Ishulli i Sardës: Qyteti mesjetar që u kthye në ishull - Into Albania

Ishulli i Sardës: Qyteti mesjetar që u kthye në ishull

Një nga vendet më interesante për t’u vizituar jo vetëm për historinë, por edhe për natyrën tejet tërheqëse, është Ishulli i Shurdhahut, i njohur dhe si Sarda në histori!

Nëse jeni duke lundruar mbi lumin Drin, rreth 15 km larg nga Vau i Dejës, do të ndesheni me Ishullin e Shurdhahut. Pas krijimit të hidrocentralit të Vaut të Dejës, u krijua një liqen artificial që ktheu kodrën në të cilën ndodhen rrënojat e qytetit mesjetar të Sardës në një ishull.

Foto nga IntoAlbania.

Historia

Dëshmitë më të para historike për krijimin e një qendre të banuar këtu vijnë që nga shekulli i shtatë apo tetë, falë prezencës së nekropolit në zonën e jashtme të qytetit, si dhe rrënojave të një kalaje romake. Sot në ishull mund të admirohen rrënojat e qytetit mesjetar që dikur njihej me emrin e Sardës, sot si Ishulli i Shurdhahut (apo edhe Kalaja e Shurdhahut). Kulturat e ndryshme të Malësisë, mirditës apo Zadrimës takoheshin tek ky qytet.

Rrënojat e Sardës, foto nga IntoAlbania.

Sarda ka patur dhe një numër mjaft të madh kishash, ndikuar dhe nga fakti që për disa shekuj ka qenë dhe qendër peshkopale (shekulli 12-15). Një ndër objektet më të dallueshëm në ishull është katedralja e dikurshme e Sardës, e cila është lehtësisht e vizitueshme edhe sot.

Kisha në ishull, foto nga IntoAlbania.

Lekë Dukagjini

Edhe një nga figurat më të rëndësishme historike të kohës së Skëndërbeut, Lekë Dukagjini, lidhet me historinë e Sardës, duke qenë se Sarda ka shërbyer dhe si rezidencë e tij. Vetë familja e Dukagjinëve ka mbajtur drejtimin e qytetit deri në momentin kur u pushtua nga Perandoria Osmane.

Ishulli

Në total gjatësia e ishullit nga njëri skaj në tjetrin është 393 metra, tek sa kodra kap lartësinë e 130 metrave. Ishulli arrihet lehtësisht dhe nga fshati Rragam, që ndodhet vetëm 6 kilometra larg. Peizazhet e liqenit artificial si dhe kodrat e shumta përreth, e bëjnë këtë ishull një atraksion jo vetëm historik e kulturor, por edhe natyror që nuk duhet humbur.

Foto nga IntoAlbania.

Foto nga IntoAlbania.

Explore More