Kanioni i Lengaricës - Into Albania

Kanioni i Lengaricës

Surpriza pranë Ujërave Termale të Benjës

Tek sa pjesa më e madhe e turistëve kanë dëgjuar vetëm për Ujërat Termale të Benjës, Parku i Bredhit të Hotovës rezervon për turistët një tjetër surprizë që nuk duhet humbur. Kanioni i Lengaricës me gjatësinë e konsiderueshme prej 4-5 km dhe lartësinë deri në 150 metra, të mundëson një rrugëtim spektakolar mes shkëmbinjve të krijuar prej miliona vitesh, e lumit kurativ të Lengaricës që rrjedh aq bukur përmes tyre. Është pikërisht ky lum që krijon dhe Ujërat Termale me vetitë e njohura kurative (kliko këtu për artikullin përkatës).

Rrugëtimi nis tek ura osmane e shek. XVIII që njihet dhe si ‘Ura e Katiut’, dhe vazhdon përgjatë lumit që të drejton tek shpatet e thepisura të Kanionit. Shkëmbinjtë edhe pse të ndarë, duket sikur janë në përpjekje të mundimshme për t’u bashkuar. Në momente të caktuara afrohen aq shumë pranë njëri-tjetrit sa të duket sikur je duke përshkuar një tunel natyror, që falë valëzimeve të shkembinjve e hijes së krijuar, të izolon tërësisht nga bota.

Përgjatë Kanionit do të keni mundësi të shihni disa shpella, ku spikat Shpella e Pëllumbave. Kjo shpellë është e gjatë 160 metra dhe e lartë deri në 3 metra, dhe përveç pamjes tërheqëse të saj, mbart vlera të shumta shkencore, didaktike e kulturore, falë mbetjeve të njeriut të gjetura aty që i përkasin periudhës neolitike (mbi 4000 mijë vjet para Krishtit).

Atmosfera që krijohet nga lumi gurgullues e gurët e bardhë, ujërat termale që burojnë rrëzë shpellave, e bimët që kacavirren shpateve, është tejet mbresëlënëse e do ju bëjë të doni të zgjasni sa më shumë qëndrimin aty. Për këto arsye nëse keni në plan të vizitoni Ujërat Termale, nuk duhet të humbisni emocionet e jashtëzakonshme që të përcjell rrugëtimi deri në fund i Kanionit të Lengaricës.

Si të shkosh: Ndiqet rruga automobilistike Përmet – Petran – Banjat, e mandej ndiqet rruga për në Kanion.

Kohëzgjatja e ecjes: rreth 4 orë deri në fund të Kanionit.

Explore More