjitha kushtet e duhura për një qëndrim vërtet të kënaqshëm, ku për të ftuarit vihen në dispozicion një dhomë dyshe, dy dhoma me nga dy krevate teke, si dhe një banjo për secilin kat. Të gjitha dhomat janë të pajisura me wi-fi.

Tryeza në ambjentet e brendshme, foto nga IntoAlbania.

Qëndrimi në “Rrugën e Mullirit” është një shkëputje totale sa nga kaosi urban, aq edhe nga streset e punës. Koha kalon si pa e kuptuar, e sa më shumë të mësohesh me gjelbërim e qetësinë perfekte, aq shumë kupton sa na mungon një jetesë e tillë. Largohemi nga Mirashi dhe Zina të bindur se do i takojmë sërish shumë shpejt.

Për të prenotuar qëndrimin tuaj te agroturizmi “Rruga e Mullirit” kliko këtu.

Explore More