Laguna Kune-Vain - Atraksioni Turistik i Bekuar me Traditë dhe Histori - Into Albania

Laguna Kune-Vain – Atraksioni Turistik i Bekuar me Traditë dhe Histori

Lezha nuk është vetëm një vend i bekuar me një natyrë të stolisur dhe të pasur me traditë e histori, por është edhe një ndër vendet më të lakmuara nga turistët

Fare pranë Lezhës shtrihet edhe kompleksi lagunor Kune-Vain, i cili pozicionohet në jugperëndim të Shëngjinit dhe në perëndim të fshatrave të Ishull Shëngjinit dhe Ishull Lezhës. Kjo zonë është e pasur me shumë traditë, histori dhe trashëgon vlera të papërsëritshme natyrore. E nëse e vizitoni këtë hapësirë do të takoheni edhe me një  pyll tipik mesdhetar i cili ka një florë dhe një faunë të mrekullueshme.

Laguna Kune-Vain, Lezhë. Foto nga Gjergji Figuri

Rezervat Natyror i Menaxhuar Kune -Vain-Tale

Kompleksi ligatinor i Lezhës shtrihet në një sipërfaqe prej më shumë se 30 km2 dhe është një zonë e rëndësishme për shpendët migrues dhe veçanërisht e njohur gjatë viteve të fundit për koloninë e çafkës së verdhë dhe të vogël të bardhë (Ardeidae). Për vlerat e natyrës që mbart si edhe për biodiversitetit, kjo zonë është shpallur si hapësirë e mbrojtur dhe ka marrë emërtimin Rezervat Natyror i Menaxhuar. Në të vërtetë Kune-Vaini është zona e parë e mbrojtur në historinë e ruajtjes së natyrës në Shqipëri, pasi që prej vitit 1960 është shpallur Rezervat Gjuetie. Një vizitë në këtë zonë do ju bëjë të mahniteni nga larmia e madhe e habitateve si edhe nga një pasuri fantastike e faunës. Sipas të dhënave të Qendrës së Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) më shumë së 360 specie kafshësh kanë përshkruar rajonin e Kune-Vainit dhe ka rreth 190 specie të cilat janë të listuara në listën e kuqe të specieve të Shqipërisë.

Me një territor të virgjër kjo zonë mund të shtrytëzohet nga vizitorët për të gjitha bukuritë dhe resurset që ofron. E shtrirë në një hapësirë të vogël, çdo kush do të mahnitet nga panorama e mrekullueshme natyrore, bregdetin që është pak metra larg kësaj lagune, si edhe historikun që mbart në vetvete. Të gjitha këto ndërthuren mirë me kulturën, veshjet, muzikën si edhe gatimet tradicionale, të cilat e kanë kthyer këtë zonë në një potencial të madh turistik.

Laguna Kune-Vain, Lezhë. Foto nga Gjergji Figuri

Laguna Kune-Vain, Lezhë. Foto nga Gjergji Figuri

Laguna Kune-Vain, Lezhë. Foto nga Gjergji Figuri

Kuriozitete

Kjo zonë ruan tradita, vlera historike dhe arkitekturore. Madje në fund të viteve ’30, ka qenë ndër më të preferuarat e pushtetarëve italian, të cilët ndërtuan në këtë vend kompleksin me vlera arkitekturore, i cili sot njihet me emrin Hoteli i Gjuetisë. Kjo ndërtesë e njohur ndryshe edhe si Vila e Kontit Çiano ende edhe sot vijon të mbetet një vlerë e shtuar për këtë zonë. Kompleksi në fjalë, është konsideruar si vendi i preferuar i Çianos i cili në atë kohë ishte ministri i Jashtëm i Italisë. Sot Hoteli i Gjuetisë administrohet nga pronarët e tokës dhe pa frikë  mund të konsiderohet si hapësira që i dha një hov të madh turizmit në vend.

Hoteli i Gjuetisë në Lagunën e Vainit. Foto Gjergji Figuri

Hoteli i Gjuetisë në Lagunën e Vainit. Foto Gjergji Figuri

Explore More