Sfinksi - Into Albania

Sfinksi

Një Sfinks në breg të detit

Nëse shkon në Durrës, duhet patjetër të kalosh nga Vollga, shëtitorja ku asnjëherë nuk mungojnë turistët, lojërat për të rritur e fëmijë, restorantet e peshkut ose ato me kuzhinë italiane, piktorët, muzikantët dhe artizanët në trotuar. Në hyrje të shëtitores, një urë moderne ju çon tek Ventus Harbor Hotel, ku mund të zgjidhni mes një pije, pjate apo ëmbëlsire gjithmonë pranë aromës fantastike të detit Adriatik.

Shëtitorja zgjatet në breg të detit deri tek një monument i ndërtuar rishtas i quajtur Sfinksi, që fton qytetarët me format dallgëzuese gjatë ditës e një ndriçim modern gjatë natës.

Ajo çka e bën aq tërheqëse këtë monument është shumëllojshmëria e eksperiencave që mund të përftohen në një hapësirë e vetme. Në Sfinks mund të ulesh në shkallare, të shijosh shkëlqimin e detit, të kundrosh se si kalimtarë të rastit krijojnë lojëra me hije tek sa i kthejnë kurrizin diellit, të lexosh një libër tek sa zërat e të qeshurat e njerëzve përhumben me dallgët.

Format interesante dhe loja e këtij monumenti me detin e dritën e kanë kthyer shumë shpejt në një nga destinacionet më të vizituara e të fotografuara të bregdetit shqiptar. E projektuar nga BOOM Landscape dhe Cityförster, ekpsertë të hapësirave publike dhe ndërthyrjen e tyre me natyrën e qytetin, Sfinksi përbën një prej monumenteve më versatilë në vend.

Në mbrëmje, monumenti kthehet në një hapësirë sa romantike, aq edhe rinore e familjare me biseda që mund të zgjasin me orë të tëra pranë erës e zhurmës së detit. Shëtitorja e Durrësit falë monumenteve e përvojave të ndryshme që ofron, nuk mund të humbet nga asnjë turist që do të njohë shpirtin e vërtetë të qytetit.

Explore More