5 gjërat që duhet të bëni në Tiranë për Krishtlindje - Into Albania

5 gjërat që duhet të bëni në Tiranë për Krishtlindje

Përmes atmosferës së ndezur, lagjeve interesante e një kalendari plot me evente, nuk është për t’u habitur që Tirana është kthyer në një nga destinacionet kryesore turistike të Ballkanit. Që nga tregjet e Krishtlindjeve tek aventurat në natyrë, lexoni listën tonë të 5 gjërave që duhet të bëni në kryeqytet përgjatë periudhës më magjike të vitit.

1. Shijoni atmosferën festive në Sheshin Skënderbej

Sheshi Skënderbej është vendi ku duhet të jeni për festat e Krishtlindjeve! Në këtë periudhë të vitit sheshi më i madh i Tiranës kthehet në një botë magjike me një pemë të madhe Krishtlindjesh të vendosur në mes të tij. Bëni një xhiro në karusel, argëtoni veten përmes lojërave të shumta ose thjesht uluni në ndonjë nga karriget prej druri e shijoni një gotë verë apo çokollatë.

Sheshi Skënderbej, foto nga IntoAlbania. 

2. Panairi i Krishtlindjeve te Pazari i Ri 

Pazari i Ri është një nga destinacionet më të vizituara të Tiranës, e përgjatë festave të fundvitit, do të gjeni dhe Panairin e Artizanëve të Krishtlindjes. Nëse jeni duke kërkuar dhuratën perfekte për familjen dhe miqtë, ky është një nga vendet më të këshillueshme. Ju mund të relaksoheni gjithashtu në baret përreth pazarit, të provoni kafen turke apo bakllavanë me lajthi te Kafe Mehmeti, një nga më të mirat në qytet.

Pazari i Ri, foto nga IntoAlbania. 

3. Mëso si të krijosh dekore festive tek dyqani Nji Mar, Nji Mrapsht

Një nga aktivitetet më të lezetshme që mund të bëni përpara Krishtlindjeve është krijimi i dekoreve festive. Tek Nji Mar, Nji Mrapsht, mund të gjeni suvenire origjinale dhe objekte artizanale të krijuara nga dy motra, si dhe mund të mësoni të krijoni dekore festash, si kartolina, fjongo, kurora etj. Dyqani ka dy pika, me dyqanin më të ri e të madh të përuruar tek rruga Islam Alla. Deri më 29 dhjetor aty mbahet eventi 100 Minuta për Dekore Festive.

Dekorimet tek Nji Mar, Nji Mrapsht, foto nga IntoAlbania.

4. Aventura në natyrë në Malin e Dajtit

Merr teleferikun që lidh Tiranën dhe Malin e Dajtit, dhe përgatit veten për një eksperiencë të vërtetë në natyrë. Tirana ka një mot me diell përgjatë gjithë vitit, por 20 minuta nga qendra e qytetit, Dajti ofron atmosferën ideale për të jetuar dimrin, si dhe plot aktivitete të tjera në natyrë, si ngjitje në mal, shëtitje me kal, apo edhe ski nëse keni pajisjet e duhura me vete, e jeni i mësuar me këtë sport.

Dajti

Mali i Dajtit, Tiranë. Burimi: wikimedia.org Fation Plaku.

5. Vizito Kalanë e Tiranës

Një vend i ri që duhet t’i shtohet listës së ndalesave që duhet të bëni në Tiranë është dhe Kalaja e Tiranës, që po rinovohet së fundmi. Pozicionuar në Pedonalen e Tiranës, pranë rrënojave të kalasë së vjetër, Kalaja do të jetë një qendër e re multi-funksionale me dyqane artizanale, restorant, hotel, galeri arti si dhe dyqane me ushqime të shpejta që do të hapen përpara Krishtlindjeve.

Pedonalja e Tiranës, foto nga IntoAlbania.