Top 10 eventet më interesante të korrikut - Into Albania

Top 10 eventet më interesante të korrikut

Jeni gati për një tjetër muaj vere plot me aktivitete? Më poshtë po ju paraqesim 10 eventet më interesante të korrikut:

1. Ekspozita “Kolë Idromeno në retrospektivë”, Galeria Kombëtare e Arteve, gjithë muajin

Një nga mjeshtrat më të mëdhenj të pikturës shqiptare, sillet përmes një ekspozite të veçantë në Galerinë Kombëtare të Arteve. Që nga piktura “Motra Tone”, e njohur ndryshe dhe si “Mona Liza shqiptare”, e pikturuar në 1883, deri tek tabloja e përmasave danteske “Dy rrugët”, publiku do të njihet me kryeveprat e Idromenos, që si rrallëherë ekspozohen pranë njëra tjetrës.

Kolë Idromeno, “Dy rrugët”. Foto nga IntoAlbania.

2. Filmat tek “Reja”, Tiranë, 1-8-15-22-29 korrik

Çdo të hënë Reja, instalacioni i vendosur pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, do të shfaqë një film italian, në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës. Që nga Sophia Loren, tek Claudia Cardinale apo Gina Lollobrigida, emrat që kanë bërë historinë e kinemasë italiane do i japin një tjetër shkëlqim netëve të verës të Tiranës. Orari i filmit: 9 PM.

Sou Fujimoto’s “Cloud”

“Reja” e Sou Fujimoto’s , Tiranë, foto nga IntoAlbania.

3. Hernan Cattaneo, Project 12, Dada, Tiranë, 3 korrik

Korriku nis plot me entuziazëm në Dada, Tiranë, përmes dj argjentinas Hernan Cattaneo, i cili do të performojë muzikën e tij progressive house për publikun e kryeqytetit. Biletat shiten tek Dada më datë 3 korrik, me një çmim prej 500 lekësh.

Posteri zyrtar i eventit.

4. Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës, Durrës, 4 – 21 korrik

Janë plot 7 takime të Muzikës së Dhomës, që realizohen në kuadër të festivalit të përvitshëm që mbahet në Durrës, në ambjentet sugjestive të Muzeut Arkeologjik. Festivali vjen tashmë në edicionin e 14-të, si konfirmim i një tradite mjaft të bukur që e sheh Durrësin të kthehet në kryeqytetin e muzikës së dhomës në Shqipëri për këtë muaj. Kliko këtu për më tepër.

Posteri zyrtar i eventit.

Kalendari zyrtar i eventit.

5. Kuarteti Minguet, Muzeu Arkeologjik, Durrës, 4 korrik

Nga Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës po shkëpusim si event të veçantë kuartetin Minguet, protagonistët e të cilit njihen për një atmosferë intime që përcjellin në të gjitha eventet ku marrin pjesë. Filozofia e grupit është ajo e të afruarit të një publiku sa më të gjerë me artet e bukura, për këtë arsye i kanë vendosur dhe grupit emrin e Pablo Minguet, një filozofi spanjoll që i mëshonte kësaj ideje. Eventi nis në orën 19:30 në Muzeun Arkeologjik. Për më tepër kliko këtu.

Kuarteti Minguet, burimi i fotos: facebook.com/goethezentrum.tirana.

6. Festivali Multikulturor, Berat, Edicioni VI, 18 – 19 – 20 korrik

Berati në korrik sjell një nga eventet më unike të verës në Shqipëri, përmes një festivali që i ka të gjitha: muzikë, traditë, folklor, muze të hapur deri në mbrëmje, gatim, kinema! Nëse doni të përjetoni ndryshe qytetin që është pasuri botërore e UNESCO-s, shënoni datat 18-19-20 korrik në kalendar, e bëhuni pjesë e festës që zhvillohet në simbolin e qytetit, Kalanë e Beratit! Për më tepër kliko këtu.

Posteri zyrtar i eventit.

7. Zbulo Bashtovën, 20 korrik, Vilë-Bashtovë, Kavajë

Një nga kalatë më interesante në Shqipëri, ajo e Bashtovës është ndërtuar në fundshekullin e 15-të në një hapësirë fushore.  Kalaja lihet thuajse përherë në harresë nga turistët, për shkak të turizmit detar të zonës përreth. Aktiviteti #ZBULOBASHTOVËN, synon të vendosë në hartën e turistëve këtë kala, përmes plot eventeve që do të zgjasin nga mëngjesi deri pasdite. Do të ketë muzikë, piknik, e plot shfaqje të ndryshme, ndaj mos mungoni. Për më tepër kliko këtu.

8. Turtle Fest, 26-27-28 korrik, Drimadhes

Tre ditë dhe tre netë festë dhe muzikë; 45 artistë nga Shqipëria dhe e gjithë bota; lojëra, plazh dhe aktivitete të ndryshme – Turtle Fest vjen në edicionin e 8-të më i pasur se asnjëherë! Festivali i përvitshëm veror i muzikës house, techno, elektronike e zhanreve të ngjashëm, sjell plot emra interesantë të panoramës muzikore ndërkombëtare si psh Sébastien Léger, GusGus, Hito etj. Vendndodhja mbetet si përherë në plazhin fantastik të Drimadhesit. Për më tepër informacione vizitoni faqen zyrtare: turtle-fest.com.

Posteri zyrtar i eventit.

9. Ekspozita “Fotografë të Juglindjes shqipare”,

Në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” është hapur ekspozita “Fotografë të Juglindjes shqiptare”. Disa prej autorëve më të mirë të fotografisë shqiptare të fundshekullit të 19-të dhe shekullit të 20-të, si Kristo Sulidhi, Perikli Kaçauni, Petro Dhimitri, Kristaq Sotiri etj, janë grupuar për të ofruar një udhëtim të rrallë në të shkuarën politike e shoqërore të Juglindjes përgjatë dy shekujve.

Marubi

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, foto nga IntoAlbania.

10. Rafting në Vjosë, Përmet, gjithë muajin

Përgjatë gjithë muajit do të ketë grupe që bëjnë rafting në Vjosë, ndaj mos e humbisni shansin të eksploroni atë që është quajtur “zemra blu e Evropës”. Kompania që organizon eventet është Albania Rafting Group, që është një garanci më shumë për cilësinë e organizimit. Për më tepër kliko këtu.

Lumi Vjosa, foto nga Alvaro Galvez.