Tregu Bizantin në Durrës - Into Albania

Tregu Bizantin në Durrës

Hapësira e së djeshmes

Sot Tregu Bizantin mbetet qendra e qytetit modern të Durrësit ashtu si, një herë e një kohë, ai ka qënë qendra romake bizantine e qytetit të vjetër të quajtur Dyrrhachium apo Dyrrah në kohët e lashta. Ai shquhet si një nga monumentet më të bukura të periudhës së vonë Romake dhe asaj Bizantine të hershme. Falë strukturave të këtij kompleks të gjerë, ai ka një ngjashmëri të veçantë me Tregun Rrethor në Konstandinopojë, i cili nuk ekziston më që prej vitit 1204.

Fatmirësisht, ndonëse tashmë i rrethuar me qytetin modern të Durrësit, Tregu Bizantin është mirëmbajtur ndër shekuj për të dëshmuar arkitekturën e një kohe të lavdishme. E kur e sheh këtë treg nga afër ndjen edhe frymën e asaj kohe! Ndërtuar gjatë kohës së Perandorit Romak Anastas (481-518) në fund të shekullit të 6-të, së bashku me fortifikimet e qytetit-port, ky konstruksion shquhej si një nga më të fortët në të gjithë zonën e Ballkanit. Sipas historianëve, muret kishin një trashësi aq të gjerë sa disa kalorës mund të qëndronin krahas njëri-tjetrit mbi to. Kjo, pra, shpjegon pse ky treg vazhdon qëndron krenar në mes të qytetit!

Çdo vizitor mund ta vështrojë dhe të prekë nga afër portikët që formojnë rrethoren e tregut.

I zbukuruar me kolona e me pllaka të mëdha prej mermeri, paraqitja arkitekturore e tij dëshmon funksionin e një shesh-tregu të hapur. Është e qartë se zona rrethore e cila shtrihet me një gjatësi prej 40 m brenda një kolonade në qendër përbënte një hapësirë të përdorur më tepër për aktivitete formale. Ky treg nuk ishtë ideuar thjesht për tregëti e prandaj ai njihet edhe si Forumi Bizantin. Zona rrethore me një diametër pothuajse prej 6 m mund të ketë mbajtur një statujë monumentale apo një kolonë e përreth saj, në formë rrezore, ngriheshin ambiente shërbimi e tregëtie. Kolonat e këtij tregu tashmë janë edhe korniza të bukura përmes së cilave shihen grimcat e qytetit të ri.

Durrësi, si qytet port pranë detit, ka qënë gjithmonë një pikë strategjike e, për këtë arsye, ai ruan plot histori brenda tij. Ndërsa kalon nga qendra e qytetit, vizitori ka mundësi të vizitojë një tjetër monument madhështor, Amfiteatrin Romak të shek të I-rë A.D, i dyti më i madhi në gjithë Ballkanin, e gjithashtu muret e Kalasë, Torrën veneciane, Muzeun Arkeologjik, Muzeun Etnografik e shumë vende të tjera nga të cilat mëson historinë e pasur të këtij qyteti antik. Në fund, ashtu si me Romën, të gjitha rrugët të risjellin tek sheshi bizantin!

    Rruga "Bukuroshja e Durrësit", Durrës Get Directions
    1 hr

Explore More