Outdoors Tirana: Natyra rreth Kryeqytetit - Into Albania

Outdoors Tirana: Natyra rreth Kryeqytetit

Një kostum sportiv i lehtë dhe një çantë shpine, mbushur me ujë dhe ushqim, janë mjaftueshëm për tu lëshuar në rrethinat e Tiranës. Periferitë natyrore gëzojnë bimësi të pasur e ajër të pastër, larg nga qyteti. Afër Tiranës, ka plot destinacione të këndëshme për ngjitje, ecje në largësi të shkurtra, pedalim me biçikletë apo thjesht piknik nën zhurmat e natyrës.

Ujëvara e Shëngjergjit

Një rrjedhë e pandërprerë në lartësinë 30 metra buron nga rrëpirat e Malit me Gropa. Ujvara e Shëngjergjit, pranë fshatit me të njëjtin emër, është një prej destinacioneve më të bukura në rrethinat e Tiranës. Rruga që të çon atje është e aritshme me makinë. Më pas, shenjat orientuese të udhëheqin në këmbë deri pranë kataraktit. Për shkak të përmbajtjes së rrjedhave që e formojnë, rrëpira shkëmbore ku derdhet ujvara është e kuqe!

Ujëvara e Shëngjergjit, foto nga IntoAlbania.

Liqeni i Bovillës

Liqeni i Bovillës është një nga destinacionet e reja rreth kryeqytetit për tu vizituar. Relievi është kodrinor dhe i pasur me bimësi të ulët. Kjo është zona më e afërt për të praktikuar sportin e ngjitjes në shkëmbinj. Të apasionuarit mund të praktikojnë sipas gradave të vështirësive arritjen e rrëpirave shkëmbore që rrethojnë liqenin. Mjaftojnë vetëm 40 minuta udhëtim për të shijuar këtë bukuri natyrore.

Liqeni i Bovillës, burimi i fotos: Fation Plaku.

Syri i Ciklopit

Kjo pikë natyrore është zbulim i kohëve të fundit nga aventurierët e natyrës. Syri i Ciklopit ndodhet rreth 4 km poshtë fshatit të quajtur Skëterrë, në luginën e lumit Erzen. Ka një gjerësi prej 20 m dhe thellësi prej 120 m. Aty gjendet edhe një humnerë e vogël, në fund të të cilës krijohet një liqen me ujë të smeraldtë ku mund të notohet. Legjendat thonë se vendi e mori emrin për shkak të një qenieje gjigande e cila përndiqte banorët e zones! Destinacioni arrihet me transport publik deri në fshatin Krrabë, më pas ndiqet një shteg që është spektakolar për hiking.

Syri i Ciklopit, Tiranë. Foto dhuruar nga Xheni Kërtusha

Shpella e Pëllumbasit

Destinacioni cilësohet si një nga shpellat karstike dhe vendbanimet prehistorike më të rralla të Shqipërisë. Shpella është e mbushur me stalaktite dhe stalagmite ndërsa nën shkëmbinjtë dysheme rrjedhin ujëra nëntokësorë. Turet që organizohen nga Tirana ndjekin rrugën automobilistike që të çon në fshatin Pëllumbas. Prej këtij të fundit, për të arritur deri në shpellë, rruga është këmbësore.

Shpella e Pëllumbasit, burimi i fotos: zbulo.org.

Kanioni i Shkallës së Tujanit

Prerja tërthor e shkëmbinjve të maleve të Dajtit dhe Brarit kanë krijuar një kanion interesant që arrihet nëpërmjet gjurmës së vjetër të rrugës së Arbërit. Shkalla e Tujanit është 1,2 km e gjatë, 20-50 m e gjerë dhe rreth 250 m e thellë dhe ka një ekosistem karstik me guva e shpella në shpatet e saj. Destinacioni është ende jo shumë i njohur, por tërheqës për ata që kanë shpirtin e aventurës. Atje mund të shkohet me makinë apo me teleferik deri në fushën e Dajtit e me pas të ngjitesh në këmbë. Shtegu deri në majë të tij është me shenja orientuese ndaj nuk është e vështirë ta gjesh.

Shkalla e Tujanit, foto nga IntoAlbania.

Mali me gropa

Emri i Malit me Gropa lidhet me gropat e shumta që janë formuar nga procesi i tretjes në ujë të shkëmbinjve gëlqerorë. Gropat karstike kanë formën e hinkave. Si pasojë e kimisë shekullore të natyrës, në zonë është krijuar një ekosistem tepër interesant. Flora dhe fauna është gjithashtu e pasur me bimësi dhe lloje të ndryshme kafshësh. Ky monument i natyrës mund të vizitohet duke ndjekur rrugën automobilistike Tiranë-Dajt-Bizë që zgjat 2 orë.

Mali me Gropa, Tiranë. Foto nga Elis Puka

Fshati Petrelë

Fshati është një nga destinacionet më të bukura të rrethinave të Tiranës. Me një kala që kulmon masivin shkëmbor të fshatit, zona përbën një nga destinacionet e preferuara për ecje dhe pedalim me biçikletë. Fshati ndodhet vetëm 15 kilometra larg Tiranës dhe është lehtësisht i arritshëm me makinë ose me transport publik. Rruga është e mirë dhe segmenti që të çon në Petrelë është pjesë e rrugës Tiranë-Elbasan. Mund të parkosh makinën në qendër të Petrelës dhe mund të nisësh ecjen ose pedalimin në shtigjet përreth fshatit. Lëndina të vogla që ndodhen rreth kulmit shkëmbor të Kalasë janë ideale për të organizuar një piknik.

Kalaja e Petrelës, foto nga IntoAlbania.