10 sugjerime nga Adens Borova (Naam Van) - Into Albania

10 sugjerime nga Adens Borova (Naam Van)

Jeta e Adens Borovës është e ndarë mes profesionit të arkitektit gjatë ditëve të javës, si profesioni i tij primar, dhe muzikës, ku fundjavave shdërrohet në DJ i klubeve të natës në Tiranë. Le të themi që ka profilin e duhur për ta pyetur mbi 10 sugjerimet e tij për kryeqytetin:

Kafe:

Megjithëse kafen nuk e pi mund të them që Tirana është nga qytetet më të pasura në zgjedhje për kafen. Shpesh kam qejf të pij një çaj në mëngjes te Tribeca, duke parë jetën që fillon në qendër të bllokut.

Pikë referimi:

Mund të flas për një vend që për mua dhe bashkëmoshatarët e mi ka qënë historikisht një pikë takimi ose referimi. “Ish Ura e Vogel e Bllokut” ka shërbyer si pikë referimi që në kohët kur nuk kishim celular, në periudhën e lokaleve buzë Lanës. Ajo vazhdon të mbetet për mua pikë referimi në këtë qytet.

Vend i rastësishëm:

Është pak vështirë të gjesh sot vende të tilla në Tiranë. Qyteti evolon vazhdimisht në drejtimin e zhvillimit metropolitan dhe pak vende kanë mbetur “të rastësishme”. Disa rrugica nëpër Tiranë ku nuk “ka mbirë” ndonjë pallat, arrijnë të japin ndjesinë e mirë të qytetit që ishte njëherë e një kohe.

Vend për një drekë të shpejtë:

Më pëlqejnë bowls të Tëduktu, të shëndetshëm dhe plot ngjyra. Mama’s cooking është gjithësesi preferenca ime.

Pjata e preferuar:

Nuk kam ndonjë pjatë të preferuar në absolut. Më pëlqejnë shumë perimet dhe frutat në të gjitha format.

Aperitiv:

Mbas pune shkoj shpesh te PASS te Stadiumi Dinamo dhe pij një Bloody Mary, pijen time të preferuar me shokët e ngushtë.

Kënaqësi e veçantë:

Një kënaqësi që kam në Tiranë është biçikleta, me të cilën shëtis dhe mbaroj punët e përditshme. Më heq stresin e makinës dhe më bën të kursej shumë kohe.

Vendi i kulturës:

Destil, i cili po shëmbet për t’u spostuar diku tjetër. Në këto vite i ka ofruar qytetit shumë evente kulturore, artistike dhe në lidhje me arkitekturën.

Restorant për darkë:

Oriental City për kuzhinën kineze, Artisti te RTVSH për t’u ndjerë rehat dhe ngrënë lehtë. Fishop kur më shkon mendja për produkte deti.

Bar/Klub:

Këtu do zgjatem pak se futet në lojë profesioni i dytë, ai i DJ :).

Vendet që do sugjeroja janë edhe ato ku luaj zakonisht në fundjavë, për faktin e vetëm që më pëlqen të luaj aty ku ndjehem mirë me ambientin, njerëzit dhe pijet sigurisht.

Radio është institucion në Tiranë tashmë. Identiteti i fortë i ruajtur në 10 vite nga dita që është hapur e bën një zgjedhje të paevitueshme. Mendoj që jam ulur në çdo stol e karrige, përveç se kam ndejtur në këmbë për orë të tëra aty pranë derës në krye të detyrës.

Oborri dhe tarraca e Kinos në verë është shumë e këndshme. Në dimër vendi krijon atmosferën e duhur pre-club ku nuk mungojnë dhe mbrëmjet me ritëm dhe kërcim. Pastaj është edhe Eni, shok i gjimnazit, një nga bartenders më të mirë në Tiranë.

Kino, foto nga IntoAlbania.

Natën më pëlqen ta mbyll të PepperRoom, nje klub i ri me një koncept shumë të bukur Disco, ku ambienti, muzika dhe alegria e njerëzve të çojnë në kohët e arta të disco music. Më pëlqen shumë të luaj në PepperRoom gjithashtu, më jep energji pozitive.