Kanioni i Holtës - Into Albania

Kanioni i Holtës

Turizëm Malor

Kanioni i Holtës

Turizëm Malor

Magjia e Kanionit të Holtës

Një nga sekretet më mbresëlënëse që Shqipëria ende rezervon për turistët vendas dhe të huaj është Kanioni i Holtës. Të paktë janë ata që e kanë dëgjuar, e akoma më të paktë ata që e kanë parë nga afër këtë mrekulli që arrihet në më pak se dy orë me makinë nga Tirana. Shumë pranë Gramshit, një nga perlat e natyrës shqiptare ka qenë e mbuluar për vite me radhë nga harresa për shkak të mungesës së infrastrukturës. Ndërtimi i Hidrocentralit të Banjës solli dhe investimet në të gjithë segmentet rrugore, duke e bërë fare të lehtë vizitën e këtij monumenti natyror

Tek sa i afrohesh kanionit, syri të shesh së largu një urë druri të vjetër që varet mes dy shpateve në hyrje të tij, që ngjan si të kish dalë nga ndonjë skenë filmi e ‘Piratëve të Karaibeve’. E megjithatë nuk jemi në sheshxhirimet e filmit amerikan diku në ndonjë vend aziatik, por jemi në ‘sheshxhirimet’ e një dite që ju përket ju ta shijoni e ta filmoni ne memorien tuaj ashtu si duhet. Qetësi dhe eko, bimësi që kacavirren shpateve dhe ujë që rrjedh nëpër këmbët e tua, e po ashtu edhe nga shkëmbinjtë, duke krijuar disa ujëvara të mrekullueshme në miniaturë. Pak më tutje, edhe gropa me ujëra termal. Fundi i kanionit kulmon me një gur madhështor i cili duket i vendosur aty para shumë kohësh nga ndonjë krijesë mitologjike.

Nëse do i mbetemi besnik Prustit që mendonte se udhëtimi i vërtet është ai ku ne adaptojmë një shikim të ri ndaj hapësirave që na ofrohen, në Kanionin e Holtës është fare e thjeshtë ta bësh këtë. Në një botë ku çdo monument mbresëlënës natyror të serviret aq shpesh e aq ngultas përmes medias e rrjeteve sociale, ky kanion ngjan si i lindur enkas për udhëtarin që kërkon ta zbulojë përpara të tjerëve tokën e premtuar.

Kanioni i Holtës shtrihet përgjatë 3 kilometrave, me shpatet e luginës që arrijnë deri në 100-150 m dhe me thellësi të ujit që shkon deri në 3 m. Kanioni ka shpate të thepisura të mbushura me shpella karstike, si dhe gropa me ujëra termale. Frekuentimi zakonisht nis nga periudha e pranverës deri në fillim të vjeshtës, pasi në periudha me reshje të shumta ngritja e nivelit të lumit e bën të vështirë apo në ditë të caktuara të pamundur përshkimin e gjithë kanionit me këmbë.

Një nga karakteristikat e kanionit është ngushtica e herëpashershmë mes shpateve, që të krijojnë një ndjesi izolimi total nga pjesa tjetër e rruzullit. Nësë gabimisht lëshon ndonjë pasthirrmë, ekoja e zërit përcillet disa herë nga shpatet që duket sikur e shijojnë pamasë të vetmen lojë fëmijënore që mund të bëjnë përmes trupave të tyre gjigand.

Qetësi dhe eko, bimësi që kacavirren shpateve dhe ujë që rrjedh si në këmbët e tua, ashtu dhe nga shkëmbinjtë duke krijuar disa ujëvara të mrekullueshme në miniaturë. Pak më tutje dhe gropa me ujëra termal. Fundi i kanionit kulmon me një gur të stërmadh që ngjan i vendosur enkas aty përpara shumë kohësh nga ndonjë krijesë mitologjike e një kohe tjetër, që ju bën me dije se për të dalë do ju duhet të ktheheni sërish andej nga erdhët. Ndoshta është koha për pak pushim.

Për t’u patur në konsideratë: Në kushtet e motit me shi, edhe gjatë verës, mund të rritet sasia e ujit në mënyrë të papritur niveli i ujit duke e bërë shumë të vështirë përshkimin e tij.

 

Nga: IntoAlbania

Çfarë ofron Elbasan

Të ngjashme

Të rejat

Zhvilluar nga Frakton & Dizenjuar nga project.graphics