Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës - Into Albania

Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës

Të rikujtosh të shkuarën për të mos e përsëritur

Të pakta janë vendet ku tmerri i diktaturës komuniste mund të kuptohet sadopak në ditët e sotme. Një prej tyre është dhe “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”, konceptuar si një muze përkujtimor në nderim të viktimave të regjimit komunist.

Historia e godinës

Godina u ndërtua në shekullin e 19-të nga Arsen Idromeno (babai i Kolë Idromenos), i cili e ndërtoi atë si shtëpi private. Me kalimin e viteve godina ka pësuar ndryshime, duke u kthyer fillimisht në një jetimore, pastaj në spital civil. Në vitin 1930 godina u ble nga Provinca Françeskane Shqiptare, për t’u kthyer në Kolegj. Diktatura komuniste e konfiskoi objektin, dhe vendosi të krijonte aty në vitin 1946 Degën e Punëve të Brendshme për Shkodrën, që do t’i shërbente një diktature shtypëse e mizore. Për më shumë se katër dekada aty u arrestuan e torturuan plot të burgosur politikë, kundërshtarë të sistemit, që burgoseshin aty deri në pritjë të vendimit të gjykatës.

Foto nga IntoAlbania.

Muzeu

Për të dëshmuar kalvarin e vuajtjeve dhe dhimbjeve të të burgosurve, godina tashmë është kthyer në një muze, ku vizitorët mund të njihen me fotografitë dhe emrat e të dënuarve nga sistemi komunist në Shkodër, të pushkatuarve apo internuarve. Nuk mungojnë objektet e përdorura prej tyre, shënimet apo dhe letërkëmbimet e bëra me familjarët. Një vëmendje e veçantë i kushtohet dhe klërikeve të vrarë apo dënuar nga sistemi.

Foto nga IntoAlbania.

Foto nga IntoAlbania.

Foto nga IntoAlbania.

Përmes një tuneli me harqe të kuqe, që simbolikisht përcjell gjakun e të dënuarve, muzeu të shpie drejt qelive të paraburgimit, ku atmosfera është ruajtur e tillë që të mund të përcjellë si duhet ankthin dhe tmerrin që përcillte ai vend deri në vitin 1992. Në muze do të mund të shikoni 23 qeli në katin e parë, dhe 23 qeli të tjera në katin e dytë.

Foto nga IntoAlbania.

Një ndër emrat më të spikatur që ka qëndruar në këto qeli, është dhe ai i At Zef Pllumit, një nga personalitetet më të shquara e të dashura shqiptare, me kontribut të madh për komunitetin françeskan, por edhe në publicistikën dhe trashëgiminë shpirtërore e kulturore të vendit.

Foto nga IntoAlbania.

Numrat e një sistemi diktatorial

Në total shifrat e të dënuarve për zonën e Shkodrës janë vërtet të frikshme: 2890 të burgosur, 1924 të internuar, 601 të pushkatuar, ndër të cilët 61 klerikë.

Foto nga IntoAlbania.

Foto nga IntoAlbania.

Ky muze është vendi i duhur jo vetëm për të respektuar të gjithë ata që morën dënimin këtu, por edhe për të rikujtuar gabimet e të shkuarës. Asnjë shoqëri nuk mund të përmirësohet, nëse nuk adreson me vërtetësi mëkatet e së shkuarës, të cilat duhen thënë me zë të lartë, për të mos u përsëritur më kurrë.

 

    E hënë deri të premte 09:00 - 15:00 E shtunë 09:00-13:00
    Bulevardi Skënderbeu Get Directions

Explore More