Firmoset Formulari i Kandidimit për në UNESCO të ''Xhubletës'' dhe ''Kcimit të Tropojës'' - Into Albania

Firmoset Formulari i Kandidimit për në UNESCO të ”Xhubletës” dhe ”Kcimit të Tropojës”

Ndaj ndjeshmërisë së vazhdueshme kushtuar trashëgimisë kulturore jo materiale, mesa duket erdhi dita e madhe. Ministrja e Kulturës, firmosi  formularin e kandidimit të dukurisë së Kcimit të Tropojës për “Representative List of Intangible Cultural Heritage of Humanity” (lista përfaqësuese e dukurive të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të njerëzit) dhe dijebërjes së Xhubletës për në listën e dukurive në rrezik (Urgent Safeguarding List).

Prej kohësh ekspertët kishin prezantuar pranë Këshilli Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale listën e trashëgimisë kombëtare, të cilët në vrullën e zhvillimit teknologjik rrezikojnë të zhduken dhe kanë nevojë për mbrojtje.

Prej katër “dukurive” të denja për t’u kandiduar si “Kryevepra të trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit”, nën mbrojtjen e UNESCO-s, ministrja Margariti, firmos vetëm dy prej tyre, konkretisht për Kcimin  e Tropojes dhe për  Xhubletën si teknologji dhe dijëbërje artizanale unikale.

Xhubleta, veshje tradicionale e trevave shqiptare, foto IntoAlbania

Trashëgimia kulturore jomateriale shpirtërore, nënkupton praktikat, paraqitjet, shprehjet, gjuhën, njohuritë të krijimtarinë popullore.

Xhubleta kjo veshje emblematike tipike e grave të zonës së Veriut, nga Malësia e Madhe në Dukagjin e më gjerë, cilësohet si një prej kostumeve më të rralla popullore. Me disa lloje e karakteristika, prerjeje e qepjeje, sipas zonave dhe moshave të grave që e vishnin, dijebërja e saj është zbehur. Kjo veshje është specifike për kulturën e vendit tonë dhe sot e kësaj dite konsiderohet si një nga kostumet monumentale dhe vijimësi e veshjeve më të lashta të botës mesdhetare. Xhubleta gëzon statusin kryevepër nga Ministria e Kulturës dhe dosja ka mbaruar në një kohë rekord për UNESCO si një trashëgimi në rrezik.

Xhubleta, veshje tradicionale e trevave shqiptare

Ndërsa për sa i përket Kcimit Tropojan është një vallëzimi popullor i cili spikat për energjinë, dinamikën, por edhe nga larmia zbukurimore të veshjes popullore. Kcimet e moçme dardane janë praktikuar në raste dhe vende të veçanta. Këto kcime janë të lidhura ngushtë me fusha të tilla si poezinë, prozën popullore, tregimet gojore, lojërat popullore, ritet e ritualet e bjeshkës, dyluftimet në mejdan, mitet e mitologjisë, ciklin e kreshnikëve, bëmat e heronjve të legjendave etj.

Ritmika më autentike, dinamike dhe shpërthyese në kcimet tropojane-dardane përjetohen dhe përcillen me tupan  ose daulle. Këto kcime tropojanë vijnë nga periudha të hershme deri në ditët tona, duke e kaluar këtë vlerë të padiskutueshme të trashëgimisë kulturore jomateriale kombëtare brez pas brezi.