6 vendet ku të shohësh perëndimin në Durrës - Into Albania

6 vendet ku të shohësh perëndimin në Durrës

Si të gjitha qytetet bregdetare, edhe në Durrës mund ta shikoni perëndimin e diellit në plot pika interesante. Ne po japim disa sugjerime, por nëse keni të tjera mund të na i shkruani.

Kepi i Rodonit

Kepi i Rodonit është një vend natyror i shkëputur nga qendra e qytetit, por që ja vlen totalisht kohën tuaj. Ky rrip i lartë toke në formë gadishulli shtrihet në detin Adriatik dhe ofron peizazhe tërheqëse, ku në perëndim të duket vërtet vend i magjishëm. Kepi që rrethohet nga faleza të gjalla me lartësi rreth 25 metra, është i njohur dhe për Kalanë e Skënderbeut.

Cape of Rodon

Kepi i Rodonit, foto nga Intoalbania.

Gjiri i Lalzit

Sugjerim i dytë shkon për plazhin shumë popullor e të njohur të Gjirit të Lalzit. Gjatë verës ky është një nga vendet më të frekuentuera për shkak të plazhit të pastër, si dhe bareve e restoranteve të shumta që gjenden pranë detit. Ndërkaq perëndimi përherë këtu është fantastik, me diellin që zhytet i kuq në det.

The Lalzi Bay Beach

Gjiri i Lalzit, foto nga IntoAlbania.

“Fly Bar”

Ky bar gjithashtu është një nga vendet më popullore për t’u vizituar, me një ambjent komod e pamje panoramike mbi qytetin, rrethinat, dhe padiskutim detin. Gjatë perëndimit një vizitë këtu bëhet akoma më sugjestive, pasi do të mund të shikoni se si jo vetëm deti, por i gjithë qyteti reflekton ngjyrat e ngrohta.

Panorama nga “Fly Bar”, foto nga IntoAlbania.

Sfinksi

Falë shkallareve të Sfinksit, gjithmonë në perëndim do të shohësh njerëz që bëjnë foto, selfie, apo thjesht shijojnë atmosferën e këndshme të ngjyrave të diellit e qiellit që reflektohen mbi det.

Foto nga Kejsi Ferhati.

Foto nga IntoAlbania.

Charlie Max Marina

Arkitektura mesdhetare, gatimi i shkëlqyer i peshkut e frutave të detit, dhe panoramat që duken prej këtej, janë elementet kryesorë që e bëjnë këtë vend një nga më të pëlqyerit në qytet. Për rrjedhojë, edhe perëndimi këtu nuk duhet humbur, pasi ambjenti që krijohet është tejet romantik e shlodhës.

Pamja nga Charlie Max Marina, foto nga IntoAlbania.

Spille

Plazhi i Spillesë është për ata që duan të shijojnë detin, rërën, apo dhe perëndimin, në qetësi dhe të shkëputur nga zhurma apo popullimi i zonave të tjera. Nuk mund të mos ishte dhe pjesë e kësaj liste.

Foto nga IntoAlbania.