Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” gati për UNESCO-n - Into Albania

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” gati për UNESCO-n

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” përfundon punën dy-vjeçare të përgatitjes të aplikimit për tu përfshirë në listën e vendeve të trashëgimisë kulturore të mbrojtur nga UNESCO.

Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi, në prag të dorëzimit të dosjes të përgatitur në UNESCO pret një përgjigje pozitive brenda afatit kohor të një viti.

“Shpresojmë që ky qëllim i yni do të hapë porta të reja. Sigurisht është veçse fillimi i një sfide, pasi sapo kemi përfunduar përgatitjen e dosjes të aplikimit. Besojmë plotësisht se Shqipëria ka ende shumë për të ofruar. Për ne, ky është një ushtrim i parë drejt njohjes së vetes,” – Elva Margariti, Ministrja e Kulturës

Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi

Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi, Shkodër, foto nga IntoAlbania

Udhëheqësit e këtij projekti kanë deklaruar se përgatitja e kësaj dosjeje është kryer nëpërmjet konsultimeve të vazhdueshme me ekspertë lokalë e ndërkombëtarë, në mënyrë që çdo detaj i përfshirë të çojë drejt qëllimit përfundimtar, njohjes të muzeut si një vend me vlerë të  trashëgmisë kulturore.

“Kjo është një punë që do t‘i qëndrojë gjithmonë kohës, jo vetëm për muzeun por për Shkodrën, në përgjithësi.” – Luçjan Bedeni, Drejtor i Muzeut

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” klasifikohet si kandidat në kategorinë e Regjistrit të Kujtesës së Botës. Ky program mbron dokumentimin e trashëgimisë kulturore të njerëzimit prej harresës kolektive, braktisjes, dëmeve të shkaktuara prej kohës, kushteve klimaterike, si edhe ato të bëra qëllimisht. Për momentin, i vetmi artifakt shqiptar që bën pjesë në këtë program është Kodiku i Purpurt i Beratit, i pranuar në vitin 2005.

Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi

Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi, Shkodër, foto nga IntoAlbania

“Studio Marubi” u themelua nga Pietro Marubi në 1856. Sot, muzeu Marubi përmban rreth 500,000 negativë të formateve të ndryshme e të realizuara nëpërmjet teknikave të shumëllojshme, të cilët tregojnë personazhe, ndodhi e fakte interesante të Shqipërisë. Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” është muzeu i parë i fotografisë në Shqipëri dhe një nga më të pasurit në Ballkan.  Para pak kohësh, ai u klasifikua si një ndër 50 muzetë Evropianë më novatorë.

Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi

Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi, Shkodër, foto nga IntoAlbania

Burimi: Albanian Daily News