Amfiteatri i Durrësit - Into Albania

Amfiteatri i Durrësit

Arena e lashtë dhe më e reja e Ballkanit

Amfiteatri i Durrësit mbetet një prej më të mëdhenjve të botës së lashtë dhe një ndër dhjetë amfiteatret më të bukur romakë. I mirënjohur në rrethet e entuziastëve të antikitetit, është një perlë e Ballkanit e cila gradualisht po del nga guaska e saj. I zbuluar relativisht vonë, në vitin 1966, zbulimi i Amfiteatrit u krye prej Vangjel Toçit në mënyrë paksa komike. Legjenda thotë se Vangjeli, arekeolog dhe banor i Durrësit, një ditë vërejti se një pemë fiku kishte zbritur disa metra brenda tokës. Kurioz, ai nguli kembë që toka të gërmohej. Me shumë të drejtë, pasi nëntokë ndodhej Amfiteatri i Durrësit i cili kërkohej prej vitesh por nuk gjendej.

I ndërtuar gjatë shekullit të dytë të erës sonë, Amfiteatri mbetet një prej ndërtesave më të mëdha Romake në rajon si edhe një prej mrekullive të kohës së perandorit Trajan. Për t’ju kursyer lexuesve kureshtarë kapërcimin në Wikipedia, Trajan-i mbahet si i dyti prej Perandorëve të Mirë Romakë. Më Trajan-in në krye të Romës për 19 vjet (98-117 p.s.e), perandoria lulëzoi e, bashkë me të, edhe ndërtimet e asaj kohe. Një pjesë e Amfiteatrit të Durrësit mbetet ende e pazbuluar, duke i shtuar këtij vendi sharmin e misterin e një vepre jo të plotë. Pavarësisht kësaj mungese, funksionet e tij ndër shekuj mbeten mëse të qarta edhe në ditët tona.

Arena, aty ku një herë e një kohë zhvilloheshin ndeshjet e gladiatorëve si edhe aktivitetet e tjera të shfaqura për kënaqësinë e perandorit romak Trajan, rrethohet nga shkallaret ku mendohet se shijonin spektaklin rreth 15 000 deri 20 000 spektatorë. I ndërtuar nga mjeshtërit vendas, me arenën, shkallaret, galeritë dhe dy menianume (ballkone apo llozha, për ata të cilët nuk studiojnë arkitekturën), në atë kohë amfiteatri vlerësohej si kolos i arkitekturës së lashtë. I përbërë prej gurësh dhe tullash, amfiteatri vishet nga një fasadë dy katëshe, me harqe e kolonadha të dekoruara me dritare të cilat shohin drejt qendrës së qytetit. Kalimi poshtë tuneleve në brendësi të amfiteatrit do tju kujtojë skenën e hyrjes së Maximus në arenën e Koloseut mes brohoritjeve të spektatorëve në filmin “Gladiator”, me gjithë ndjesitë që ajo skenë përcjell. Nëse e gjen veten në perëndim te amfiteatrit, do të gjëndesh pak hapa larg bregut të Adriatikut, ku mund të shohësh edhe Barin, qytetin e lashtë italian. Deri këtu, besoj se keni kuptuar se vizita premton shumë përjetime të lavdishme si edhe raste fotografike, jo më pak të rëndësishme në ditët e sotme!

Si në rastin e Koloseut, lojërat po aq argëtuese sa edhe vdekjeprurëse, shënuan pikën më kulminante të Amfiteatrit. Pasi ato u ndaluan prej perandor Honorit (393-423 p.e.s), rreth shekullit IV, pernadoria e së cilit përkoi me fillimet e rënies së Perandorisë Romake, arena e hershme e gladiatorëve në Amfiteatër u shndërrua në varrezë. Gjatë kësaj kohe, në Amfiteatër u ndërtua edhe një kishë ku realizoheshin ceremonitë fetare dhe funerale të të krishterëve të Durrësit. Fillmisht, muret e saj ishin të zbukuruar me afreske të cilat më pas u kthyen në panele mozaikësh të martirit të qytetit të Durrësit, Shën Stefanit, si edhe të plot shenjtëve të tjerë: Shën Stefani, Shën Marina, Shën Irena, Shën Sofia, dhe Shën Gabrieli. Pra, me sa duket, amfiteatri pati fatin të kalonte prej fazes së argëtimit në atë të pendimit. Por guida personale ju pret me të tjera mbi Amfiteatrin gjatë vizitës tuaj!

Pasi keni mbaruar udhëtimin ndër shekuj, mund të shëtisni në rrugët e qytetit të vjetër të Durrësit, dhe në perëndim të diellit, të uleni në një prej shumë restoranteve e lokaleve buzë detit.

Një eksperience e veçantë, po aq e re sa edhe e vjetër, e mirëpret entuziastin e historisë, artit, arkitekturës…po ashtu edhe të detit dhe frutave të tij, në qendër të qytetit të Durrësit. Vizita, më pak e rrezikshme dhe e shtrenjtë se në lashtësi – pasi edhe gladiatorët tashmë janë larguar dhe bileta, për fat të mire, kushton vetëm 3 Euro – mbetet kulturore, argëtuese dhe e shijshme.

Për më shumë informacion mbi oraret, klikoni këtu.

    Prill- Shtator, Cdo ditë 9:00- 18:00 Tetor-Mars 09:00 – 16:30
    Rruga"Kalase", Durrës Get Directions
    1 Orë

Explore More