Zbuloni Destinacionet e 2021 – Nga Perlat e Fshehura Natyrore tek Shtigjet Malore - Into Albania

Zbuloni Destinacionet e 2021 – Nga Perlat e Fshehura Natyrore tek Shtigjet Malore

Viti 2020 ishte një vit i vështirë, por me shpresën që një vit më i mbarë na pret, IntoAlbania për të gjithë të apasionuarit e udhëtimeve sugjeron destinacionet interesante që duhet të bëhen pjesë e listës tuaj për t’u vizituar gjatë këtij viti.

1. Shtegu i Ngjyrave

Nëse jeni në kërkim të adrenalinës dhe eksperiencave të reja Shtegu i Ngjyrave është ideali. I lashti mbi 2400 vjeçar ky shteg  pozicionohet në jug të maleve të Sharrit dhe kufizohet nga trekëndëshi ndërkufitar Kosovë-Shqipëri-Maqedoni e Veriut. Guidat e zonës këshillojnë që idealja për të vizituar këtë shteg, i cili është pjesë e Parkut Natyror Korab-Koritnik, është stina pranverë-verë, për shkak të pamjes magjike dhe kurores me lule që kjo zonë ofron.

Shtegu i Ngjyrave, foto Afrim Tahiraj

2. Leskoviku

Shqipëria ka vende të cilat pa hezitim mund ti quash ‘Parajsa mbi tokë’ pasi Zoti nuk ka kursyer as më të voglin detaj. Një nga thesaret e çmuara jo vetëm për bukuritë natyrore por dhe për vetitë kurative shëndetësore, janë Llixhat e Leskovikut.  Ndër të tjera ju mund të vizitoni edhe Rezervatin natyror i Gërmenj-Shelegurit është një vend turistik, i cili ndodhet në rrethin e Kolonjës drejt rrugës për në Leskovik, i rrethuar me male dhe me një natyrë të virgjër tepër piktoreske.

Leskovik, foto ferma Sotira

 3. Radomira

E pozicionuar rrëze Korabit, Radomira është një nga perlat e natyrës, e pasur me ajër të pastër si edhe e rrethuar nga pishat e shumta që i shtojnë edhe me shumë bukurinë. Këtë destinacion mund ta vizitoni në çdo periudhë të vitit, ajo që do ju mahnisë më shumë përveç natyrës, është mikpritja si edhe gatimet tradicionale, të cilat kanë një shije unike të produkteve të freskëta që banorët i përgatisin me shumë dashuri.

Radomirë, foto Bujtina Korabi

4. Çajupi

Nga veriu në jug me një peisazh mbreslënës vendi ynë gëzon të gjitha format e relievit, ku mbizotërojnë vargmalet dhe malet. Çajupi me natyrën e egër, ajrin e pastër, mjedisin e këndshëm, ofron mundësi për të kaluar momente relaksi sidomos për ata që duan të largohen nga jeta e zhurmshme urbane, larg stresit dhe rutinës së përditshme. Për më sportivët, mali i Çajupit mbetet edhe një ftesë e hapur për të apasionuarit pas turizmit malor.

Çajupi, foto nga facebook.com/Cajupi

 5. Selca

Në skajin më verior të Alpeve ndodhet Malësia e Kelmendit, ku bën pjesë edhe Selca. Itenerari për të mbërritur këtu është një rrugëtim plot gjarpërime e ballkone panoramike që do të të bëjnë të ndalosh herë pas here për të parë nga afër Leqet e Hotit, Luginën e Cemit, si dhe të shijosh pamjet e shumta spektakolare që shfaqen së largu. Dhe nëse programoni të vizitoni Selcën mos u largoni pa parë ujëvarën e Selcën, që ndryshe banorët e quajnë ujëvara e Sllapit. Fshati Selcë është një galeri e pasur me peizazhe natyrore që kërkon ditë për t’u eksploruar, jo vetëm për  t’i shijuar, por edhe për të udhëtuar në histori.

Ujëvara e Selcës, foto Afrim Tahiraj

6. Iballa

I fshehur në veri të Shqipërisë dhe gati e harruar Iballa, është një thesar për tu zbuluar, jo vetëm në aspektin natyror, por edhe historik. E pozicionuar në afërsi të Pukës, ajo ka qenë e banuar mijëra vite para Krishtit. Resursert historike dhe natyrore që ky vend ka, do ju surprizojnë, mes kullave unike, rrënojave të kishave të vjetra, por edhe bukurive natyrore, do e bëjnë Iballën destinacionin gjithëstinor.

Iballa, foto Edison Mirakaj

7. Tragjas

Nëse jenë në kërkim të aventurës dhe historisë fshati Tragjas është ideali. I pozicionuar në afërsi të Vlorës kjo zonë  shquhet për peizazhe natyrore me vlera të larta, si dhe një natyrë të padëmtuar. Ajo çfarë e bën më intersante këtë fshat është siti i tij historik, i cili arrihet me makinë 4×4 ose në këmbë duke ndjekur një shteg të vjetër, të shtruar me kalldrëm e që kalon kryesisht në hijet e rënda të pemëve të vjetra të zonës.Gjatë udhëtimeve të tij, piktori i famshëm Eduard Lear, ka ardhur në Tragjasin e Vjetër, ku ka qëndruar një natë. Sipas historianëve, ai ishte mrekulluar nga natyra dhe pozicioni gjeografik i fshatit.

Tragjas, Vlorë. Foto nga Elton Çaushi

8. Vithkuqi

Vithkuqi është një nga zonat jo shumë të njohura, por të pasura me shumë histori, traditë dhe kulturë dhe konsiderohet si një nga fshatrat më mbresëlënëse me një panoramë përrallore. E pozicionuar në afërsi të Korçës, në të ju do të mrekulloheni, jo vetëm nga kishat e shumta, por edhe nga shtigjet e virgjëra të Vithkuqit, si dhe nga gatimet karakteristike të zonës, të përgatitura plot shije.

Vithkuq, foto DRTKK Korçë

9. Plazhi i Kakomesë

I pozicionuar në afërsi të Sarandës Plazhi i Kakomesë, është ndër të pakta të virgjëra në Shqipëri. Plazhi i Kakomesë me rërë e zhavor të hollë midis variacioneve të kaltërsisë dhe gjelbërimit është një parajsë e vërtetë. Kakomeja duhet thjesht jetuar, nën diell, anës dallgëve të lehta, nën ujë, duke eksploruar bimësinë, duke e vrojtuar së largu e duke u rikthyer sërish në breg për t’u siguruar se nuk është një ëndërr

Kakome, Sarandë

10. Ishulli i Maligradit, Prespë

I pozicionuar në afërsi të Korçës, ishulli ndodhet në Liqenin e Prespës.  Është një ndër atraksionet më të veçanta, ku mund të shkohet për 20 minuta me varkë. Ky ishull ka dhe një ndër pasuritë kulturore më të vyera që ne kemi, kishën e Shën Mërisë, e cila daton në shek. XIV. Në këtë monumentet fetare spikasin ikonografitë dhe afresket shumëngjyrëshe të shenjtorëve të ndryshëm dhe mbart vlera të trashëgimisë kulturore. Ishulli nuk është i banuar, por popullohet në sezonin veror nga turistët e shumtë kurioz të historisë dhe kulturës vendase.

Foto nga Afrim Tahiraj

Kisha e Shën Mërisë, Ishulli i Maligradit. Foto nga Afrim Tahiraj

Ishulli i Maligradit. Foto nga Afrim Tahiraj