Sheshi Iliria - Into Albania

Sheshi Iliria

Qendra moderne e qytetit të lashtë

Durrësi shtrihet përgjatë bregut të detit Adriatik me një vijë bregdetare domethënëse. Është një nga kryeqendrat e trashëgimisë kombëtare dhe ndërkombëtare për shkak të pozitës gjeografike, si portë hyrëse në Ballkanin Perëndimor. Ai ka qenë e vazhdon të jetë një ndër qytetet më të frekuentuara të vendit, sepse bashkë me plazhin e tij dhe afërsinë me Tiranën, ky qytet antik ofron aktivitete të shumta kulturore e historike.

Qyteti ka pësuar ndryshime të mëdha që kanë lënë gjurmë në një nga pellgjet më të pasura me arkeologji dhe histori antike. Kohët e reja po imponojnë një urbanizim të shpejtë që i përshtatet ndërthurjes së objekteve të trashëgimisë së qytetit dhe shijeve të arkitekturës së ditëve tona. Sheshi “Iliria,” simbol i qytetit të Durrësit, është dëshmi e një harmonie të re, që synon ti japë qytetit dinamikën e turizmit dhe konservimit të jetesës së komunitetit lokal. Aty gjen hapësirën e jetës publike dhe administrative, rivlerësimin e identitetit të qytetit dhe terrenin për jetesë komunitare më të gjallëruar.

Ndërtesat kryesore

Një godinë që shfaqet pas dekoracioneve bimore me një arkitekturë tradicionale bregdetare është ndërtesa e Bashkisë. Ndërtuar në vitin 1929 për funksione administrative, ajo ruajti këtë pozicion në sheshin tradicional të Durrësit. Në të majtë të saj është vendosur sahati i qytetit. Fasada e gjitha është dekoruar me relieve gjeomtetrike. Një ndër objektet më të vjetër në Shqipëri të fesë islamike gjendet pikërisht në Durrës, pak metra larg sheshit. Bëhet fjalë për xhaminë “Fatih”, ngritur rreth viteve 1502-1503 mbi rrënojat e një bazilike të shekullit të 11-të. Ky objekt mori statusin monument i trashëgimisë kulturore në vitin 1973. Sheshi rregjistron edhe një objekt të ri në moshë, por të rëndësishëm për ushqimin kulturor të qytetit. Teatri “Aleksandër Moisiu” një godinë me arkitekturë modeste (1953), mban emrin e aktorit me famë ndërkombëtare që lindi në Durrës.

Rrënojat antike

Vetëm 250 metra larg sheshit gjendet Amfiteatri i Durrësit, një prej më të mëdhenjve të botës së lashtë dhe një ndër dhjetë amfiteatret më të bukur romakë. I ndërtuar gjatë shekullit të dytë p.e.s, Amfiteatri 2700-vjeçar mbetet një prej mrekullive të kohës së perandorisë Romake. Por, nisja nga sheshi Iliria të çon edhe në shumë vende të tjera të bukura të Durrësit. Një shëtitje rreth tij të jep një përmbledhje të mirë të historisë dhe bukurisë së këtij qyteti të lashtë bregdetar.

Explore More