24 orë në Durrës - Into Albania

24 orë në Durrës

Doni të kaloni një ditë në një qytet mijëra vjeçar, me dëshmi të jashtëzakonshme arkeologjike, e një vijë bregdetare që ngjan e pafundme? Më poshtë do të gjeni disa sugjerime se si të kaloni 24 orë në Durrës!

Mëngjes

Pasi të keni pirë një kafe në një nga vilat e këndshme përgjatë Bulevardit “Epidamn”, mëngjesin do bënit mirë t’ja dedikonit dhe “fëmijërisë” së qytetit, përmes vizitës në disa prej monumenteve më të rëndësishme arkeologjike në Durrës.

Ndërtesa tradicionale të qytetit. Foto nga IntoAlbania.

Një kafe intime pranë Bulevardit “Epidamn”. Foto nga IntoAlbania.

Amfiteatri i Durrësit

Niseni shëtitjen historike tek Amfiteatri i Durrësit. i ndërtuar gjatë shekullit të dytë të erës sonë. Amfiteatri mbetet një prej ndërtesave më të mëdha romake në rajon si edhe një prej mrekullive të kohës së perandorit Trajan. Për më tepër klikoni këtu.

Amphitheater of Durrës

Amfiteatrit i Durrësit, foto nga IntoAlbania.

Tregu Bizantin

Pasi të keni lënë pas Amfiteatrin, duke ndjekur Sheshin “Iliria”, do vazhdoni për tek Tregu Bizantin, që shquhet si një nga monumentet më të bukura të periudhës së vonë romake dhe asaj bizantine të hershme. Ndërtuar gjatë kohës së Perandorit Romak Anastas (481-518) në fund të shekullit të 6-të, së bashku me fortifikimet e qytetit-port, është një nga hapësirat më tërheqëse për të gjithë të apasionuarit e historisë së shkuar të Durrësit.

Byzantine Forum

Tregu Bizantin, foto nga IntoAlbania.

Muzeu Arkeologjik i Durrësit

Rrugëtimi për të njohur të shkuarën e qytetit nuk mund të quhet i plotë pa bërë një vizitë dhe tek Muzeu Arkeologjik i qytetit, që është një nga më të vizituarit në vend. Në muze do të gjeni plot objekte që përfshijnë periudhën prehistorike të Durrësit, periudhën arkaike, klasike dhe qytetare ilire.

Muzeu Arkeologjik i Durrësit, foto nga IntoAlbania.

Dreka

Kur të vendosni të bëni një pushim dreke, opsionet janë vërtet të shumta! Durrësi mbahet si një nga qytetet me gatimin më të shijshëm në Shqipëri, veçanërisht gatimet e detit. Restorant “Vertigo” është një nga më të frekuentuarit, për shkak të ushqimit cilësor, por edhe pamjeve të mrekullueshme të detit Adriatik. Nëse doni të lexoni listën e restoranteve të Durrësit, kliko këtu.

Pasi të keni mbaruar drekën, mund të zgjidhni të bëni një ndalesë të pika e akulloreve e famshme e Durrësit, Gelateria “Çela”. Këtu do të gjeni një shumëllojshmëri shijesh fantastike akulloreje, apo edhe ëmbëlsira të tjera, të cilat do mund t’i provoni duke ecur anës detit, në shëtitoren popullore që kulmon me Sfinksin.

Gelateria Çela, foto nga IntoAlbania.

Sphinx, Durrës Promenade

Sfinksi, Durrës, foto nga IntoAlbania.

Perëndimi i diellit

Si të gjitha qytetet bregdetare, mund ta shikoni perëndimin e diellit në plot pika interesante. Një nga vendet më të mira për të shijuar perëndimin është Charlie Max Marina, një bar-restorant tejet modern e me stil, që i vendosur në një pozicion strategjik ofron disa pamje mbresëlënëse të detit por edhe një pjese të qytetit. Nëse nuk doni të largoheni shumë nga qyteti, ky është vendi i duhur.

Pamje nga Charlie Max Marina, foto nga IntoAlbania.

Mbrëmja

Në mbrëmje, mund të zgjidhni të darkoni në një nga restorantet e përmendura në listën e restoranteve më të mira të qytetit. Shëtitorja “Vollga” anës detit është plot me njerëz edhe gjatë mbrëmjes, me restorantet dhe piceritë ku nuk gjen dot vende po të shkosh vonë. Nëse doni të ndaleni për një pije, “Fly Wine & Bar” është një nga vendet më të preferuara si nga turistët ashtu edhe nga vetë durrsakët, për shkak të panoramava 360 gradë të Durrësit.

Burimi i fotos: flybardurres.com.

Për ata që duan të qëndrojnë në qytet pas një ditë impenjative, Vila “Austria 1843” do të ishte zgjidhja perfekte. Historia dhe vjetërsia e vilës, si dhe njohja me të shkuarën e familjes Tedeschini, që ka dhënë një kontribut të shumanshëm në shoqërinë shqiptare, janë vetëm disa nga arsyet se përse ja vlen të shpenzoni kohën tuaj këtu. 

Dhoma e oxhakut tek Vila “Austria 1843”, foto nga IntoAlbania.

Sugjerime të tjera

Kepi i Rodonit

Këtu duhet shkuar patjetër me makinë, dhe është një vend natyror i shkëputur nga qyteti, por që ja vlen totalisht kohën tuaj. Ky rrip i lartë toke në formë gadishulli shtrihet në detin Adriatik dhe ofron peizazhe tërheqëse në çdo orë të ditës. Kepi që rrethohet nga faleza të gjalla me lartësi rreth 25 metra, është i njohur dhe për Kalanë e Skënderbeut.

Cape of Rodon

Kalaja e Skënderbeut dhe Kepi i Rodonit, foto nga Intoalbania.

Gjiri i Lalzit

Sugjerim i dytë shkon për plazhin shumë popullor e të njohur të Gjirit të Lalzit, i cili duhet vizituar gjithashtu me makinë. Gjatë verës ky është një nga vendet më të frekuentuera për shkak të plazhit të pastër, si dhe bareve e restoranteve të shumta që gjenden pranë detit. Ndërkaq perëndimi përherë këtu është fantastik, me diellin që zhytet i kuq në det.

Plazhet e Durrësit

Falë një vije bregdetare mjaft të gjatë, qyteti ka plot plazhe interesante që mund të doni të vizitoni. Në verë, shumë prej turistëve kalojnë pjesën dërrmuese të ditës pikërisht në to. Për të lexuar më tepër kliko këtu.

New & Trending

Choose a